Daja: Loja në Kiev më kënaqi

Ilir Daja i zhgënjyer me rezultatin, por jo me lojën e Skënderbeut. Në një prononcim për mediat që nga Kievi, trajneri i skuadrës korçare edhe pse pranon se ishte një ndeshje me dy fytyra, nga një për çdo pjesë për Skënderbeun shpjegon se, ishin zëvendësimet e detyruara të Osmanit dhe Jashanicës për shkak dëmtimi ato që nuk lejuan një reagim më të fortë pas pësimit të dy golave. “Do ta ndaja në dy pjesë, në një të parë të mirë për vete faktin se e mbyllëm me rezultat pozitiv, por natyrshëm edhe në një të parë ka gjëra për t’u përmirësuar, por në pjesën e dytë ndoshta nuk është faji i askujt, pasi të bësh dy ndërrime të detyruara me një kundërshtar të vështirë si Dynamo Kiev kemi bërë mirë, mund të bënim edhe më mirë. Duhet të vazhdojmë që në ndeshjet e ardhshme, sepse ndoshta mungesa e Nimagës apo forma më e mirë e Gavazajt që krijon me veprimet individuale mund të kemi një kontigjent të plotë. Pavarësisht rezultatit duhet të rrimë me këmbë në tokë, pasi të gjithë janë të fortë në këtë grup, por të shpresojmë që përveç rezultateve pozitive të bëjmë një lojë siç kemi bërë në pjesën e parë”, u shpreh Daja.
Edhe pse ai fillim i pjesës së dytë penalizoi skuadrën korçare, Daja i qëndron besnik zgjedhjeve të tij, ndërsa shpjegon edhe arsyet përse. “Unë do të thoja që nuk do të ndryshoja asgjë, pasi pas një pjese të parë me rezultat pozitiv çdo trajner do i besonte 11-ës që nisi lojën, plus që kishim menduar se kundërshtari do të rriste presionin dhe do t’i bënim zëvendësimet në moment më të vonshëm. Kur pëson gola aq shpejt nuk arrin të mendosh, pasi edhe kur donim të reagonim patëm dy ndërrime të detyruara, kështu që mendoj që asgjë nuk ishte gabim sepse në mbarimin e pjesës së parë menduam ta nisnim të dytën me presing ofensiv që të mos lejonin kundërshtarin të vepronte në zonat tona të rrezikshme”, tha ai.
Trajneri e pranon se në këtë sfidë iu besua lojtarëve me përvojë, pasi Skënderbeu kërkon të marrë sa më shumë në këtë fazë grupesh të Europa League, por duke gërshetuar këtë politikë edhe me promovimin e talenteve të rinj në vitrinën europiane. “Dëshironim të tregonim pretendimet tona duke provuar se çfarë mund të bëjmë në një fazë grupesh ndaj hodhëm lojtarët më me përvojë për të marrë një rezultat pozitiv, përveç Gavazjt të gjithë të tjerët ishin të gjithë lojtarët bazë. Natyrshëm që politikat e klubit nuk i bën trajneri, por në bashkëpunim që nga presidenti, drejtuesit e stafi teknik nëse do të kemi për të promovuar lojtarë të rinj nuk do të jem kundër, po sot donim të provonim se çfarë mund të bënim. Kjo nuk do të thotë se ne kemi hequr dorë për të provuar se çfarë do të bëjmë me grupin tonë, nuk jam dakord me opinionin që është një grup i lehtë, por mendoj që edhe promovimi i lojtarëve të rinj nuk mund të bëhet me rrotacion total”, tha Daja.

Artikulli paraprakSkënderbeu beson
Artikulli tjetër“Vëllazëria e gjakut” kino–koreane