Chelsi-Liverpool, kapiteni Terry rrezikon mungesën

Chelsi merr një goditje të rëndë pas barazimit në transfertën e Swanseas, pasi përveç dy pikëve të humbura, skuadra e Antonio Contes rrezikon të luajë pa kapitenin John Terry në ndeshjen e javës së ardhshme kundër Liverpool në “Stamford Bridge”. Mbrojtësi u largua nga stadiumi pas fundit të takimit i ndihmuar nga patericat për shkak të një dëmtimi në këmbë. Kapiteni i bluve u përplas me sulmuesin e Swanseas, Leroy Fer, duke u larguar nga fusha menjëherë.
Në një foto të publikuar në Instagram ai tregon këmbën e fashuar dhe me shumë mundësi, ai nuk do të zbresë në fushë të premten në mbrëmje për të pritur “The Reds”. Pas ndeshjes, trajneri Conte nuk dha asnjë informacion për gjendjen e lojtarit, por theksoi se ai është një luftëtar dhe nuk shqetësohet aspak pasi do të bëjë të pamundurën për t’u rikthyer në fushë. Një mbrëmje për t’u harruar për mbrojtësin anglez dhe Chelsean që në javën e katërt u ndal nga Swansea, duke humbur kontaktet me kryesuesit e Manchester City dhe sfida e javës së 5 në “Stamford Bridge” ndaj skuadrës së Jurgen Klopp është jetike për klubin londinez që synon të rikthehet te titulli kampion.
Në javën e katërt të kampionatit, formacioni i Contes pësoi dhe frenimin e parë duke falur vetë dy pikë në transfertën e Uellsit. Miqtë nga Londra u dukën sikur po shkonin drejt një tjetër fitoreje pasi Diego Costa arriti të gjente epërsinë në minutën e 18-të. Chelsi e menaxhoi mjaft mirë lojën deri në të 59-tën kur 3 minuta çmenduri përmbysën ndeshjen. Fillimisht ishte Sigurdsson që realizoi nga pika e bardhë për vendasit, ndërsa 3 minuta më pas “mjellmat” gjetën epërsinë me anë të Fer.

Artikulli paraprakDëmtimi serioz, shtyhet rikthimi i Reus në fushë
Artikulli tjetërInteri fiton në limit