Bylykbashi-Vasili: Këshilli politik, opozita propozon të merret mendimi i OSBE/ODIHR për çështjen e koalicioneve, PS kundër

Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik e quajtën skandaloz faktin që mazhoranca nuk pranon t’i drejtohen ODIHR-it për çështjet e padakordësuara, ashtu siç thuhet në marrëveshjen mes tyre.

“Opozita bëri të qartë qëndrimin për ruajtjen e koalicioneve zgjedhore siç janë sot në Kodin Zgjedhor dhe për hapjen 100 përqind të listave në zgjedhjet e ardhshme. Opozita kërkon që të jenë zgjedhësit që të përcaktojnë kush do jenë kandidatët dhe partia e tyre.

Mazhoranca kërkon që të heqë mundësinë që të ketë lista 100 përqind të hapura dhe t’u heqë mundësinë zgjedhësve që të zgjedhin lirisht partinë politike që duan,” tha Oerd Bylykbashi i PD.

“Për çështje që nuk kemi dakordësi, kemi të drejtën t’i drejtohemi ODIHR. Kjo u refuzua nga përfaqësuesi i mazhorancës. Ne i japim kohën që të reflektojë dhe jemi gati që nesër të nënshkruhet kjo kërkesë e përbashkët,” tha Bylykbashi.

Kurse Petrit Vasili e quajti skandal që Shqipëria, e cila drejton OSBE/ODIHR, refuzon të marrë mendimin e tyre.

“Është vërtet skandaloze që një vend si Shqipëria, që ka marrë përsipër të drejtojë OSBE/ODIHR, bllokon çdo komunikim me OSBE/ODIHR.

Mazhoranca erdhi me qëllime shumë të përcaktuara. Në komision erdhi pa asnjë draft ligjor, ndonëse janë vetë ata që kanë propozuar këto ndryshime ligjore të njëanshme”, tha Vasili.

Exit mobile version