Buka jashtë standardit, mielli serb po nxjerr kompanitë shqiptare nga tregu

Alarmi që industria e blojës dha një vit më parë se importi i miellit serb nga Kosova po cenon rëndë sigurinë ushqimore dhe po dëmton në mënyrë të padrejtë bizneset e tyre duket se është bërë realitet, i konfirmuar tashmë nga sipërmarrësit e sektorit dhe shifrat zyrtare të bilanceve dhe doganave. Ambienti i vështirë i biznesit nga taksat dhe çmimi i lartë i energjisë ka marrë goditjen finale nga një marifet i importeve nga Kosova, ku mielli i biskotave pa proteinë po hyn si miell buke me çmim më të lirë. Prej këtij fenomeni, fabrikat më të mëdha të prodhimit të miellit në vend kanë pësuar rënie dyshifrore të xhirove në vitin 2016 dhe punojnë me gjysmën e kapacitetit të instaluar. Të dhënat e doganës për 2016-ën konfirmojnë një rënie të importeve të grurit (që përdoret si lëndë e parë nga industria vendase përpunuese) dhe rritje të importeve të miellit të gatshëm, teksa çmimi për kg i miellit që hyn në Shqipëri nga Serbia ka rënë ndjeshëm dhe është dukshëm më i ulët se ai që hyn nga shtetet e tjera si Greqia, apo Italia.
Administratorët e sipërmarrjeve përpunuese shqiptare lajmërojnë se situata është përkeqësuar edhe më tej në 2017-ën. Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Miellit raportoi se së paku 50 linja të përpunimit në vend kanë mbyllur aktivitetin gjatë dy viteve të fundit dhe situata po vështirësohet për operatorët e mëdhenj. Punësimi në sektor është reduktuar ndjeshëm, teksa i gjithë zinxhiri i lidhur me këtë industri është vënë në vështirësi për shlyerjen e kredive. Nga ana tjetër, konsumatorët janë tërësisht të ekspozuar nga mungesa e thellë e standardit. Mielli serb me standard proteine 9% nuk mund të bëhet bukë pa ndihmën e disa aditivëve që janë të rrezikshëm për shëndetin. Duke shpjeguar këtë situatë, Adi Haxhiymeri, kryetar i Shoqatës së Industrisë Përpunuese të Miellit, tha se nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn deri në fund të vitit për të ndaluar konkurrencën e pandershme, situata do të përkeqësohet dhe falimenti do të përfshijë edhe fabrikat e mëdha të blojës. Bloja, fabrika nën zotërimin e zotit Haxhiymeri vitin që shkoi pa rënie të xhiros vjetore me 61%.
Edhe operatori tjetër i madh i tregut, Miell Tirana, vitin e kaluar e mbylli bilancin me rënie të shitjeve 12%, teksa aktiviteti është përfshirë në një trend rënës së paku katër vitet e fundit. Administratori i Miell Tirana, Roland Hysi, tha se industria e blojës, si asnjëherë tjetër, është përfshirë nga një konkurrencë e pandershme e importeve që së pari janë një rrezik për konsumatorin. Zoti Hysi tha se aktiviteti i tij është vënë në vështirësi, duke lajmëruar se, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, ai mund ta zhvendosë aktivitetin në fushën e importit.
Në të njëjtën situatë është përfshirë edhe fabrika tjetër e përpunimit të miellit Atlas, e cila për të njëjtat arsye është futur në cikël rënës. Të ardhurat nga shitjet e Atlas pësuan rënie vjetore me 23% më 2016, sipas të dhënave nga bilanci të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Dimitrios Thomoglou, një nga aksionerët kryesorë të Atlas dhe njëkohësisht administrator i saj, pohoi pak kohë më parë se importet e miellit pa standard nga Kosova kanë bërë që fabrika e tij të punojë vetëm me 40% të kapacitetit.
Nga ana tjetër, qeveria është përfshirë në një proces të thellë ristrukturimi dhe mbrojtja e interesave të industrisë së blojës duket se nuk do të jetë prioriteti i parë. Më herët, Ministria e Bujqësisë dhe Dogana kanë refuzuar të japin të dhëna rreth mungesës së standardeve të miellit që vjen nga Serbia.

Fabrikat japin alarmin

Nëse nuk i jepet fund konkurrencës së pandershme të miellit nga Kosova, industrialistët shqiptarë do të zhvendosin aktivitetin nga bloja në sektorë të tjera. Fabrika “Bloja” pa përgjysmim të xhiros më 2016 dhe situata, sipas zotit Haxhiymeri, i cili e drejton atë, është përkeqësuar më tej gjatë këtij nga viti. Nga 3.7 miliardë që ishin shitjet e fabrikës së blojës në 2015, ato ranë në 1.4 miliardë lekë më 2016 dhe ky vit pritet të mbyllet edhe më keq. Haxhiymeri po mendon seriozisht që të zhvendoset në aktivitete të tjera, madje edhe jashtë vendit, për shkak se rentabiliteti në industrinë përpunuese ka rënë ndjeshëm. Fakti që ka rreth 200 të punësuar në fabrikë e ka bërë të ndjeshëm atë të vijojë aktivitetin edhe në kushte të vështira.
Shitjet kanë rënë me ritme dyshifrore edhe për fabrikën e Atlas. Nga 1.4 miliardë lekë që ishin shitjet më 2015 ato panë një rënie me 24% në vitin 2016, duke bërë që Atlas të mos xhironte më shumë se 1 miliard lekë. Zoti Thomoglu ka pohuar më parë se aktiviteti është tkurrur ndjeshëm për shkak të importeve më të lira në tregun vendas. Aksionerët e saj kanë investuar 21 milionë euro në teknologji bashkëkohore për të prodhuar rreth 300 tonë miell në ditë, por po shfrytëzohet vetëm një e treta e kapacitetit. Dimitrios Thomoglou, aktualisht administrator, por edhe një nga aksionerët kryesorë të fabrikës, tha se investimi jo vetëm që nuk justifikon vetveten, por ndërmarrja po subvencionohet nga fitimet e aktiviteteve të tjera. Fabrika tjetër e përpunimit, Miell Tirana, gjithashtu ka shënuar ulje të aktivitetit.
Në vitin 2016, xhiroja vjetore e saj ishte 1.8 miliardë lekë, me një rënie 12% në krahasim me 2015. Administratori i saj, Roland Hysi, konfirmoi se situata është rënduar dy vitet e fundit nga konkurrenca e miellit jo cilësor nga Serbia dhe Kosova. “Jam munduar t’i bëj ballë konkurrencës duke e mbajtur të lartë cilësinë. Por rënia e fuqisë blerëse dhe konsumit po çon trendin e blerjes drejt çmimeve më të lira pa marrë në konsideratë sigurinë ushqimore”, – tha Hysi. Ai lajmëroi se nëse situata nuk ndryshon do të marrë në konsideratë zhvendosjen e aktivitetit duke shkuar nga prodhimi në import.
Por teksa fabrikat e mëdha po e përballojnë situatën e rëndë për shkak të fuqisë financiare dhe tregut që zotërojnë, për operatorët e vegjël, ajo ka qenë edhe më e rëndë.
Pothuajse në të njëjtën situatë është e gjithë industria e blojës në vend ku shumë operatorë të vegjël kanë dalë nga tregu.

Mielli serb, si po e dominon tregun

Shoqata e industrialistëve të Blojës pohoi se mielli serb, sidomos në vitin 2017, po e ndan tregun përgjysmë me prodhimin shqiptar. “Nga të dhënat tona, importet e miellit nga Serbia, Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur në rreth 100 mijë tonë vitin e fundit, teksa konsumi i miellit në total është rreth 200 mijë tonë. Më parë, në fillim të viteve 2000, importet nga vendet e rajonit ishin në minorancë”, – tha Haxhiymeri. Sipas të dhënave nga Doganat në vitin 2016 mielli i importuar nga Serbia ishte 42 mijë tonë, ndërsa një pjesë tjetër e madhe hyn kontrabandë pretendojnë prodhuesit e miellit. Sipas te dhënave zyrtare nga doganat importet e miellit nga Serbia janë rritur me 43 për qind, në 2016-n. Ndërsa çmimi i importeve nga Serbia ka rënë ndjeshëm duke vënë në diskutim cilësinë e miellit që importohet nga ky vend. Sipas të dhënave të doganave një kilogram miell nga Serbia u importua me 25 cent të dollarit për tonë nga 35 cent për kilogram që ishte çmimi për kilogramë në vitin 2014, po nga ky shtet.
Çmimi për njësi është shumë më i lirë se mielli që importohet nga shtetet e tjera, psh nga Greqia dhe Italia, me rreth 42 cent për kg, sipas të dhënave të sasisë dhe çmimit nga Dogana.

Rritet importi i miellit, ulet ai i grurit

Sipas të dhënave nga doganat, importet e miellit në total, janë rritur në vitin 2016 me 29% në krahasim me vitin 2015. Ato arritën një vlerë tregu rreth 18 miliardë lekë. Gjysma e këtyre importeve u realizuan nga Serbia. Të dhënat tregojnë se importi i miellit është rritur në mënyrë të qëndrueshme tre vitet e fundit. 65% e importeve të miellit vijnë nga Serbia dhe Kosova dhe pjesa tjetër nga italia dhe Greqia.
Nga ana tjetër, importet e grurit kanë shënuar rënie për të njëjtin vit. Importet e grurit gjatë vitit 2016 ranë me 7% në 325 mijë tonë, teksa importuesit e grurit raportojnë se më 2017, rënia është edhe më e madhe. Në vitin 2016, Serbia ishte furnizuesi më i madh i tregut vendas me drithëra, nga i cili u importua 44% e totalit të importeve me 143 mijë tonë. Më 2015, ishte Rusia furnizuesi i parë që zinte rreth 60% të totalit, teksa shihet se janë ulur dukshëm importet nga italia.
Serbia dhe Rusia furnizojnë mbi 87% të tregut shqiptar me drithëra, me çmime dy herë më të lira se vendet e tjera partnere që kanë 13% të tregut. Një ton grurë nga Serbia kushton, sipas të dhënave nga INSTAT, 206 euro, ndërsa e njëjta sasi nga Rusia është 188 euro. Shihet se po një ton grurë nga italia kushtoi 666 euro dhe nga Spanja 756 euro mesatarisht për 2016. Importet nga këto dy vende nuk zënë as 2% të totalit. Gruri spanjoll dhe ai italian nuk përdoret për bukë, por për pjesë të tjera të industrisë së brumërave që kërkojnë një kualitet më të lartë.
Grafiku i mëposhtëm tregon se në vitin 2016, kur u shfaq dhe shqetësimi i industrialistëve shqiptarë, ka një rritje të fortë të importeve të miellit në total, me 30%. Në të njëjtin vit, importet e grurit, që shërben si lëndë e parë për industrinë vendase ranë me rreth 13%.

Doganat po lejojnë importin e miellit pa standard, fabrikat po mbyllen

Fabrikat janë në kolaps prej katër vitesh. Ky fenomen mori përmasa gjigante me rritjen e eksportit të miellit nga Serbia me 5 herë. Ne nuk jemi kundër importit nga Serbia, por kërkojmë dy kushte. Të importohet miell për bukë vetëm me proteinë 12. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se, “ligjërimi” i importeve të miellit serb nga Kosova pa standard ka tkurrur në mënyrë drastike aktivitetin e fabrikave të blojës në Shqipëri. Ai tha se, për shkak të kësaj situate, 50 linja të përpunimit të miellit kanë mbyllur aktivitetin dhe janë 30% e punonjësve janë larguar nga puna. Haxhiymeri thotë se importi i miellit pas standarde po bëhet me dijeninë e doganave. Ai zbardhi skemën dhe dha disa rekomandime se si mund të përmirësohet situata. “Standardi 12.5 i proteinave në miell është treguesi kryesor për cilësinë e grurit nga i cili varet edhe çmimi i tij, sikurse klasifikohet nafta nga oktavët dhe ari nga karatët. Ky standard proteinash përcakton edhe çmimin. Kjo do të thotë se mielli me nivel më të ulët proteinash kushton më pak. Ky miell përdoret për biskotat, të cilat pavarësisht cilësisë së miellit, e realizojnë nevojën ushqimore me elemente të tjera. Një udhëzim i Ministrisë së Bujqësisë ka arritur të kamuflojë standardin, duke e lejuar importin e miellit me nivel të ulët proteinash për prodhimin e biskotave. Këtu lindi edhe abuzimi. Shteti shqiptar e licencoi një marrëveshje me tregtarët që sjellin miell nga Serbia, Mali i Zi dhe nga Kosova për futjen e këtij mielli, i cili në ambalazhin e tij shkruan miell për bukë. Asnjë ambalazh që hyn në Shqipëri nuk e ka të shkruar miell për biskota. Tregtarët, nga njëra anë, tregtojnë thjesht miell, dhe organet e shtetit si AKU e klasifikojnë për biskotë (cilësi e dobët). Këtu ne sfidojmë doganën shqiptare, pasi nga 70 mijë tonë miell që kanë hyrë vitin e kaluar me standard proteine 9, në asnjë nuk tregohet në ambalazh që është për biskota. Përveçse është dëmtuar shumë rëndë industria shqiptare e blojës, e cila sot është industria më avangardë në rajon, janë krijuar një sërë problemesh zinxhir. Industria ka investuar 150 milionë euro në fabrika nga të cilat 70 milionë euro janë kredi dhe disa sipërmarrës janë kthyer në kredimarrës të këqij”, shprehet Haxhiymeri.

 

Artikulli paraprakMë të varfërit në Europë çmimet më të larta për bukën e qumështin
Artikulli tjetërPSG, Hatem Ben Arfa pranë kalimit te Lille