Clinton dhe dëmet që po shkakton WikiLeaks

Kenneth P. Vogel

Donald Trump është duke shfrytëzuar valën e e-mail-eve të bëra publike si provë që Hillary Clinton nuk do të ishte një presidente e favorshme për vendin, por edhe një numër i madh politikanësh të tjerë janë duke arritur në këtë konkluzion, edhe pse për arsye tërësisht të ndryshme. Disa prej zërave më influencues dhe grupe të së majtës janë ndjerë të ofenduar për mënyrën se si janë diskutuar çështjet e tyre pas krahëve nga Clinton dhe disa prej këshilltarëve të saj më të ngushtë nëpër e-mail-e që i përshkruajnë disa individë dhe çështje si “puritane”, “pompoze”, “naive”, “radikale” dhe “idiote”, madje disa prej tyre janë etiketuar si “njerëz të çuditshëm” që “duhet të merren me jetën e tyre”.
Megjithatë, këtu nuk flitet vetëm për marrëdhënie shoqërore dhe ndjenja personale. Nëse sondazhet rezultojnë të vërtetë dhe Clinton fiton presidencën, ajo do të duhet të fitojë mbështetjen e shumë profesionistëve të së majtës për të eklipsuar atë që pritet të jetë një Parti Republikane tepër e egërsuar ndaj propozimeve të saj legjislative.
Por tashmë mirëkuptimi dhe besimi ndaj Hillary-t është duke u zbehur – së bashku me besimin tek këshilltarët e saj si John Podesta, Neera Tandem dhe Jake Sullivan – teksa WikiLeaks vazhdon të publikojë çdo ditë mijëra e-mail-e të hakuara nga adresa në Gmail e Podestës dhe kjo valë publikimesh pritet të vazhdojë deri në ditën e zgjedhjeve.
Grupet liberale dhe aktivistët janë duke mbledhur një dosje ku përmblidhen komentet më fyese të marra nga e-mail-et e WikiLeaks rreth figurave ikonike të lëvizjeve të tyre si ish-rivali i Clinton-it gjatë zgjedhjeve paraprake, Bernie Sanders dhe mbi qëndrimin e tyre për çështje si reforma e Wall Street, energjia dhe ndryshimi i klimës. Disa aktivistë liberalë madje janë zotuar se do t’i përdorin e-mail-et për të kundërshtuar politikën e Clinton-it, propozimet dhe emërtimet e saj që nuk konsiderohen progresive saç duhet.
E-mail-et që shfaqin Clinton duke e lavdëruar Wall Street-in në një mënyrë që bie në kundërshtim me retorikën e egër të fushatës së saj, i kanë shtyrë shumë progresivë të mos kenë më besim tek Hillary për sa i përket emërimeve të propozuara që kanë tendenca më qendrore ose lidhje me Wall Street-in. “Disa nga betejat e para me të cilat ajo do të përballet kanë për të qenë në lidhje me personelin, me emrat që Clinton do të emërojë për thesarin, edukimin dhe punën apo në krye të agjencive si Komisioni i Tregtisë Federale. Progresivët nuk kanë për të qenë shumë dakord me zgjedhjet e saj”.
Publikimet e WikiLeaks nuk e kanë influencuar hierarkinë përreth Hillary-t apo ndjenjat e saj për këshilltarët e ngushtë si Podesta, Sullivan dhe Tanden, sipas një burimi nga fushata e saj. Podesta dhe Sullivan e kanë ndihmuar Clinton-in të përgatisë debatin e së mërkurës dhe kanë udhëtuar bashkë me të me avionin e fushatës drejt debatit, ndërkohë që Tanden rezulton ende si bashkëkryetare e ekipit të Clinton-it.
Megjithatë, situata mund të kthehet në një problem të madh për administratën e ardhshme të Clinton-it në rast se Sullivan, Tanden dhe Podesta apo këshilltarët e tjerë të ngushtë fillojnë të shihen si individë jo të besueshëm dhe me të cilët nuk punohet në mirëbesim nga rryma e majtë e Partisë Demokratike, e cila u rreshtua në mbështetje të Bernie Sanders gjatë fushatës së tij kundër Clinton-it.
Sullivan, ishte këshilltari kryesor i politikës së Clinton-it në Departamentin e Shtetit dhe mendohet të jetë kandidati i saj kryesor për këshilltarin e Sigurisë Kombëtare. E-mail-et e WikiLeaks tregojnë se ka pasur një influencë të madhe në debatet e politikës së brendshme dhe shpesh ka mbajtur pozicion të qendrës, gjë që i ka shqetësuar liberalët, duke thënë madje se vendi natyral i Clinton-it është në të djathtë.
Tanden, presidente e Qendrës për Progresin amerikan të Clinton-it, është një nga katër bashkëkryetaret e ekipit të Clinton-it dhe pritej të shërbente si këshilltare kryesore e jashtme në administratë. Në e-mail-e ajo e përshkruan veten si “ushtare besnike”, e cila do të bëjë gjithmonë atë që i nevojitet Hillary-t. Kritikat që ajo ka lëshuar kundër kritikëve liberalë të Clinton-it janë shpesh të egra dhe ndonjëherë personale, madje ka quajtur edhe disa nga vetë punonjësit e saj “të majtë të çmendur”, pasi kishin botuar një artikull që kritikonte Hillary-n.
Podesta, kreu i stafit demokrat presidencial, ka ndihmur presidentët Bill Clinton dhe Barack Obama të ngrejnë në këmbë administratën e tyre dhe tani shërben si kryetar i fushatës së Clinton-it dhe president i ekipit të saj. Në e-mail-et e tij ai shfaqet si pragmatist, duke hedhur ujë të ftohtë mbi propozimet më të famshme të liberalëve mbi taksën e karbonit, të cilën Sanderse mbështeste dhe duke thënë se ideja ishte një “idiotësi”. Ai ofendon gjithashtu Sandersin pasi ka thënë se marrëveshja e ndryshimit të klimës Paris 2015, të cilën Clinton e mbështeste, nuk do të shkonte gjëkundi.
Tenden nuk ka pranuar ta komentojë historinë, ndërkohë që stafi i fushatës nuk i kanë nxjerrë të disponueshëm për intervistë Podestën dhe Sullivanin. Drejtuesja e komunikimeve të Clinton-it, Jennifer Palmieri, i bëri bisht një pyetjeje ditën e martë nëse Podesta kishte kërkuar falje për fyerjet kundër Sandersit. Ajo devijoi duke thënë, “jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që na ka dhënë senatori Sanders”.
Palmieri tha se fushata e Clinton-it nuk ka kërkuar të shqyrtojë e-mail-et e Podestës për të përcaktuar se çfarë publikimesh të tjera mund të priten, në kuadër të kërcënimit të WikiLeaks që thotë se ka edhe mijëra e-mail-e të tjera për të publikuar. Ajo sugjeroi se fushata nuk ishte aspak e shqetësuar. “Nuk jemi duke shpenzuar kohë me këtë çështje”, tha ajo duke akuzuar edhe një herë inteligjencën ruse për kryerjen e hakimit vetëm për të dëmtuar fushatën e Clinton-it.
Komuniteti amerikan i inteligjencës nuk ka deklaruar zyrtarisht se hakimi i e-mail-eve të Podestës është një operacion i qeverisë ruse, por e ka fajësuar Rusinë për sulmet e mëparshme kibernetike kundër Komitetit Kombëtar Demokratik. “Wall Street Journal” ka raportuar javën e kaluar se FBI-ja dyshon që agjencitë e inteligjencës ruse fshihen pas hakimit të Podestës. Qeveria ruse natyrisht e ka mohuar përfshirjen e saj.
Fushata e Clinton-it ka refuzuar të komentojë mbi e-mail-et specifike, duke thënë se nuk dëshiron t’i vërtetojë ato. Por zëdhënësi Glen Caplin refuzoi çdo lloj sugjerimi se ekipi i Clinton-it kërkon të ulë pozicionin e liderëve liberalë. “Propozimet politike të Hillary Clinton-it janë më progresivet të çdo kandidati demokrat në histori dhe ajo ka vazhduar t’i promovojë ato edhe pasi ka fituar zgjedhjet paraprake”, tha ai. “Që nga vënia e Wall Street-it përpara përgjegjësisë tek frenimi i burgosjeve në masë, rritja e pagës minimale, lufta kundër ndryshimit të klimës e deri tek detyrimi i të pasurve për të paguar më shumë, Hillary ka punuar me aleatët progresivë për të formuar plane të forta që do të gjenerojnë ndryshim të vërtetë”.
Për RoseAnn DeMoro, drejtuese ekzekutive e Unionit Kombëtar të Infermierëve, e-mail-et pasqyrojnë ndjenjat e vërteta të ekipit të Clinton-it drejt kauzës së tyre progresive dhe sugjerojnë se nëse Clinton do të fitojë Shtëpinë e Bardhë, ajo nuk do të jetë në anën e tyre. “Nëse WikiLeaks ka publikuar e-mail-e të sakta, çështjet për të cilat ne luftojmë nuk janë ato që do të ndjekë Clinton”, tha DeMoro, e cila ka luftuar në krah të Sandersit gjatë zgjedhjeve paraprake. Por DeMoro thotë gjithashtu se Sandersit, i cili tashmë ka dalë në krah të Hillay-t, nuk do t’i mbyllet goja lehtësisht nga ekipi i Clinton-it që e ka quajtur unionin, sipas e-mail-eve të bëra publike, “një tufë imperialistësh hakmarrës”.
Në një nga e-mail-et, Randi Weingarten, kreu i bashkimit të mësuesve që mbështet Clinton-in, i shkruan Podestës fjalë fyese për Unionin e Infermierëve. Weingarten tha më pas për “Politico” se, është penduar thellësisht për fjalët e thëna duke shpjeguar se në mes të një fushate të nxehtë si kjo mund të thuhen edhe gjëra që nuk do të doje t’i kishe thënë. Por ajo thotë se Sanders dhe mbështetësit janë të bindur për të ndihmuar fitoren e Clinton-it dhe kanë dhënë kontributin e tyre për formimin e platformës së saj.
“U gëzova shumë se Hillary bisedoi direkt me mbështetësit e Bernie Sanders gjatë konventës, duke u kërkuar të bashkëpunojnë me të për t’i fituar këto zgjedhje në mënyrë që së bashku të realizojmë platformën që kemi krijuar”, tha Weingarten. Por aktivistët liberalë e kanë kaluar këtë javë duke shpëndarë e-mail-et e publikuara nga WikiLeaks në të cilët Clinton dhe ndihmësit e saj flisnin për një pozicion politik më qendror.
Në një prej e-mail-eve të publikuar të enjten, Sullivan argumentonte se, Clinton duhet të mbështeste Partneritetin Trans Paqësor ose marrëveshja tregtare TPP, ndërkohë që në një tjetër koment tregonte se si ai, ashtu edhe Podesta, favorizonin strategjinë e dhënies së autoritetit tek Obama për të negociuar marrëveshjen. Vetë Clinton është ekspozuar nga WikiLeaks teksa pranonte privatisht se mbështeste marrëveshjen tregtare përpara se të dilte publikisht kundër saj nën presionin e Sandersit dhe bazës liberale.
Një tjetër veteran liberal argumenton se Tanden, e cila në një e-mail tallej me “standardet puritare të bernistave” ekspozohej nga WikiLeaks si një figurë tek i cili baza liberale duhet të dyshojë. “Ajo goditi progresistët pas shpine, së bashku me kolegët e saj, madje ka goditur pas shpine edhe vetë Clinton-in”, tha ai, duke cituar një e-mail në të cilin Tanden shkruante se instinkti politik i Hillary-t nuk ishte optimal.
Ai shprehu gjithashtu shqetësimet se, nëse Clinton fiton, të paktën Tanden nuk duhet t’i afrohet Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të ardhshëm. “Ajo është helmuese dhe nuk mund të kesh besim tek ajo për bisedime në të njëjtën dhomë apo në të njëjtin rrjet e-mail-i në këtë rast”. Por ka edhe nga ata pjesëtarë të kongresit që e kanë mbështetur Tanden, së bashku me Podestën, duke thënë se ata kanë folur edhe gjëra pozitive për kauzën e liberalëve në këto e-mail-e të publikuar.
Disa aktivistë liberalë thanë se në e-mail-et e bërë publikë kanë vërejtur shenja se Clinton dhe ekipi i saj janë të prekshëm përballë presionin të majtë. Adam Green, bashkëthemeluesi i grupit të quajtur Komiteti i Fushatës Progresive, i cili u përpoq të fuste politikanen liberale, Elizabeth Warren në garë tha se ishte i kënaqur për faktin se, më në fund u kuptua që, mbrapa krahëve, ndihmësit e Clinton-it, kishin respekt të madh për senatoren Elizabeth Warren dhe idetë e saj progresive. Sipas tij, kjo ishte shenjë e mirë se baza e Warren do të ketë zë të fuqishëm në administratën Clinton.
Ndërsa Kelly Mitchell, drejtuese e fushatës së energjisë për Greenpeace – duke aluduar për transkriptin e një fjalimi në të cilin Clinton i kishte quajtur “të egër” dhe “radikalë” ambientalistët që kërkojnë të frenojnë nxjerrjen e naftës fosile – tha se publikimi i e-mail-eve ishte pozitiv dhe të jepte një pamje të vërtetë të këndvështrimit të Clinton-it. “Është mirë që më në fund kuptojnë se çfarë mendon vërtet gruaja që mund të jetë presidentja jonë e ardhshme”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakSëmundja e Spanjës
Artikulli tjetërKërcënimi nga Rusia