Çfarë do të ndodhë me programin Daka?

Është ende e paqartë në se Kongresi do të jetë në gjendje të miratojë një ligj për një temë të mprehtë sikurse emigracioni, që u bë shkas për mbylljen e qeverisë të shtunën.
Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat tha këtë javë se ai synonte që Senati të përgatiste legjislacionin e duhur për të zgjidhur situatën e vështirë të imigrantëve pa dokumente që janë sjellë në moshë të mitur në Amerikë si dhe çështje të tjera deri më 8 shkurt, kohë kur përfundon sërisht buxheti për qeverinë.
Ky premtim bindi më shumë se 30 senatorë demokratë për t’u bashkuar me republikanët në votimin që i dha fund mbylljes së pjesshme tre-ditore të qeverisë federale.
Shumica republikane ka tashmë 16 ditë kohë të punojë me demokratët për përgatitjen e një projektligji që ka mbështetjen 60 senatorëve, në Senatin prej 100 vendesh.
Presidenti Trump shkroi në Twitter se “askush nuk e di me siguri nëse republikanët dhe demokratët do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje lidhur deri më 8 shkurt, por të gjithë do të përpiqen”.
Ligjvënësit i thanë “Zërit të Amerikës” se janë të vetëdijshëm se mungesa e përparimit lidhur me çështjen e imigracionin mund të shkaktojë një tjetër mbyllje të qeverisë muajin e ardhshëm.

 

Artikulli paraprakSanksione të reja Koresë së Veriut
Artikulli tjetërMaqedonia heq dorë nga “Aleksandri i Madh”