Çfarë po ndodh në burgje? Grevë urie, kaos dhe tension në Peqin, Lezhë dhe Shkodër

Zbatimi i masave “covid” në burgjet e vendit ka ngjallur pakënaqësi të forta tek të burgosurit dhe të paraburgosurit. Pengimi i futjes së bulmetit dhe produkteve të mishit nga familjarët, kufizimi i takimeve, si edhe pretendimet e të dënuarve për mohim të drejtash të ligjshme kanë kulmuar me nënshkrimin e një peticioni me 13 kërkesa, si edhe refuzimin e ushqimit të burgut nga më shumë se 200 prej tyre.

Burime jozyrtare bënë me dije se ushqimi është refuzuar nga të dënuar në burgun e Peqinit dhe atë të Shënkollit në Lezhë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për një reagim apo qëndrim institucional për situatën nuk dha përgjigje.

Firmëtari i parë i peticionit drejtuar Ministrit të Drejtësisë, Drejtorisë së Burgjeve, Prokurorit të Përgjithshëm dhe për dijeni gjithë krerëve të shtetit është Verdi Morava. Familjarë e tij i thanë mediave se menjëherë pas dërgimit të peticionit, institucioneve autoritetet e burgut e kanë mbyllur në izolim për 3 muaj, pa i dhënë asnjë shpjegim.

Në listën e kërkesave të të dënuarve është amnistia e përgjithshme, përcaktimi me vite i dënimit të përjetshëm me 20 vite, aplikimin e lirimit pas 3/5 të dënimit, reduktimin e kostove të telefonit, rregullimin me ligj të çmimeve në dyqanet brenda burgut, si edhe largimin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Burime jozyrtare kanë pohuar se të dënuarit e burgut të Peqinit dhe të Shënkollit nuk kanë pranuar të takojnë grupin e punës të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ata kanë marrë kontakt vetëm me përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, të cilët kanë bërë një inspektim gjatë ditëve të fundit./a2/

Artikulli paraprakRikthehen vizat! Berisha: Ndëshkimi i tmerrshëm i Edvin Drogës për shqiptarët!
Artikulli tjetërBE: Votimi i njëanshëm i Kodit nuk reflekton rekomandimet e OSBE-ODIHR për Reformën Zgjedhore