Listat e zeza e dëgjesat, drejt shtetit personal pa institucione

Edi Rama krijoi një figurë qesharake dje në Vlorë, kur një grua pjesëmarrëse në atë takim i kërkonte llogari për se nuk i punonte ashensori i pallatit. Rama nuk hezitoi t’i kthente përgjigje se këtë do e zgjidhte menjëherë administratori i pallatit. Njerëzit filluan të zihen se kush të marrë mikrofonin, duke bërë një mishmash që as shikohej e as dëgjohej gjë. Por kryeministri që po shndërrohet në një klloun shëtitës nuk diti t’i përgjigjej pyetjes së një gruaje, e cila u shpreh se ishte e sëmurë nga kanceri dhe donte të dinte se çfarë do bënte me cilësinë e ajrit. E dini si u përgjigj Kryeministri: “Qymyri nuk është problemi im”. Kjo ishte përgjigja e atij që ka veshur “opingat” dhe po del të dëgjojë qytetarët. Por kryeministri pretendon se i ka fituar këto zgjedhje. Tepsinë deshte, dhe tepsinë mori, me para droge përdorime të administratës, e gjithfarë mekanizmash ai i bëri 74 deputetë. Pse i gjithë ky shoë mediatik?

Spastrimet

Edi Rama nuk po bën gjë tjetër vetëm se po planifikon spastrimin e administratës, nga të “padëshiruarit”. Jo vetëm nga punonjësit e LSI dhe PDIU, aspak. Rama po përgatit sëpatën për të gjithë ata që si duhen më, duke na dhënë shembuj tipikë komunistë se si “luftohet burokratizmi në administatë”. Shoë që dha me drejtorin e Aluiznit në Berat, ka pasur në fokus diçka tjetër. Dje u raportua nga media se bashkë me drejtorin është shkrirë dhe e gjithë dega e ALUIZNI-t Berat, dhe janë pushuar 15 persona. Askush nuk u interesua nëse ishte brenda ligjeve apo jo legalizimi i asaj ndërtese, ishin respektuar rregullat urbanistikë, e të tjera si këto. Thjeshtë më shumë se 18 persona, duke përfshirë dhe rojen e godinës humbën punën, se një “banore iu ankua kryeministrit”. Grupi antiparti u gjet. Me sa shihet, Rama nuk ka qenë i kënaqur nga rezultati i zgjedhjeve në këtë qark. Por ngjarja e Beratit nuk u përsërit në Vlorë. Dhe atje kishte ankesa për pronat dhe legalizimet, por me sa duket drejtori i Vlorës i duhet ende. Huri po ngrihet që të jetë gati për në shtator, dhe filozfia e Ramës këtë ka për qëllim. Po del përpara njerëzve që të thotë se nuk është ai fajtori për situatën e krijuar, se nuk është ai që çoi drejt vetëvrasjes njerëzit për drita, por nuk e pushoi drejtorin e OSHEE Berat, kur gruaja para tij ja tha copë se para zgjedhjeve ja lidhi dritat Ermonela Felaj dhe më pas erdhën sërish dhe ja prenë sapo mbaruan zgjedhjet. Por me sa duket dhe drejtori i OSHEE i duhet, ashtu siç i duhen dhe një grusht njerëzish që bëjnë korrupsionin në dogana e tatime, që mbjellin dhe korrin hashashin për të blerë votat. Inskenimi është i shëmtuar dhe ky pastrim që po ndodh i dëmshëm. Pas nxjerrjes në rrugë të punonjësve në Berat ai do shkruante. “Sa më shumë anëtarë dhe anëtare të regjistrohen në Aleancën për Shqipërinë që Duam, aq më e madhe do të jetë rrjeta njerëzore që do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit, peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve”, kjo është gjuha e kryeministrit, e cila ngjason me atë të diktatorit në fillimet e luftës së tij kundër “borgjezëve dhe kulakëve, që kanë pirë gjakun e popullit”.

Me gjuhën e diktaturës

Por Rama ka dhe një arsye tjetër pse po del qytet më qytet, ndërkohë që duhet të ishte në zyrë.  Ai e di fort mirë se çfarë ka ndodhur më 25 qershor. Ai e di fort mirë, se komuniteti ndërkombëtar e ka të vështirë të pranojë manipulimin dhe deformimin e rezultatit. Si fajtori që kthehet në vendin e krimit, ai me këtë rast kërkon të manipulojë opinionin publik se këtë manipulim e bëri në “emër të së mirës së përbashkët”. Rama kërkon të luajë rolin e liderit ” dashamirës autokratik” që në literaturën e shkencës politike dhe menaxhimin e burimeve njerëzore përkufizohet kështu. “Ky stil paternalist lidershipi presupozon që shumica e vendimeve merret nga eprori, i cili përpiqet t’i bindë vartësit se ai vepron, duke pasur gjithnjë në konsideratë interesat e tyre. Duke u bazuar në shpërblimet dhe pjesërisht në frikën apo dënime”. Rama duket që ka frikë, dhe për këtë arsye i ka hyrë një shoë të panevojshëm me masat, duke huazuar veprimet e liderit të tij shpirtëror. Persona të paguar, ose të porositur më parë atakojnë punonjës të administratës që Rama më pas me sëpatën e tij të vendosë drejtësinë. Turi i Ramës, nuk është gjë tjetër vetëm se një pastrim dhe hedhje e njerëzve në rrugë, që ai kërkon ta kthejë në një shoë të neveritshëm ku turmat të duartrokasin. Çështjet që duhet të zgjidhen nga  auditet dhe strukturat antikorrupsion, po lihen në duar të njerëzve të porositur dhe paguar, një inskenim i cili ka si qëllim të prodhojë sa më shumë koka të prera, të lirojë ca vende për militantët e pakënaqur, dhe të  rrisë akoma më shumë kostot për administratën.

Armand MAHO

Artikulli paraprakFukuyama: Autoritarizmi po minon demokracinë
Artikulli tjetërDebati Basha-Selami në Tiranë