Deklarata e fortë e Presidentit: Koha të dëgjojmë shkencëtarët, jo servilët!

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale ndaj një studimi të 4 sizmiologëve të njohur shqiptarë lidhur me zonat e reja sizmike në Shqipëri. Studimi është i vitit 2013, ndërsa në të jepen 9 zonat sizmike, bashkë me maksimumin e magnitudave të lëkundjeve.

“Koha për të dëgjuar shkencëtarët, jo servilët!”, shkruan Meta në rrjet, duke publikuar edhe shkrimin e plotë.

Studimi është kryer në 2013-ën nga Prof.Dr.Eduard Sulstarova, Prof.Dr.Shyqyri Aliaj, Prof.Dr.Siasi Koçiu dhe Prof.Dr.Betim Muço, të cilët i ofruan qeverisë një hartë të re sizmike që shoqëronin botimin e tyre të përbashkët “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”.

Profesor Alija u shpreh në atë kohë se qeveria duhet ti bënte hartat e reja si kusht normativ për të gjitha ndërtimet. Sipas tij hartat e reja duhet të zëvendësonin hartën sizmike të viteve 80 që sot e kësaj dite është ende në fuqi edhe pse vendi u godit përgjatë dy muajve të fundit nga 2 tërmetet më të fuqishme të 40 viteve të fundit.

Në vitin 1995 qeveria nxori një vendim që të gjitha ndërtimet mbi 8 kate duhet të paraprihen nga studime sizmologjike, jo vetëm godinat e banimit, por edhe të tjera.

Për fat të keq ky vendim i Këshillit të Ministrave nuk është zbatuar në të gjitha ndërtimet tona”, u shpreh në atë kohë akademiku Sulstarova. Përmes studimit të kryer, pas 30 vjetësh akademikët kanë nxjerrë hartat e reja të shpërndarjes sizmike, të cilat, sipas Sulstarovës duhet të miratoheshin nga Këshilli i Ministrave, në mënyrë që të jenë të detyrueshme për të gjithë ndërtuesit në vend.

“Pretendojmë dhe kërkojmë nga qeveria që këto harta të futen, si kusht normativ për të gjitha ndërtimet antisizmike që bëhen në Shqipëri dhe të zëvendësojnë hartën sizmike të vendit e viteve ’80, që është edhe sot në fuqi”, tha Sulstarova në vitin 2013.

Akademikët në botimin e tyre kanë veçuar se në territorin e Shqipërisë, me probabilitet 80%, mund të ndodhë një tërmet VII ballë një herë në çdo 5 vjet, një tërmet VIII ballë çdo 10 vjet, ndërsa një tërmet iX ballë çdo 30-40 vjet dhe tërmeti maksimal i mundshëm arrin magnitudën Ms=7.5.

Në studim autorët kanë dalluar 9 zonat e burimeve sizmike në vendin tonë.

9 zonat e burimeve sizmike me magnituda

Zona Lezhë-Ulqin me Mmax=7.0

Ultësira Pranadriatike me Mmax=6.9

Bregdeti Jonian me Mmax=7.0

Korçë-Ohër me Mmax=6.9

Elbasan-Dibër-Tetovë me Mmax=6.9

Kukës-Peshkopi me Mmax=6.5

Shkodër-Tropojë me Mmax=6.5

Pejë-Prizren me Mmax=6.8

Zona e Shkupit me Mmax=6.5

Artikulli paraprakPrindërit të nuk i dërgojnë fëmijët në shkollën “Emin Duraku”: Nuk kemi siguri…
Artikulli tjetërBanorët e pallatit indinjohen me autoritetet: Si mund të më garantojë një 17 vjeçar banesën