Çmenduria, monumentet e kulturës me koncesion

Pasuritë në fushën e trashëgimisë kulturore nuk do t’i shpëtojnë dot formulës “magjike” të partneriteteve publike private që po shtrihet në çdo sektor. Projektligji “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, që ka nisur përgatitjet nga viti 2014, por që vetëm tani ka mbërritur në Kuvend sanksionon mes të tjerash edhe mënyrën sesi do të aplikohen koncesionet në këtë fushë. Në fakt sipas cilësimeve të bëra në ligj projektet që do të pranohen kanë të bëjnë me rijetëzimin.
Pasuritë e paluajtshme kulturore në administrim të institucioneve qendrore ose vendore mund të jepen në përdorim, për qëllim rijetëzimi, për funksione administrative e social-kulturore, me kusht që projekti i rijetëzimit të mos dëmtojë vlerën e pasurisë kulturore.
Miratimi dhe zbatimi i projekteve të rijetëzimit të pasurive të paluajtshme kulturore duhet të respektojë regjimet për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerës së pasurisë kulturore, termat dhe kushtet për kryerjen e konservimit të integruar. Pasuritë kulturore në pronësi private jepen në përdorim me qëllim rijetëzimi pas marrjes së miratimit paraprak nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore”, thuhet në nenin 182 të draftligjit që i takon seksionit dy ku përcaktohet partneriteti publik privat në fushën e trashëgimisë kulturore.
Por çfarë mund të jetë objekt rijetësimi që i kalohet privatit. Sipas ligjit objekt rijetëzimi mund të jetë një pasuri kulturore, një grup pasurish kulturore ose pjesë të veçanta të tyre që nuk përbëjnë, në tërësinë e tyre, një njësi territoriale të regjistruar si trashëgimi kulturore. Për pasuritë me rëndësi universale, sipas parashikimeve të këtij ligji, njësi territoriale e regjistruar si trashëgimi kulturore janë pasuritë sipas listës botërore të pasurive kulturore të UNESCO-s.
Koncesionet parashikohen që të kenë një afat 20-vjeçar dhe me të drejtë rinovimi të kontratës vetëm një herë, nëse subjekti ka qenë i rregullt në zbatimin e kontratës së parë.

Përjashtimet nga PPP

Sipas draft ligjit janë disa kategori që përjashtohen nga procesi i rijetëzimit që nënkupton partneritetet publike private të tilla mund të jenë tërësia e njësisë territoriale, e regjistruar si pasuri kulturore me rëndësi universale, sipas përcaktimit të saj në listën e pasurive botërore të UNESCO-s, tërësia e njësisë territoriale, e regjistruar si pasuri kulturore “me rëndësi kombëtare”, përveç atyre të përcaktuara me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, rezervat arkeologjike apo pjesët prej tyre, përveç atyre që përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, pasuritë kulturore me rëndësi fetare.

Ndërtime brenda zonave të dhëna me koncesion

Drafti i depozituar në Kuvend për trashëgiminë kulturore dhe muzetë përcakton edhe rastet kur lejohen ndërtime brenda zonave të dhëna tek privatët për rijetëzim.
“Në rast se subjekti kërkues do të ndërtojë infrastrukturën përkatëse, ndërtesa dhe instalime ndihmëse në zonat e lira të zbulimeve arkeologjike brenda zonës së mbështetur, kontrata duhet të përcaktojë kushtet teknike për ndërtimin e kësaj infrastrukture”, thuhet në projektligj.

Artikulli paraprakKoncesioni Veliaj për shkolla kosto e rëndë në kurriz të taksapaguesve
Artikulli tjetërEuro në nivelin më të ulët që nga fundi i verës