Çeçenët e zhdukur mund të jenë ekzekutuar

Gazeta ruse, “Novaya Gazeta”, ka publikuar disa informacione shtesë për 24 persona që supozohet të jenë ekzekutuar pa ndonjë gjykim, pasi ishin arrestuar pas përleshjeve me policinë në rajonin e Çeçenisë, gjatë vitit të kaluar.
Në këtë raport ka detaje, duke përfshirë edhe fotografi të 24 personave, duke u bazuar në materiale të siguruara nga strukturat policore në rajonin e Kaukazit Verior, i cili udhëhiqet për një dekadë nga Ramzan Kadyrov, që ka mbështetjen e Kremlinit.
Në raport përfshihen të dhëna për një 18-vjeçare, e cila ishte arrestuar në dhjetor dhe është raportuar të ketë vdekur në rrethana të paqarta.
Në këtë listë përfshihen 67 persona për të cilët gazeta raporton se janë zhdukur.
“Novaya Gazeta” raporton se telefonat mobilë të disa prej personave që supozohet të jenë ekzekutuar janë dërguar në Siri nga zyrtarët çeçenë, në mënyrë që të ketë të dhëna se ata janë gjallë dhe u janë bashkuar militantëve të Shtetit Islamik.
Në këtë raport supozohet se të afërmit e çeçenëve të zhdukur janë detyruar të nënshkruajnë me forcë dokumente, sipas të cilave individët janë larguar nga Çeçenia, duke hequr mundësinë për të paraqitur kërkesa tek autoritetet e këtij vendi.
Kjo gazetë më parë ka raportuar edhe për një kampanjë të dhunshme, e cila kishte cak homoseksualët në këtë rajon.
Kadyrov dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Çeçeni i kanë konsideruar këto raportime si “gënjeshtra”.

Artikulli paraprakMemoriali i parë i luftës në Belgjikë
Artikulli tjetërVotimet fiktive në Venezuelë dhe kundërshtimet e opozitës