Bregdeti i Durrësit “përmbytet” nga ujërat e zeza, ikin turistët

E ndërsa jemi në fillimin e sezonit turistik për 2017, një kanal që daton që në vitet ’60 është kthyer në problem serioz për pushuesit në Durrës. Kanali ndodhet vetëm pak metra nga Shtëpia Pushuese e Ushtarakëve në zonën e Plepave. Në fillimet e tij ishte paraparë si kanal ujëmbledhës i ujërave të tepërta dhe kullimit të tokave.
Por prej vitesh duket se e ka humbur këtë funksion, duke u kthyer në një ujëmbledhës të ujërave të zeza të disa fshatrave, derdhja e të cilave bëhet në det. Tani që zona i është nënshtruar një rehabilitimi të ujërave të zeza, për këtë kanal nuk ka asnjë shpresë.
Emisioni “Boom” në OraNews e ndoqi këtë çështje në rang institucional dhe duket se e vetmja mundësi është që Bashkia e Durrësit të ndërhyjë në kanalizimet e këtyre fshatrave që tashmë i janë bashkuar rishtaz kësaj bashkie me ndarjen e re territoriale.
Është kanali i ujërave të larta, nuk ka lidhje me Ujësjellësin. E ka Bordi i Kullimit. Është problematikë e vjetër. Ajo është siç janë kanalet e hapura të gjitha, kanalet e ujërave të larta, të dyta dhe të treta që thonë ujërat e shiut grumbullohen aty dhe shkojnë në det.
Mban erë të keqe, sepse janë të gjithë ato fshatrat Arapaj, Shkallnur, Xhafzotaj. Në lagjet andej nuk ka rrjet kanalizimesh fare dhe pjerrësia bën që të derdhen aty.
Gazetarja pyet se çfarë do bëhet apo nuk është e varur nga ju? “Nuk varet nga ne, projekti që është bërë nga Ujësjellësi dhe që financohet nga Banka Botërore nis nga përroi i Agait. Aty ku ndahet në kufi Shkëmbi i Kavajës me Golemin. Është bërë magjistrali kryesor, janë bërë dhe këto dytësore, tretësore që janë tani në përfundim dhe po lidhen me gjithë zonën e banuar majtas dhe djathtas rrugës dhe nuk ke çfarë bën, ashtu do të mbetet ai. Duhet të ketë një projekt të veçantë vetëm për atë që të futet dhe ai. Një investim tjetër që mund të bëhet për ish-komunat që janë bërë pjesë tani e Bashkisë së Durrësit. Këto normalisht janë kanale që mbledhin ujërat e shiut, por janë 3-4 fshatra që janë dhe në kodër dhe nuk kanë rrjet fare, i kanë kanalizimet e hapura dhe i derdhin në det”, thonë drejtuesit e Bordit të Kullimit në Durrës.
“Ishim sot përgjatë vijës bregdetare të paktën në pjesën e Durrësit deri tek Shkëmbi i Kavajës dhe na rezultoi një kanal i madh, dalja e të cilit është në det. Iu drejtuam Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës dhe na thanë që nuk është në kompetencat tona, por të Bordit të Kullimit”, u shpreh gazetarja. E njëjta situatë paraqitet edhe në një tjetër plazh të vijës së Adriatikut, në afërsi të Golemit. Fotot dëshmojnë më së miri se në çfarë gjendje ishte deri para pak ditësh.

Artikulli paraprakGreqi, shkatërrohet banda shqiptare e trafikut të drogës
Artikulli tjetërSkandal, anijet greke derdhin mbetjet në ujërat e Ksamilit