Bylykbashi-Vasili: Këshilli politik, opozita propozon të merret mendimi i OSBE/ODIHR për çështjen e koalicioneve, PS kundër

Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik e quajtën skandaloz faktin që mazhoranca nuk pranon t’i drejtohen ODIHR-it për çështjet e padakordësuara, ashtu siç thuhet në marrëveshjen mes tyre.

“Opozita bëri të qartë qëndrimin për ruajtjen e koalicioneve zgjedhore siç janë sot në Kodin Zgjedhor dhe për hapjen 100 përqind të listave në zgjedhjet e ardhshme. Opozita kërkon që të jenë zgjedhësit që të përcaktojnë kush do jenë kandidatët dhe partia e tyre.

Mazhoranca kërkon që të heqë mundësinë që të ketë lista 100 përqind të hapura dhe t’u heqë mundësinë zgjedhësve që të zgjedhin lirisht partinë politike që duan,” tha Oerd Bylykbashi i PD.

“Për çështje që nuk kemi dakordësi, kemi të drejtën t’i drejtohemi ODIHR. Kjo u refuzua nga përfaqësuesi i mazhorancës. Ne i japim kohën që të reflektojë dhe jemi gati që nesër të nënshkruhet kjo kërkesë e përbashkët,” tha Bylykbashi.

Kurse Petrit Vasili e quajti skandal që Shqipëria, e cila drejton OSBE/ODIHR, refuzon të marrë mendimin e tyre.

“Është vërtet skandaloze që një vend si Shqipëria, që ka marrë përsipër të drejtojë OSBE/ODIHR, bllokon çdo komunikim me OSBE/ODIHR.

Mazhoranca erdhi me qëllime shumë të përcaktuara. Në komision erdhi pa asnjë draft ligjor, ndonëse janë vetë ata që kanë propozuar këto ndryshime ligjore të njëanshme”, tha Vasili.

Artikulli paraprakRindërtimi i banesave të tërmetit/ Rama përze turqit për t’ia dhënë tenderin 20 miliardë lekë Gjicit
Artikulli tjetërE PaBesa Shahini shkatërroi arsimin/ Kreu i FRPD: Ja për çfarë do të mbahet mend…