Brenda karteleve meksikane të drogës

Akti i parë
Joaquin Guzman Loera, i quajtur “el Chapo”, luan shah në një tavolinë metalike. Askush nuk e di nëse djali i fshatarëve nga Badiraguato, Sinaloa, fshatar vetë ai përpara se të bëhej bosi më i fuqishëm i drogës në botë, është lojtar i zoti, por aftësia strategjike e demonstruar në tri dekadat e kaluara për t’ju shpëtuar forcave të rendit dhe krijuar një perandori gjiganteske të bëjnë të mendosh se po. Guzman bën lëvizjen e tij, sposton një ushtar të bardhë apo një të zi, por nuk pret që kundërshtari i tij të përgjigjet. Guzman është i mbyllur prej tri muajsh në një qeli izolimi 9 metra katrorë në burgun e sigurisë së lartë të Ciudad Juarez, afër me kufirin midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, qelia e pestë e tij pas shumë transferimesh dhe sidomos dy arratisjeve spektakolare që kanë rrezikuar të bien po aq qeveri në Mexicon City. Luan i vetëm. Informacioni sipas të cilit ish-kreu i krerëve luan shah vjen nga Eduardo Guerrero Duran, shefi i administratës meksikane të burgjeve. Midis aktiviteteve të tjera të Guzman janë leximi i “Don Kishotit” dhe i librave të vetëndihmës të autorëve amerikanë, 1 orë televizion në ditë, vizita dhe telefonata sporadike me të afërmit. Mesatarisht një herë në tri ditë kreut të madh i lejohet një orë pajdos, i rrethuar me roje që e survejojnë çdo sekondë. Në dy raste, ka thënë Guerrero për mediat, Guzman ka pranuar vizita “intime” me “konkubine”.
Nuk është jeta me të cilën kapoja ishte mësuar. Në burgun Puente Grande, gjatë viteve nëntëdhjetë, festat e tij me të burgosurit besnikë dhe gardianët e korruptuar qenë bërë legjendare. Guzman po bie në depresion, është dobësuar, nuk arrin të flejë dhe keqtrajtohet, thonë avokatët e tij. Deri i bien flokët nga stresi. Guerrero përgjigjet duke thënë se nga 65 ditë në Ciudad Juarez, narkotrafikanti është vizituar nga mjekë dhe infermierë plot 79 herë. I masin tensionin çdo ditë, është i shëndoshë. Por Guzman, është e lehtë të imagjinohet, nuk i hyjnë më në punë as konkubinat, as orët e televizionit. Në qoftë se bie në depresion dhe dobësohet, kjo ndodh se pse, i mbyllur në qelinë e tij tri metra me tri metra, po humbet radhët e perandorisë së tij dhe se tregtia e drogës po vazhdon pa të.

Akti i dytë
Një grup motoçikletash ecën nëpër shtigjet e maleve sinaloase, në verilindje të Meksikës. Ndiqen nga 2–3 kamionçina. Gjithsej 150 veta, të armatosur dhe me kapuçë në kokë. Ndalojnë në La Tuna, një fshat i mjerë i komunës së mjerë të Badiraguatos, në afërsitë e një vile të madhe me muret e lyera me të kuqe të zbehtë, një katedrale në mes të një prej rajoneve më të varfra të Meksikës. I afrohen me kujdes asaj. Presin linjat e telefonit e të internetit dhe më pas hyjnë me forcë. Brenda gjejnë Consuelo Guzman, nënën mbi 80-vjeçare të 11 fëmijëve, syze ovale, flokë të thinjura të mbledhura, “abuelita” e përkryer meksikane. Është nëna e Joaquin. Është mesi i qershorit dhe djali i saj është në burg prej pothuajse 7 muajsh, për herë të tretë. Pushteti i tij nuk është më ai i dikurshmi, por askush nuk mendonte se dikush do të kishte kaq shpejt kurajën që të vinte në shënjestër të afërmit e tij. Sidomos nënën e tij, sidomos në Badiraguato. Njerëzit paralajmërojnë fillimisht banorët e kasolleve përreth. Largohuni, “do të derdhet shumë gjak”, thonë ata sipas mediave lokale. Objektivi parësor i tyre duket se është një vilë tjetër, ajo e Aureliano Guzman Loera, vëllai i Chapo. Por e gjejnë bosh dhe drejtohen për nga shtëpia e zonjës Consuelo. Ndoshta e lidhin, e frikësojnë, por nuk e dëmtojnë. Kërkojnë që t’u jepen atyre kamionçinat e tjera për t’u larguar dhe ikin duke e lënë luginën të terrorizuar, vilën e kuqe të plaçkitur dhe 8 njerëz të vdekur. Në qendër të Triangolo Dorato, zonës ku kultivohen substancat më të paligjshme në të gjithë Meksikën dhe në të cilën kanë lindur të gjithë narkotrafikantët e mëdhenj të historisë së vendit, gjatë 20 viteve të fundit Badiraguato ka qenë një oaz në mes të shkatërrimit e dhunës dhe vila e kuqe e zonjës Consuelo një vend i shenjtë akoma edhe më i izoluar. Zona ishte nën mbrojtjen e Chapo, më i fuqishmi i të gjithëve, askush nuk mund t’i prekte një qime floku kujt banonte aty. Hyrja e komandos së armatosur e ka përdhosur vendin e shenjtë. Në ditët menjëherë pas sulmit, 250 familje janë larguar nga Badiraguato dhe zonja Consuelo në fund e ka braktisur shtëpinë e saj. Ka hipur në një avion privat, e shoqëruar nga njerëz të armatosur dhe nuk dihet më se ku është. Në fillim u mendua se komandoja sulmuese ishte nën urdhrat e Alfredo Beltran Guzman, lider i kartelit të klanit Beltran Leyva, një grup i tradhtuar nga Chapo 10 vite më parë dhe qysh atëherë i kanë deklaruar hakmarrje të përjetshme. Disa javë më pas kanë nisur të shfaqen hipoteza të reja. Si ajo që ka sulmuar feudin tashmë në rënie të Chapo ka qenë një fantazmë.

Akti i tretë, flashback – 9 gusht 2013
Një burrë del paksa i kërrusur nga dyert metalike të burgut të sigurisë së lartë Puente Grande. Është 60 vjeç dhe ndjen peshën e 28 viteve të fundit të kaluara në burg. Do të duhej ta kalonte të gjithë jetën aty, por 3 gjykatës të një gjykate të ulët në nivel shtetëror sapo i kanë bërë një dhuratë të papritur dhe ndoshta të pritur prej kohësh. Më 1985 drejtësia meksikane e kish dënuar Rafael Caro Quintero me 199 vite burg për krimet e kryera, më pas të bëra 40, por më 2013 të 3 gjykatësit vendosin se kishte pasur një gabim procedural, procesi do të duhej të bëhej në një gjykatë tjetër dhe urdhërojnë lirimin e menjëhershëm të të dënuarit. Caro Quintero nuk ka arritur të kalojë mirë pragun e derës së Puente Grande që nga Mexico City dhe nga Washington-i mbërrijnë reagime shumë të ashpra: si mund të lihet i lirë një kriminel i tillë! Koha 5 ditë, një gjykatë meksikane ka nxjerrë tashmë një urdhër arresti të ri me urgjencë maksimale. Edhe amerikanët veprojnë njëlloj dhe Caro Quintero bëhet një most wanted nga të dyja anët e kufirit. Washington-i shpall një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për këdo që ndihmon në kapjen e tij, maksimumin e lejueshëm. Por Caro është zhdukur tashmë pasi ka dalë nga burgu dhe askush nuk ka mundur më të gjejë se ku ndodhet, si një fantazmë.
Në fushën e tij, Rafael Caro Quintero ka qenë një pionier. Pionier në trafikun e drogës, me specializimin e shpërndarjes së kokainës dhe marijuanës. Edhe ai bir i Badiraguato, por me prejardhje nga lokaliteti La Noria, jo nga La Tuna si Joaquin Guzman, më 1980 Caro Quintero themeloi bashkë me Miguel Angel Feliz Gallardo, i quajtur “Padrino” (Caro Quintero quhej “El narco de narcos”: ishte një kohë në cilën nofkat mund të ishin akoma të forta; në të kundërt, Chapo në dialektin e Sinaloa do të thotë “xhuxh”) dhe me Ernesto Fonseca Carrillo të famshmin kartel të Guadalajara. Përpara grupeve të narkove që sot mbushin territorin meksikan nga veriu në jug, përpara grindjeve të brendshme dhe të përçarjeve, karteli i Guadalajara mbretëronte pothuajse i pakundërshtueshëm. Të tri burrat kanë qenë të parët që kanë investuar në shkallë të gjerë në tregtinë e kokainës dhe në bërjen partner me kartelet e fuqishme kolumbiane. Ndoshta asnjë gjeneratë kriminelësh nuk ka arritur të sigurojë aq shumë pushtet sa ai i Caro Quintero dhe në të njëjtën kohë, askush nuk ka rënë në mënyrë aq të zhurmshme. Kriminelët legjendarë të Guadalajara, ndoshta të mbërthyer nga deliri i plotfuqishmërisë, ndoshta pre të një gabimi të pafalshëm, më 1985 kidnapuan dhe vranë amerikanin Enrique Camarena Salazar, agjent i DEA-s, antidrogës amerikane, bashkë me pilotin meksikan, Alfredo Zavala Avelar, pas 3 ditësh tortura të tmerrshme. Sipas rrëfimit zyrtar, qe Caro Quintero ai që i dha goditjen vdekjeprurëse Camarena. Enrique, i mbiquajtur Kike, ishte agjenti i parë amerikan që është vrarë nga narkot meksikanë, por edhe i fundit.
Ajo që pasoi pas gjetjes së Camarena në një appartament të Guadalajara është ende një legjendë e zezë midis narkove dhe një mësim për t’u mësuar përmendësh për të rinjtë që nisin zanatin (midis këtyre atëherë ishte edhe Joaquin Guzman): çfarëdo që të ndodhë, nuk vritet një gringo. Hakmarrja e DEA-s e shkatërroi kartelin e Guadalajara brenda pak vitesh. Njëri pas tjetrit, narkot e mëdhenj u arrestuan ose u vranë: Caro Quintero u kap 2 muaj më pas, në një shtëpi në Costa Rica; “Padrino” Felix Gallardo është burgosur më 1989. Karteli i Guadalajara ka mbaruar me të.

Epilog
Ishte vështirë të imagjinohej se pas 28 vitesh burg, problemesh në prostat të filluara qysh në moshën 58-vjeçare dhe disa intervista në të cilat deklarohej në mënyrë ambige si i penduar për trafiqet e paligjshme, sot 63-vjeçari Rafael Caro Quintero mund të paraqesë një kërcënim prej të arratisuri. Fotografitë shumë të rralla të bëra në burg e tregojnë me sytë e shuar, shikimin përdhe, por në të vërtetë, kanë thënë disa ekspertë për revistën meksikane “Sin Embargo”, ka mundësi që Caro Quintero të paktën pjesërisht nuk ka reshtur asnjëherë së kuruari aktivitetet e tij kriminale edhe nga burgu. Edhe disa dokumente të DEA-s lënë të dyshohet se pushteti i tij nuk është zhdukur asnjëherë krejtësisht. Dokumente arkivorë të rikuperuara nga mediat meksikane tregojnë sesi narkotrafiku organizonte festa të shfrenuara në vitet e tij të para të burgut, me muzikë dhe muzikantë të thirrur nga jashtë, dhe nuk janë zhdukur asnjëherë dyshimet se 3 gjykatësit që e kanë lëshuar më 2013 kishin, si të thuash, interes për ta bërë një gjë të tillë.
Caro Quintero i janë dashur 3 vjet për të ridalë nga errësira në të cilën ishte futur. 3 vjet, mund të imagjinohet, gjatë të cilëve ka rilidhur rrjetin e kontakteve të tij, rivendosur raportet dhe sidomos ka asistuar në rënien e Joaquin Guzman, që në kohërat e lavdisë së kartelit të Guadalajara ishte pak më shumë se një stazhier në botën e narkove. Kur shefi i madh është kapur për herë të dytë në pak më shumë se 1 vit, pas një prej arrative spektakolare të tij, Caro ka parë një mundësi për të rifituar perandorinë e tij nga duart e lidhura të Guzman. Konfirmimi ka ardhur në fillim të korrikut nga Prokurori i Shtetit Chihuahua, një prej nyjeve themelore për trafikun e drogës dhe dominimin e pakundërshtueshëm të kartelit të Sinaloa, krijesa e Guzman. Prokurori Jorge Gonzalez ka thënë se, “në nivel kombëtar është marrë në konsideratë mundësia që një prej narkotrafikantëve më të famshëm të vendit, Rafael Caro Quintero, mund të jetë duke pushtuar Chihuahua dhe kemi informacione se ka ndërmend të vijë këtu… për t’i konkurruar kartelit të Sinaloa pjesë të aktivitetit kriminal që kryen këtu”.
Siç ndodh gjithmonë, informacionet e qeverisë meksikane vijnë të paktën pjesërisht nga agjencitë amerikane. Mike Vigil, ish-shef i operacioneve ndërkombëtare të DEA-s, ka thënë për “Associated Press” se, ushtria meksikane ka siguruar informacione sipas të cilave Caro Quintero duhet të ketë lidhur një aleancë me kartelin e klanit Beltran Leyva për të shtënë në dorë Ciudad Juarez, domethënë në shtetin Chihuahua, xhevahirin e kurorës së kufirit verior dhe deri pak vite më parë qyteti më i rrezikshëm në botë dhe se disa interceptime telefonike do ta konfirmonin.
Pikërisht në Ciudad Juarez, është shfaqur disa ditë më parë një “narcomanta”, një çarçaf me një mesazh mafioz i përdorur shpesh nga narkot për të bërë paralajmërime, në të cilin njoftohej “pastrimi” i kufirit dhe kërcënohej me vdekje prokurori Gonzalez. Ishte i firmosur nga Rafael Caro Quintero. Por përballja më e madhe do të ishte pikërisht sulmi ndaj vilës së kuqe në Badiraguato. Forcat meksikane të sigurisë janë të bindura tashmë se pas sulmit ndaj zonjës Consuelo Guzman, me anë të aleatëve të tij Beltran Leyva, është pikërisht Caro Quintero. Për narkot, kjo është një shpallje lufte. Ka tashmë disa sinjale se po përgatitet të fillojë një luftë e re e narkotrafikut. Në muajin maj, në Ciudad Juarez, vrasjet janë dyfishuar kundrejt vitit të kaluar dhe vetëm në 6 ditët e para të korrikut janë vrarë 16 persona.
Në ditët tona, Joaquin Guzman është i mbyllur në qeli duke i rënë flokët. Pyesni një meksikan nëse do të arratiset sërish, për herë të tretë dhe kësaj radhe do t’ju përgjigjet po me siguri granitike. Për këtë arsye qeveria e Mexico City shpreson që ta ekstradojë sa më shpejt të jetë e mundur në Amerikë, ku një narko i humbet të gjitha lidhjet e tij. Ndërkohë, një fantazmë e një epoke të kaluar është shfaqur për të reklamuar pjesën e tij të perandorisë. Askush nuk është i sigurtë se Caro Quintero i ka forcat për ta bërë vërtet. Në mediat meksikane, qarkullojnë deri zëra se në realitet të dy krerët janë bërë aleatë për të luftuar armiq të përbashkët. Ndoshta është wishful thinking. Lufta e fundit e narkotrafikut nuk ka përfunduar vërtet, fillimi i një tjetre do të ishte tragjedi.
(Nga Internazionale)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakNjë mik në nevojë
Artikulli tjetërSëmundja e Spanjës