Dani Alvesh shpërthen kundër Barçës: Falsë e mosmirënjohës

Dani Alvesh shpërthen ndaj drejtuesve të Barcelonës, të cilët i bën përgjegjës për largimin e tij nga blaugranat në fund të sezonit të kaluar. 33-vjeçari theksoi në një intervistë për mediat spanjolle se nuk mund të qëndronte më shumë te kampionët në fuqi të La Ligas, përderisa nuk ndjente mbështetjen e klubit.
“Më pëlqen kur njerëzit më duan, por kurrsesi nuk mund të qëndroj në një ambient ku nuk më duan. Gjatë tre sezoneve të fundit te Barcelona, flitej gjithmonë për një largim timin të mundshëm, por asnjë nga drejtuesit nuk erdhi dhe të ma thoshte në sy. Nuk treguan respekt ndaj meje, por u sollën pa respekt dhe mirënjohje. Erdhën dhe më ofruan rinovimin e kontratës vetëm pasi FIFA u bllokoi merkaton. Në këtë situatë vendosa ta rinovoja kontratën, por me një klauzolë që në fund të sezonit do të isha lojtar i lirë”, u shpreh Dani Alvesh.
Sigurisht që nuk mund të mungonin pyetjet për aventurën e tij te Juventusi, ku është aktivizuar në vetëm 11 ndeshje të Serisë A. “Juventusi ka një skuadër të aftë për ta fituar Championsin. Por në Itali janë shumë supersticiozë, kështu që më mirë të flasësh me zë të ulët për këtë temë”, tha ai.
Përtej futbollit pasioni i Dani Alves është muzika dhe nuk është rastësi që dëshira e tij është të bëhet këngëtar. Një ëndërr në sirtar që mund të bëhet realitet shumë shpejt, pasi nuk do të jetë e largët dita që të varë këpucët në gozhdë, për t’iu përkushtuar pasioneve të tij.

Artikulli paraprakBesnik Mustafaj thirrje studentëve: Bashkohuni me protestën!
Artikulli tjetërSërish tension te Juve