Çmenduri për Bonuçin

Manchester City është gati të bëjë çmenduri për të sjellë në “Ettihad Stadium” Leonardo Bonuçin. Lajmi bëhet publik nga e përditshmja britanike “Telegraph”, që citon burime të brendshme të “Citizens”. “Manchester City e kërkon Bonuçin. Prej kohësh skuadra po përballet me problemin e qendërmbrojtësit, që duhet të zgjidhet në muajt e kësaj vere”, është mësuar të ketë thënë personi që vepron në brendësi të skuadrës angleze.
Problemi në këtë pikë qëndron te fakti se, Bonuçi sapo ka rinovuar kontratën me Juventusin dhe mund të largohet nga Torino vetëm nëse në drejtim të tij vjen ndonjë ofertë e jashtëzakonshme, e vështirë për t’u refuzuar.
Por, Manchester City nuk është e vetmja skuadër që është vënë në gjurmët e Bonuçit. Interes për futbollistin e Juventusit kanë shfaqur edhe Manchester United e Chelsea, ndërkohë që shifra minimale që pretendohet nga Juventusi për kartonin e futbollistit është 60 milionë euro, e njëjta që Paris Saint Germain pagoi për David Luiz në vitin 2014. Sipas “Telegraph”, Manchester City është gati të derdhë në arkat e torinezëve këtë vlerë për të zgjidhur përfundimisht çështjen e repartit të prapavijës. Nëse kjo lëvizje do të ndodhë, Bonuçi do të luajë në vend të Kompany, i cili këtë sezon është penalizuar nga dëmtimet e shumta.
Ndërkohë edhe te Milani ka nisur puna për ndërtimin e skuadrës së të ardhmes. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “La Gazzetta dello Sport”, ideja e drejtuesve të klubit kuqezi, Fassone e Mirabelli, është që të sjellin në Milano futbollistë të rëndësishëm në çdo repart e sidomos në atë të sulmit.
Gjithnjë, sipas kësaj të përditshmeje, ai që pritet të lërë një vend bosh në skuadër është pikërisht Carlos Bacca, pasi drejtuesit e Milanit nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga Suso. Në këtë pikë, emri më i lakuar për të zënë vendin në sulm është ai i Aubameyang.
Por, te Milani pëlqehen edhe futbollistë të tjerë, siç është Alvaro Morata, me spanjollin që është vënë edhe në shënjestrën e Chelsea dhe Contes, që e kërkon atë për të zëvendësuar sulmuesin kryesor, Diego Costa. Emra të tjerë që po përmenden në ambientin kuqezi janë edhe Benzema i Realit dhe Lacazette i Lionit.

Artikulli paraprakDëmtimi është i rëndë, Ibra mbyll sezonin
Artikulli tjetërShqipëria bëri një rrugëtim interesant