Britania bllokon llogaritë bankare të medias shtetërore ruse “RT”

Britania ka bllokuar llogaritë bankare të rrjetit mediatik shtetëror rus “RT”, sipas një njoftimi të kryeredaktores Margarita Simonyan, dje nëpërmjet Twitter-it. Në mesazhin e saj nuk jepen arsyet, por theksohet se të gjitha llogaritë e rrjetit “RT” ishin bllokuar pa mundësi apelimi të këtij vendimi.
Agjencia “Reuters”, duke iu referuar një letre të bankës britanike NatWest, botuar në faqen e internetit të “RT”-së, citon bankën të ketë thënë se e ka marrë këtë vendim pas një “vlerësimi të kujdesshëm” dhe se ai është përfundimtar. Pritet që kjo të vështirësojë aktivitetin e stacionit “RT”, që shpesh fton në emisionet e tij bashkëbisedues që kritikojnë Perëndimin duke mbrojtur pikëpamjet e Kremlinit.
Marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Londrës janë acaruar për shkak të Sirisë dhe Ukrainës. Agjencia britanike që mbikëqyr transmetimet televizive “Ofcom” në të kaluarën e ka kritikuar “RT”-në, për transmetime të njëanshme dhe dezinformuese rreth zhvillimeve në Siri dhe Ukrainë, duke u shprehur se ato binin ndesh me kodin e gazetarisë në Britani.

Artikulli paraprakA duhet të ketë Europa ushtri?
Artikulli tjetërJulian Assange i ndërpritet interneti