Çensura e Ramës mbërrin në Parlament, si u tërhoq ai?

Hapja e seancës plenare ditën e sotme, u shoqërua me debate të forta lidhur me një bllokim që Televizioni Publik Shqiptar i bëri të gjitha televizioneve private në vend.
Me arsyetimin se këto televizione duhet të paguajnë për të marrë sinjal, TVSH-ja nuk lejoi shpërndarjen e pamjeve.
Menjëherë pas kësaj, kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho kërkoi ndërprerjen e seancës dhe rikthimin e sinjalit në çdo televizion.
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, tha se mediat ishin në sallë, duke iu referuar transmetimin në TVSH.
“Media është prezente nuk ndërpritet seanca”,tha Ruçi.
Ruçi tha se seanca duhet të vijonte normalisht, duke mos u shqetësuar për terrin informativ që për 60 minuta përfshiu të gjitha televizionet në vend.
PD dhe LSI braktisën për disa minuta sallën e Kuvendit, deri në normalizimin e situatës.
Ish-Kryeministri Sali Berisha foli për një atentat ndaj fjalës së lirë. Berisha tha se kjo është vepër e Ramës, pasi ky i fundit ka frikë nga qytetarët dhe gjykimi i tyre.
“Ndërprerja e sinjalit për mediat të cilat në vite kanë përcjellë ditë e natë punimet e Parlamentit, përbën një atentat prej xhelati, të Ramës së zi. Ky vendim është kryekëput vepër e Edi Ramës, i cili u del shqiptarëve nga mëngjesi në darkë. I bëj thirrje të mblidhet Kryesia e Parlamentit për këtë veprim të pashembullt. Akt prej xhelati për fjalën e lirë. Dhunim i madh për të drejtën e informacionit. Ato vendime që merr opozita i ka grupi parlamentar. Vetëm ai që ka frikë të tmerrshme nga 2.4 milionë vota kundër, që ndjen neveri për përçmimin qytetar, mund të bëjë këtë gjë”, tha Berisha.
Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili gjithashtu e quajti të papranueshëm faktin që publiku duhet të informohet vetëm nëpërmjet TVSH-së për zhvillimet në Kuvend.
“Mbyllja e fjalës së Parlamentit, mbyllja e fjalës së lirë. Po shkohet drejt asfiksimit të Parlamentit. Rama kërkon të mbajë nën kontroll mediat, duke shkëputur kontaktin e të zgjedhurve me popullin. Dhe i vetmi informim do jetë nga dritarja e zgjedhur nga Rama. Po kthehemi në vitet 1996-1997”, tha Vasili.
Gazetarja e “News 24”, raportoi se presioni i opozitës dhe disa telefonata të Kryeministrit Edi Rama bënë të mundur zgjidhjen e këtij incidenti.
Me rifillimin e seancës fjalën e mori Kryeministri Rama.
Rama tha se opozita u mbyt me një pikë ujë, dhe se askush nuk kishte për qëllim për të censuruar askënd.
Rama foli për krijimin e një televizioni të ri, ekskluziv për punimet e Kuvendit.
Rama tha se nuk është e nevojshme që në Kuvend të qëndrojnë stafe mediatike aq të zgjeruara, pasi një regji qendrore është e mjaftueshme.
“Sapo u mbyt opozita me një pikë ujë. Është koha që mënyra sesi funksionon shërbimi i Parlamentit për dhënien e hapësirës televizive për punimet e tij, të ndryshojë. Deri më sot jemi në kushtet e një shërbimi komunist në kushtet e demokracisë. TVSH nuk mund të ketë asnjë ekskluzivitet për transmetimet e punimeve. Si çdo vend i botës, Kuvendi duhet të ketë televizionin e vet, ky shërbim jepet nga Kuvendi. Është koha të bëhet dhe kjo në Shqipëri. Nuk ka pse të ketë 25 kamera, mjafton një regji televizive e Kuvendit. Ligji që i imponon TV publik dhënien falas të sinjalit është adaptim në kushtet e demokracisë i një situate komuniste, këtu nis e mbaron gjithçka dhe kërkesa e TV publik për tua shitur apo për t’iu imponuar TV private një faturë, dhënien e sinjalit me logon e TVSH është diçka që i takon të shkuarës, sepse asnjë TV qoftë publik e privat nuk mund të ketë këtë ekskluzivitet”, tha Rama.
Kryeministri ironizoi akuzat për censurim dhe kontroll të informacionit në një dorë, kur tha se kushdo që ka dëshirë të dëgjojë ‘oratorët e opozitës’ do e ketë këtë mundësi sa herë të dëgjojë në televizionin që do krijohet.
Kjo ide për një televizion të dedikuar për Kuvendin, ishte një nga pikat e programit të qeverisë Rama 1, por që nuk u realizua.
Opozita ka folur sot për një përpjekje për të kontrolluar komunikimin e deputetëve me qytetarët, ndërsa Rama e ka mohuar një gjë të tillë.

Artikulli paraprakRama-Ruçi duan t’i heqin fjalën Berishës, ai siguron 110 minuta
Artikulli tjetër10-vjet pa klerikun, filozofin dhe shkrimtarin At Zef Pllumi