Çështja “Neymar”!

Paris Saint Germain vazhdon të insistojë për Neymar. Sipas prestigjiozes franceze “L’Equipe”, klubi parisien, pasi ka arritur marrëveshjen me vetë futbollistin brazilian, tani ka nisur kontaktet me Barcelonën, për të kryer transferimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit. Për të ulur disi kostot fiskale, drejtuesit e PSG kanë pranuar të derdhin plot 222 milionë euro që, është klauzola e largimit të lojtarit, direkt në arkat e blaugranave dhe jo në llogarinë e Neymar.
Barcelona ndërkohë mohon çdo tratativë me ekipin francez dhe sipas “Sport” nuk ka ndërmend as t’i nisë bisedimet, sepse nuk dëshiron të përforcojë një rival të drejtpërdrejtë në Europë, duke e konsideruar brazilianin thelbësor për projektin e bluagranave. Katalanasve nuk u ka pëlqyer sjellja e drejtuesve të Parisit për çështjen “Verratti” ndaj po mbajnë një qëndrim të ftohtë ndaj tyre sa i përket transferimit të mundshëm të Neymar në Francë.
PSG megjithatë nuk ka ndërmend të heqë dorë, madje ka vendosur t’ia paguajë të plotë klauzolën e largimit Barçës, pas marrëveshjes që ka arritur me vetë lojtarin, i cili do të përfitojë 30 milionë euro neto në sezon plus premio dhe bonuse të tjera nga kontratat komerciale që tashmë i ka të garantuara.
Filipe Kutinjo ishte një nga kërkesat e Neymarit për drejtuesit e PSG-së, por Barcelona u tregua më e zgjuar dhe në pak orë duket se arriti të ndryshonte fatin e njërit prej brazilianëve.
Pas kësaj tratative fshihet babai i Mesit, i cili po bën gjithçka për të transferuar Kutinjon në Spanjë dhe për të bindur Neymarin që të vazhdojë ende me katalanasit. Mesi gjithashtu do të ishte shumë i lumtur nëse “O Ney” do të ishte shoku i tij i repartit edhe për sezonet e ardhshme.
Asgjë e sigurt dhe shumë paqartësi për momentin, por gjithçka pritet të varet nga përgjigjja që Neymar do t’i japë PSG-së. Deri atëherë, merkato e emrave të mëdhenj në Europë duket e “ngrirë” sepse nëse ndodh një largim i tillë, atëherë do të ketë shumë lëvizje të mëdha dhe do të përfshihen skuadra si Juventusi, Napoli, Liverpuli dhe të tjera.
Neymar është ëndrra e madhe e kësaj merkatoje për PSG-në, por këta të fundit nuk kanë ndërmend ta presin për shumë kohë. Dje është mësuar se drejtuesit e ekipit francez i kanë vënë kushte brazilianit që të kthejë përgjigje sa më shpejt për ofertën që i është bërë.
Ata do ta presin deri javën e ardhshme dhe nëse Neymar nuk do të vendosë, atëherë gjithçka mund të dështojë. Braziliani është në momentet e tij më të vështira dhe duhet të bëjë zgjedhjen e jetës. Luks, miliona euro dhe lider i një ekipi apo pjesë e Barcelonës?! Numërimi mbrapsht ka filluar, Neymar duhet të vendosë.

Artikulli paraprakAtletiko Madrid, Bare shkëlqen në miqësore
Artikulli tjetërNolito nga City kthehet tek Sevilla