“Casablanca”: Filmi që i parapriu realitetit

Jo të gjitha festat e Vitit të Ri janë njëlloj. Amerika jetonte nën frikën e një sulmi nga ana e nëndetëseve naziste dhe atë mbrëmje të vitit 1942 në Shtëpinë e Bardhë u shfaqën edhe Humphrey Bogart dhe Ingrid Bergman, me ngarkesën e tyre të pasionit të dhimbshëm. Sigurisht, jo personalisht: Presidenti Roosevelt kishte organizuar shfaqjen private e një filmi që qysh atëhere mund të shikohej vetëm në një kinema në New York City.
Ai film titullohej “Casablanca” dhe do të ndryshonte historinë, duke u bërë instrument i një strategjie në lëvizjen në të cilën lufta ishte në pragun e një kthese – që do të çojë në mundjen e Hitlerit – por edhe udhëkryq ngjarjesh në të cilën përzihen propaganda dhe industria e ëndërrës hollivudiane, fatet e të fuqishmëve dhe shpresat e kujt kërkoi që të arratisej nga nazi – fashizmi, ambiciet e producentëve kinematografikë vizionarë dhe punë të një grupi prej 7 skenaristësh që axhustonin vazhdimisht skriptin, duke ndjekur kronikën e luftës.
“Casablanca” nuk ka qenë kurrë vetëm një histori mallëngjyese dashurie midis titullarit të një kafene amerikane dhe një vajze të bukur norvegjeze me kërcënimin nazist në sfond. Por tani është gazetari gjerman Norbert F. Pötzl – me librin e tij të titulluar “Casablanca 1943”, i dalë në Gjermani – që na çon në mes të ndërthurjes të zhvilluar midis filmit – ikonë të Michael Curtiz dhe gjeopolitikës në kapërcyellin midis vitit 1942 dhe vitit 1943.
Dhe njeriu që qëndron në qendër të kësaj ndërthurjeje është pikërisht Franklin Delano Roosevelt: të projektojë në Shtëpinë e Bardhë dhe të çojë në kinematë e Amerikës trekëndëshin midis të trazuarit Rick, të apasionuarës Ilsa dhe shefit heroik partizan Victor Laszlo. Ishte gjithçka pjesë e një plani që do ta ketë kulmin e tij në samitin sekret që u mbajt pikërisht në Casablanca, pak ditë pas projektimit të filmit në Shtëpinë e Bardhë: që këtu që Roosevelt dhe Churchill vendosën sesi të ndryshojnë fatet e konfliktit dhe të mundin përbindëshin nazist.
Këtu u planifikua zbarkimi në Siçili, u hodhën bazat e D – Day në Normandi dhe këtu Roosevelt bëri deklaratën e famshme mbi “dorëzimin pa kushte” të Gjermanisë si rezultati i vetëm i mundshëm i luftës. Por që edhe këtu që u konfigurua, përballë një De Gaulle tejet nervoz, fytyra e pasluftës e Europës. Është “Casablanca” filli i kuq që mban në këmbë skemën e Roosevelt.
Gjithçka, rrëfen Pötzl, fillon me Warner Bros, që prej vitesh e mbështeste Presidentin në tentativën për ta bindur Amerikën lidhur me nevojën e hyrjes në luftë kundër Hitlerit, duke e ndryshuar gjendjen shpirtërore jondërhyrëse të vendit («Vë bast se po flejnë të gjithë tani në New York», i thotë Rick Blaine mitikut Sam, metaforë e një Amerikë të mbyllur në izolacionizëm). Ja ku vëllezërit Warner nisin të shfaqin në breshëri filma propagandistikë: “Confessions of a Nazi – Spy” (1939) dhe “Sergeant York” (1941), por do të jetë “Casablanca” ai që do të bëjë bum, pavarësisht se ndërkohë Amerika vërtet kishte hyrë në luftë.

Jo vetëm pse miliona u identifikuan me fatin e emigrantëve të filmit të arratisur nga tmerri hitlerian, por sepse filmi ishte përqafuar nga furia e ngjarjeve: Casablanca e vërtetë, deri më atëhere në duart e kolaboracionistëve të Vichy, ishte çliruar nga aleatët teksa filmi ishte në prodhim, aq sa ta shtyjë kompaninë Warner që t’ia shpejtojnë ndjeshëm daljen.
Por nuk është vetëm kjo. Pa numëruar hungarezin Curtis dhe vëllezërit Epstein, binjakët hebrenj amerikanë që firmosën me Howard Koch skriptin e filmit, thuajse gjitha trupa e Casablanca përbëhej nga emigrantë, përfshi Paul Henreid (Laszlo), Conrad Veidt (Majori Strasser), Peter Lorre (batakçiu Ugarte), anglezin Claude Rains (Kapiteni Renault), natyrisht suedezen Ingrid Bergman. Zgjedhje edhe kjo jo e rastësishme, thotë Pötzl, duke qenë se Roosevelt kishte një dobësi për princeshën norvegjeze Märtha, e cila ishte me origjinë suedeze.
Rasti më i bujshëm është ai i çiftit Marcel Dalio dhe Madeleine LeBeau, që interpretonin krupienë Emile dhe të saktën Yvonne: saktësisht si Rick dhe Ilse, u ishte dashur që ta linin Parisin me avancimin e gjermanëve, për të arritur pas shumë peripecishë në Lisbonë, nga arritën që të merrnin anijen për Amerikë, pikërisht si të mërguarit e shumë të filmit, të gjithë në pritje në Casablanca për të shkuar në Marsjelë, për të arritur më pas në kryeqytetin portugez, nga ku të merrnin një avion drejt New York.
Por është në skenën e mrekullueshme të Marsejezës që jeta e interpretuesve të tij bëhet e gjitha njësh me fatin e Casablanca. Aktori Dan Seymour tregon se, teksa xhirohej pjesa në të cilën klientët e Rick’ s Café këndojnë me zë të mallëngjyer himnin francez, pa se të gjithë kolegët e tij qanin me të vërtetë: «Papritmas kuptova se qenë të gjithë refugjatë».
(Roberto Brunelli për “La Repubblica”)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakRruga e Mëndafshit dhe gjeopolitika e shekullit të XXI-të
Artikulli tjetërKampionati Botëror mund të jetë “festivali i dhunës”