CDU: PD, alternativa që i duhet Shqipërisë

Deputetët gjermanë do të mbështesin Partinë Demokratike si alternativë që i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve për të sotmen dhe të nesërmen e saj europiane. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim deputetët e Parlamentit gjerman, përfaqësues të partisë së kancelares Angela Merkel, Peter Weiss, Andreas Lämmel, Peter Beyer. Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që CDU po i jep Partisë Demokratike në hartimin e programit elektoral dhe betejën e saj për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike dhe shtetin ligjor.
Një vend të veçantë në bisedën e Bashës me deputetët gjermanë zuri alternativa e Partisë Demokratike dhe standardet e demokracisë në funksionimin e saj. Hartimi i programit, theksoi Basha është paraprirë nga konsultimet intensive me qytetarë në të gjithë vendin, grupe interesi, me ekspertët më të mirë në fushën e ekonomisë dhe financave, si dhe me mbështetjen e ekspertëve të CDU dhe PPE.
Partia Demokratike ka shpallur alternativën e saj qeverisëse për një ekonomi që prodhon, punëson dhe pasuron shqiptarët. Në programin e Partisë Demokratike parashikohen taksat më të ulëta në rajon, përmirësimi i klimës së biznesit, investimet në infrastrukturë, mbështetja financiare për bujqësinë dhe në veçanti përmirësimi i klimës së biznesit, në mënyrë që vendi të bëhet tërheqës për investime të huaja që hapin vende pune.
Programi i Partisë Demokratike do t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, me qytetarët dhe grupet e interesit në mënyrë që produkti final të jetë një program i zbatueshëm që siguron zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët, dhe jo siç ka ndodhur me të ashtuquajturën “Rilindje” që erdhi me një program të mbushur me mashtrime dhe prodhoi një ekonomi në krizë të thellë dhe një shoqëri në depresion.
Një vëmendje e veçantë, theksoi Basha po i kushtohet hapjes dhe ripërtëritjes së Partisë Demokratike përmes proceseve demokratike dhe pjesëmarrëse, të cilat përbëjnë një garanci se standardet demokratike që aplikohen brenda PD do të aplikohen nesër në qeverisjen e vendit. Basha theksoi se me parimin “një anëtar-një votë” janë zgjedhur të gjitha strukturat drejtuese. Po kështu, i njëjti standard është aplikuar edhe me zgjedhjet e drejtuesve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Basha ka theksuar se një model i ri, jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan e më gjerë do të aplikohet për zgjedhjen e kandidatëve të rinj për deputet, duke nënvizuar vendimin e tij për t’i propozuar Këshillit Kombëtar që 35% e kandidatëve për deputetë të jenë të rinj.
Basha ka marrë vlerësimet dhe mbështetjen e deputetëve gjermanë të CDU për lidershipin e demonstruar në këtë standard të ri për demokracinë në Shqipëri, si dhe për betejën për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Deputetët e Bundestagut kanë vlerësuar vizionin e zotit Basha dhe alternativën e tij për zhvillim ekonomik dhe punësim. CDU dhe grupi parlamentar i CDU/CSU, theksuan deputetët gjermanë do të mbështesin Partinë Demokratike si alternativë që i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve për të sotmen dhe të nesërmen e saj europiane.

Artikulli paraprakFleckenstein: Marrëveshje me opozitën për Reformën në Drejtësi
Artikulli tjetërTahiri sulmon gazetarin: Nuk më plas fare kush je ti