Çfarë kërkon Londra nga BE

Qeveria britanike kërkon me ngulm që njëkohësisht me negociatat për daljen nga Bashkimi Evropian të bisedohet dhe nënshkruhet një marrëveshje tjetër me BE-në për partneritet. Brukseli duhet të tregojë më shumë “fleksibilitet”, thuhet në një kumtesë të Ministrisë për Breksit.
Delegacioni britanik nën drejtimin e ministrit për Brexit, David Davis këtë të hënë do të shkojë në Bruksel për të vazhduar negociatat për dalje nga BE. Javën e kaluar Londra ka paraqitur një radhë të tërë dokumentesh për pozicionet e saj. Dokumentet dëshmojnë se Britania e Madhe po përpiqet që negociatat për dalje nga BE-ja t’i ndërlidhë me një marrëveshje tjetër për rregullimin e raporteve me BE, thuhet në kumtesë.
Komisioni i BE-së mendon ndryshe. Ai angazhohet për një proces shkallë-shkallë. Para bisedimeve për një marrëveshje tjetër me Londrën, ai do të shohë një përparim të nevojshëm në procesin për dalje nga BE. Këtu bëjnë pjesë bisedimet për obligimet financiare të Britanisë së Madhe ndaj BE-së, e ardhmja e kufirit të Irlandës me Irlandën e Veriut, si dhe të drejtat e rreth 3,2 milionë shtetasve të vendeve të BE-së që jetojnë në Britani të Madhe si dhe 1,2 milionë britanikëve që jetojnë në BE.
Autoritetet e BE nuk besojnë ndonjë përparim tepër të shpejtë në zgjidhjen e këtyre problemeve. Pas negociatave të fundit zyrtare në mes të qershorit, përfaqësuesi i BE në negociata Michel Barnier, tha se kolegu i tij britanik, David Davis dhe qeveria britanike duhet të saktësojnë se çfarë duan. Komisioni i BE-së ende nuk ka komentuar dokumentet e fundit të paraqitura nga Londra, ndonëse ka përshëndetur gatishmërinë për negociata konkrete.

Artikulli paraprakShëndetësia falas? Shqiptarët lanë 62 milionë euro në spitalet private në 2016-n
Artikulli tjetërUragani Harvey shkakton përmbytje “katastrofike” në Teksas