CDU/CSU: Largoni kriminelët nga qeveria dhe Parlamenti

Pasi Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian mbështeti rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, reagoi edhe grupi parlamentar më i madh në Gjermani, CDU/CSU.
Në deklaratën e tyre thuhet se përpara se Parlamenti gjerman të marrë një vendim, CDU/CSU ka përcaktuar një listë prioritetesh me pritshmëri të qarta.
“Kërkesa kryesore është zbatimi i plotë i reformës në drejtësi, të miratuar tashmë. Vetëm kështu mund të sigurohet që gjykatat dhe njerëzit e drejtësisë kanë integritet. Është e domosdoshme që 800 gjyqtarë dhe prokurorë t’i nënshtrohen procedurës së verifikimit. Nëse ata janë të korruptuar ose të njëanshëm, nuk mund të marrin miratimin”.
“Shqetësim përbën për grupin parlamentar CDU/CSU edhe përparimi i ngadalshëm i drejtësisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Nuk duhet në asnjë rast që politika shqiptare të jetë e përfshirë në ekonominë e zezë ose ta mbulojë atë. Përpara se BE të nisë negociatat me Shqipërinë, prodhimi dhe trafiku i drogës duhet të frenohet në mënyrë dramatike. Për të përmirësuar sundimin e ligjit është i nevojshëm edhe funksionimi i mirë i Parlamentit, qeverisë dhe administratës publike. Gjyqësori nuk duhet të jetë objekt i ndonjë kontrolli politik. Në Parlament dhe qeveri nuk duhet të ketë zyrtarë që janë dënuar apo për të cilët kërkohet arrestimi. Një tjetër pikë në listën e prioriteteve është edhe reforma zgjedhore dhe ajo e administratës publike, zbatimi i të drejtave të pronësisë dhe respektimi i të drejtave të njeriut”.
“Në rrugën drejt Bashkimit Europian, Shqipëria nuk duhet të favorizohet. Para se Bundestagu të bjerë dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit, duhet të plotësohet një numër kushtesh. Në përmbushjen e kritereve, Shqipëria mundet në çdo kohë që të llogarisë mbështetjen e Gjermanisë dhe të grupit parlamentar të CDU”.

Artikulli paraprakRama takim me Putin? Dokumenti sekret i NATO-s
Artikulli tjetërBE nuk hap Negociatat me Ramën, të fala Visit!