Buxheti i vitit 2018 sjell shkrirjen në një të qeverisë me krimin

Endri HASA

Projektbuxheti i vitit 2018 dhe paketa fiskale që e shoqëron atë nuk prodhojnë asgjë të mirë për qytetarët. Ky buxhet është thjesht kapitulli i radhës i keqqeverisjes. Qeveria e sjell buxhetin në Kuvend për miratim një herë në vit, por nga ana tjetër as nuk i bie në mend që ta zbatojë po atë buxhet që sjell po vetë. Çdo buxhet i miratuar gjatë qeverisë Rama është rishikuar me Akte Normative me urgjencat e radhës, është rishikuar me Akte Normative sipas tekave të radhës të një grushti njerëzish. Ky buxhet nuk sjell asnjë lajm të mirë për shqiptarët, ky sjell lajme të mira vetëm për trafikantët e mëdhenj për të cilët qeveria ka bërë gati lavatriçen e madhe financiare.
Kjo është një pakete fiskale, e cila i rrit taksat dhe i komplikon jetën me procedura tatimore bizneseve të vogla, takson banesat e qytetarëve dhe rrit varfërinë. Do të na thotë ministri i Financave që TVSH se paguan biznesi, por konsumatori. Aq më keq akoma.
A e dini ju zoti ministër i Financave kush janë konsumatorët e bizneseve të vogla në Shqipëri?
A e dini ju se kujt po ja rrisni shpenzimet e mbijetesës?
Këto bizneset e vogla janë ata që mbajnë mbi supe mbijetesën e mijërave familjeve në Shqipëri duke i dhënë ushqime me lista. Shko njëherë dhe shihi si jetojnë qytetarët e Elbasanit, shko një herë dhe shih si është gjendja në zonat e thella të Librazhdit Prrenjasit.
Pyeti dhe kolegët e partisë tënde, sepse me siguri dhe ata i kanë parë se si i kanë listat e gjata me detyrime këto bizneset e mbijetesës, pyeti që të kuptosh që ato biznese nuk mund të jenë lopa e radhës që duhet mjelë nga shteti.
Buxheti i vitit 2018 sjell shkrirjen në një të qeverisë me krimin me qëllim pastrimin e parave të pista!
Çfarë mundohet të kamuflohet këtu është e qartë, paratë e pista, paratë e drogës, paratë e korrupsionit që kanë kaluar në duart e një grushti njerëzish do të pastrohen me koncesione dhe projekte qeveritare.
Do pastrohen me projektin 1 miliard euro.
Do pastrohen me hotele luksoze që të investohen me faturë e pa faturë dhe që nuk do të taksohen, sepse buxheti i shtetit do të mbushet nga taksat e shqiptarëve.
Do pastrohen dhe duke u shtuar me vjedhjen e fondeve publike me projektin e 14 shkollave të Tiranës që do i kushtojnë shqiptarëve 60 milionë euro, fond me të cilin do të ndërtoheshin normalisht 30 shkolla.
Flitet për uljen e tatim fitimit për kompanitë që prodhojnë Software, por dhe kjo është ende e paqartë se si do bëhet, sepse varet se si do t’i shkruajë qeveria VKM e zbatimit dhe me siguri do na dalë dhe ndonjë shpikje e radhës.
Sepse VKM bëhen më lehtë, pa zhurmë, pa rrëmujë, me mendime dhe pa mendime.
Siç po ndodh me VKM për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ku që në pikën 1 të saj thuhet.
Përfaqëson pronarin shtet dhe administron çdo sistem dhe infrastrukturë hardware dhe software në fushën TIK, për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.
Pra, AKSHI do të administrojë çdo sistem qeveritar në çdo nivel dhe kudo që ndodhet.
Po ta shtjelloj pak se çka qenë dhe çfarë është AKSHi për ata që nuk e dinë
AKSHI është një institucion koordinues, i cili bashkërendon punën e institucioneve për shërbimet elektonike dhe ofron shërbimet e përqendruara të Teknologjisë Informacionit për administratën publike.
Pra AKSHI aktualisht koordinon dhe kontrollon implementimin e sistemeve në institucionet publike dhe Administron vetëm ato sisteme teknologjike që janë të përbashkëta dhe nuk janë përgjegjësi specifike e ndonjë ministrie apo institucioni.
AKSHI është sot autoriteti mbikëqyrës i Bazave të të dhënave shtetërore, ku sipas ligjit përkatës janë të parashikuar rregullat e mbikëqyrjes dhe kundërvajtjet përkatëse.
Por çfarë po gatuan sot qeveria.
Akshi do bëhet vetë edhe Projektues edhe Administrues, edhe Prokurues edhe Kontrollues edhe Auditues i çdo sistemi të çdo niveli sigurie, publik apo sekret.
Unë jam i bindur që dhe vetë autorët e këtij vendimi nuk e kanë kuptuar se çfarë po bëjnë.
Politikbërja, administrimi, kontrolli dhe auditimi në fushën e IT nuk mund të jetë tagër i vetëm një institucioni, sepse çdo sektor ka specifikat e tij.
Zhvillimet e TIK në sektorë e ndryshëm, në dogana, tatime, transport, punët publike, ekonomi, financa, arsim, shëndetësi, polici, siguri kombëtare, kërkojnë ekspertizë specifike në sektorët përkatës dhe qasje sektoriale dhe nuk mund të realizohen nga dikush që thjesht mendon se i bën të gjitha.
Administrimi i të gjithë të dhënave shtetërore nga një institucion i vetëm, i cili është po vetë dhe kontrolluesi dhe audituesi i tyre, komprometon rëndë sigurinë e të dhënave dhe komprometon totalisht gjurmueshmërinë dhe ndarjen e përgjegjësisë në rast problemesh.
Cenon sigurinë e të dhënave të shqipetarëve dhe paraqet riskun e madh të kompromentimit të rregullave të sigurisë së sistemeve.
Duke përcaktuar një institucion të vetëm si në politikëbërjen e TIK ashtu edhe në prokurimet e përqendruara krijon premisat për t’i hapur rrugë praktikave monopoliste në fushën e TIK.
Nuk mund të administrohen nga një dorë dhe po njësoj si sistemet e Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kanë rëndësi të madhe për sigurinë kombëtare dhe trajtojnë informacione të rëndësishme dhe sistemet e tjera publike.
Nuk mund të varen dhe menaxhohen po nga i njëjti institucion edhe Thesari i Shtetit, por edhe të dhënat e Pastrimit të Parave edhe të dhënat e sistemit të menaxhimit të çështjeve të gjyqësorit, por edhe Byzylykët e famshëm për mbikëqyrjen e të dënuarve.
Mund t’ju listoj sisteme pafund.
Zotërinj ministra a keni kuptuar se ç’po bëni.
Çdo ndodhi kur të zhduken pronat nga regjistrat elektronikë, kush do ta ketë përgjegjësinë ministrja e Drejtësisë, drejtori i Hipotekave apo e ka ai ish-stafi tyre, i cili i kalon te AKSHI me një të rënë të lapsit.
Çdo të ndodhi po të fshihen gjobat nga Tatimet, apo të zhduken a shumëfishohen transaksionet e Thesarit të Shtetit, kush do ta marrë përgjegjësinë.
Përgjegjësia do ngelet jetime.
Do mblidhen njerëzit dhe sistemet të gjitha bashkë në një dorë dhe ju si ministra s’do merrni vesh as ça bëhet, sepse do i fusin një klasifikim shpejt e shpejt e do vazhdojnë me kontrata sekrete.
Këtu buxheti i IT ka ardhur i ndarë për çdo institucion, pavarësisht se do kalojë në një dorë, sepse juve zotërinj ministra që se keni kuptuar akoma, do ju vi vetëm fatura, që ta paguani, sepse në buxhet fondet figurojnë tek ju, siç tek ju do të raportohen nesër shkeljet dhe abuzimet me këto fonde.
Tashmë kontratat sekrete janë kthyer në modë dhe shumë shpejt do të shohim që dhe letra higjenike do të blihet me kontratë sekrete, që mos ta marrë vesh populli se sa letër po harxhohet.
Kjo ndodh, sepse ligjet janë bërë si letër higjienikë për këtë qeveri dhe për këtë kryeministër.
Ka një sërë institucionesh sistemet e tyre bazohen në ligje, të cilat nuk mund të anashkalohen shpejt e shpejt e vetëm me një VKM.
Një proces i tillë transformimi institucional minimalisht do të kërkonte ligj të pamatshëm dhe amendimin e të gjithë legjislacionit që preket nga këto ndryshime.
Stafi teknik në ministri, që sot gëzon statusin e nëpunësit civil do të trajtohen me Kod pune dhe do të jenë të kërcënuar çdo ditë me vendin e punës.
Kjo bëhet për qëllime të pastra klienteliste dhe korruptive. Që fillojnë të bëhen realitet koncesionet në fushën e IT si ai i TVSH që u bllokua për shkak të zërave kundër nëpër ministri.
Kryeministri e ka pasion të madh kontrollin mbi gjithçka dhe kërkon ta bëjë këtë përmes kontrollit të sistemeve elektronike, sepse ai e do kontrollin mbi gjithçka dhe e do të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë pa ju dashur të kalojë nëpërmjet ministrave.
Dhe meqë e ka kaq pasion edhe meqë nuk i duheni as ju, ashtu si po kërkon ta bëjë për IT, le t’i shkrijë të gjitha ministritë dhe le ta bëjë qeverinë vetëm me veten e tij se dhe noterët me kartonat jeshil i ka gati këtu për ta votuar.
Zotërinj ministra thirrini mendjes dhe ndërhyni sa s’është vonë, shkatërrimi i linjës së përgjegjësisë do t’ju bëjë përgjegjës juve të parët në çdo sektor ku jeni dhe s’do keni kujt t’i kërkoni llogari, sepse s’do jenë më vartësit tuaj.
Shumë shpejt do të vijë gjithashtu dita që do të ikin edhe specialistët e sistemeve kritike, sepse do gjenden në udhëkryq dhe do ikin të shpëtojnë.
Shumë shpejt do të shihni të shpërbëhen dhe ato gjëra që sot funksionojnë.
Ju ftoj të gjithëve që sot të bëni diçka të mirë, të jepni kontributin tuaj që ta ndalim sot këtë buxhet dhe të gjithë çudirat që vijnë bashkë me të në 2018.

Artikulli paraprak“Fozza Inda”: Kur kinezët bëhen padronët
Artikulli tjetër360 mijë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme