De Boer “dridhet”

Dy humbje dhe një barazim në tre sfidat e fundit. Me një këmbë jashtë Europa League dhe rënia e lirë në kampionat. Fitorja me Juventusin u duk se do të ishte një ilaç shumë i mirë për të kuruar plagët e së kaluarës, por ky Inter vazhdon të reflektojë probleme të vjetra. Skuadër me dy fytyra dhe ende e paqartë në filozofi. Interi nuk di të sigurojë vazhdimësi në rezultate që është edhe çelësi i suksesit për një skuadër që synon objektiva madhorë. Disfata e së dielës në Romë ka rikthyer pikëpyetjet rreth trajnerit Frank de Boer, i cili po përjeton një tjetër krizë në stolin zikaltër pasi nuk arrin t’u japë përgjigje shumë pyetjeve. Holandezi po kritikohet nën zë për mënyrën se si e menaxhoi sfidën e “Olimpicos”, por aktualisht nuk ka pasur asnjë kontakt me drejtuesit e klubit për të sqaruar situatën.
“Gazzetta dello Sport” thekson se presidenca ka besim të plotë te aftësitë e tij, por prapa kuintave duket se ka pasur një fërkim. Klubi kërkoi që në ndeshjen e Pragës kundër Spartës, trajneri të mos zgjidhte rotacionin radikal, por De Boer veproi ndryshe. Një pikëpyetje të madhe ngre edhe çështja Joao Mario. Lojtari u aktivizua titullar në Romë, por ndoshta trajneri gaboi pasi ai kthehej nga një dëmtim dhe ndoshta do të ishte më mirë që kundër Romës të nisej nga stoli. Tjetër çështje në diskutim është edhe zgjedhja e Santos dhe jo e Nagatomos për të mbuluar një lojtar të shpejtë si Salah. Pas dy humbjeve radhazi, ndeshja e radhës kundër Southampton në datën 20 tetor është vendimtare për fatin e trajnerit. De Boer rrezikon që të futet në një tunel nga i cili mund të mos dalë më sepse kualifikimi për në fazën tjetër të Europa League mbetet një detyrim për të dhe skuadrën zikaltër.
Massimo Moratti është gati të rikthehet në krye të Interit. Ideja për një prapaktheu e 71-vjeçarit po bëhet konkrete, madje qëllimi i ish-presidentit zikaltër është të ketë në krah të tij Tronchetti Provera. Sikurse refererojnë mediat italiane, Moratti po mendon që të ketë kuotat e tij në klub, i ndikuar nga blerja e pjesës më të madhe të aksioneve të Erick Thohir nga Zhang Jindong.
Pak ditë më parë Moratti e pranoi publikisht se grupi Suning i ka propozuar që ai të rikthehet në drejtim të Interit, por këtë lëvizje ai dëshiron të bëjë në mënyrën e tij.
Ideja e Morattit është të blejë 31% të aksioneve Erick Thohir, të cilat manjati indonezian do t’i nxjerrë në shitje brenda 30 nëntorit dhe më pas të marrë drejtimin tekniko-sportiv të klubit bashkë me Troncchetti Provera, duke i propozuar Zhang Jindongut, që ka mazhorancën e aksioneve, që të kujdeset për anën ekonomiko-tregtare. Nostalgjikët e Interit e kanë pritur me shumë entuziazëm këtë informacion, por është vetë Moratti që i zhgënjen disi tifozët zikaltër duke u shprehur se në projektet e tij nuk parashikohet një rikthim gjatë muajve të ardhshëm, por duke lënë gjithmonë gjithçka të hapur për një të ardhme më të largët.

Artikulli paraprakSadiku humbet sfidat me Lihtenshtejnin e Spanjën
Artikulli tjetër“Shkëlqimi i të thjeshtit Thomas Strakosha”