Besnik Mustafaj thirrje studentëve: Bashkohuni me protestën!

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i bëri thirrje dje studentëve të ngrihen dhe të bëhen pjesë e kauzës qytetare e jo vetëm të opozitës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mustafaj ishte dje në çadrën e ngritur nga opozita dhe qytetarët përballë Kryeministrisë, ndërsa shprehu shqetësimin se askush nuk beson se kjo qeveri mund të garantojë zgjedhje të lira ndaj dhe mbështeti dhe e cilësoi të drejtë kauzën e ngritur nga opozita. “Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme. Mosbesimi i opozitës ndaj mazhorancës e qeverisë, institucioneve të shtetit është total. Ky besim fitohet me gjeste nga ana e qeverisë. Nëse këto gjeste mungojnë siç po shihet atëherë nuk ka rrugë tjetër veç protestës. Nëse protesta nuk ka vazhdimësi atëherë do të dështojë. Nuk arrihet qëllimi. Shpresoj se ka një vendosmëri të mjaftueshme. Ka një shprehje pakënaqësie të përgjithshme. Përfitoj nga ky rast meqë jemi më 20 shkurt t’u bëj thirrje studentëve t’i bashkohen protestës. Studentët duhet të jenë këtu të parët”, u shpreh Mustafaj. Partia Demokratike shprehet e vendosur se kushti kryesor i opozitës mbetet krijimi i një qeverie teknike. Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një intervistë për mediat, thotë se sot protestohet për të njëjtat kauza të 26 viteve më parë. Ajo tha se protesta e opozitës do të përshkallëzohet dhe se strategjia për këtë do të bëhet me dije gjatë ditëve në vijim. “Nuk është kauza e Partisë Demokratike. Është kauzë e gjithë qytetarëve shqiptarë. Partia Demokratike shërben si një lloj katalizatori për të sjellë bashkë atë çka shqiptarët nuk patën mundësi ta shprehnin protestën ndaj kësaj qeverie që po në mënyrë të vazhdueshme, po mohon çdo liri dhe të drejtë të qytetarëve. Dua të shpreh keqardhjen time të thellë që ashtu sikurse në 26 vite më parë, kemi qenë pranë këtij vendi për të rrëzuar diktatorin më të egër, sot pas 26 vjetësh, sot po unë dhe shumë qytetarë të tjerë po luftojmë për të njëjtat kauza. Ne kërkojmë të stopojmë instalimin e një neodiktature. Qytetarët janë të vendosur të mos lëvizin derisa të arrihet që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe tek to nuk mund të shkohet me këtë qeveri, e cila ka kriminalizuar Parlamentin, administratën dhe ekonominë dhe tani po tenton të kriminalizojë edhe votën. Nëse kërkojmë qeveri teknike, nuk kërkojmë kalim pushtetesh. Ne kërkojmë qeveri teknicientësh që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në fund të fundit, ajo që na mbledh neve është respektimi i të drejtave themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Vokshi.

Artikulli paraprakShkullaku dhe Meço i bashkohen protestës: Duhet përmbysje!
Artikulli tjetërDani Alvesh shpërthen kundër Barçës: Falsë e mosmirënjohës