“Çmendet” Ventura

Fillimisht premtoi se do të dorëhiqet, më pas e përgënjeshtroi. Por jo vetëm kaq, thotë madje se është trajneri më i mirë i Italisë në 40 vitet e fundit. I kontaktuar nga “Le Ienne” (gazetarët e një emisioni investigativ në Itali), gjatë fluturimit të tij nga Milano drejt Barit, Gian Piero Ventura nuk dëshiron të flasë, por diçka i shpëton nga goja. “Botërori pa Italinë? Po, do të jetë i shëmtuar, por unë çfarë mund të bëj? Për fat të keq, nuk u kualifikuam. E kam thënë edhe më parë, u kërkoj falje të gjithë italianëve për rezultatin sportiv. Statistikat e mia janë më të mirat e 40 viteve të fundit, kam humbur vetëm 2 ndeshje në dy vjet”, u shpreh Ventura.
Në realitet janë 3 humbje, 9 fitore dhe 4 barazime, sepse, përveç disfatës 3-0 në “Bernabeu” me Spanjën dhe humbjes 1-0 në ndeshjen play off me Suedinë, është edhe dështimi 1-3 me Francën në miqësoren e zhvilluar në Bari në debutimin e tij në krye të Kombëtares. “Kam shkruajtur historinë në njëfarë mënyre? Për fat të keq, po! A do të dorëhiqem? Po”, tha Ventura.
Giampiero Ventura ka marrë kohë, në pritje për t’u këshilluar me presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Taveçhio, një tjetër që ka vendosur gjithashtu të marrë kohë. Pas konferencës për shtyp ku i ka kërkuar falje italianëve për rezultatin negativ, trajneri i Italisë, në një video me gazetarët e “Le Iene”, ka pranuar se do të jepte dorëheqjen, por më pas ka përgënjeshtruar gjithçka. Por tani ka filluar të qarkullojë në internet një video, e realizuar në 2009-ën, me protagonist Giampiero Ventura. Në videon në fjalë, trajneri i “axurrëve”, në atë kohë në drejtim të Barit është në studiot e stacionit televiziv “Antenna Sud” për t’iu përgjigjur pyetjeve të tifozëve. Një nga pyetjet ka qenë nëse do të donte që një ditë të bëhej trajner i Italisë. Përgjigja e tij është ironike dhe emblematike: “Unë, trajner i Italisë? Do të duhej të arrestoheshin të gjithë ata të federatës…”. Një video kjo që merr një domethënie të veçantë pas dështimit kolosal të ekipit të Ventura-s. Një dështim, i parashikuar nga vetë trajneri.

Artikulli paraprakAustralia në Botëror, ikën Hondurasi
Artikulli tjetërNë Itali të gjithë duan Karlo Ançelotin