Crotone e Pescara në garë për Ajetin

Crotone sfidon Pescaran në garë për mbrojtësin shqiptar të Torinos, Arlind Ajeti. Sipas mediave italiane, dy klubet e Serisë A kanë shfaqur interes për lojtarin kuqezi, i cili është pjesë e skuadrës së Torinos. Ajeti e nisi sezonin nga infermieria dhe tashmë që është rikuperuar plotësisht, nuk arrin të gjejë një vend në formacionin e drejtuar nga Sinisa Mihajloviç. Në këtë mënyrë, për 23-vjeçarin hapen dritare të reja merkatoje në Itali. Paraqitjet pozitive të sezonit të shkuar me Frosinonen kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të Serisë A, mes të cilave Crotone dhe Pescara që janë vënë në lëvizje për të forcuar sa më shumë repartin e tërhequr.
Kalabrezët kanë treguar mangësi të theksuara në mbrojtje gjatë këtij sezoni dhe një emër si Ajeti mund të ofrojë më shumë siguri. Në krahun tjetër, edhe Pescara ka nevojë për emra të besueshëm pas startit katastrofik të sezonit, ku nuk ka siguruar ende asnjë fitore në fushë. Dy skuadrat në fjalë janë në pritje për të mësuar qëllimet e Torinos, pasi klubi piemontez nuk ka vendosur ende. Bovo dhe Ajeti janë në balotazh. Është presidenti Urbano Cairo, ai që do të thotë fjalën e fundit dhe më pas, Crotone e Pescara do të duelojnë për të fituar shërbimet e mbrojtësit italian ose atij shqiptar.

Artikulli paraprakHEC-et në Theth dhe Valbonë dëmtojnë turizmin
Artikulli tjetërKush janë 10 vendet më të lumtura në botë?