Bota reagon e tronditur pas sulmeve në Londër

Pas sulmeve terroriste në Londër, ku humbën jetë 4 vetë dhe atentatori, vijnë reagime të tronditura nga liderët botërorë. Ata shprehin solidaritetin dhe vendosmërinë në luftën kundër terrorit.
Britanisë së Madhe i ofrohet solidaritet nga e gjithë bota pas sulmeve në Londër. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer u shpreh se presidenti Donald Trump ka biseduar në telefon me Kryeministren britanike, Theresa May dhe se ai po e ndjek situatën në Londër. “Jemi me mendje tek viktimat dhe e dënojmë fuqishëm sulmin në Westminster. Londra dhe qeveria e Mbretërisë britanike kanë mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane për gjetjen e përgjegjësve dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë”, tha Spicer.
Kreu i Komisionit Europian, Jean Claude-Juncker u shpreh se, “ky është një sulm terrorist, e nëse jo, kjo nuk ndryshon asgjë për ata që janë viktima të tij. Jam me mendje tek ta, minutë pas minute, e kjo është një ditë e veçantë edhe në Bruksel, sepse saktësisht një vit më parë përjetuam sulme të tilla në Bruksel… nuk gjej dot fjalë për të shprehur hidhërimin që ndjej”.
Presidenti francez, Francois Hollande shprehu ngushëllimet dhe mbështetjen e Francës për këtë sulm terrorist. “Jam i sigurt, se nuk ka francezë që nuk është i prekur këtë ditë,… duhet të kuptojmë, se terrorizmi na prek të gjithëve, edhe Francën e cila është goditur së fundmi, ne e kuptojmë mirë se vuajtjen e njerëzve në Britaninë e Madhe”.

Sulm kundër zemrës së demokracisë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel reagoi e tronditur pas sulmeve të dyshuara terroriste në Londër dhe premtoi solidaritet në luftë kundër terrorit. “Edhe pse duhet zbardhur deri në fund sfondi i këtyre akteve, dua të përforcoj qëndrimin e Gjermanisë e qytetarëve të saj, se në luftën kundër çdo lloj forme të terrorizmit ne qëndrojmë fort e të bashkuar në krah të Britanisë së Madhe”, tha ajo. Merkel u shpreh se është me mendje tek miqtë britanikë në Londër dhe shpreh ngushëllimet e saj.
Edhe presidenti i ri gjerman, Frank Walter-Steinmeier, i cili të mërkurën bëri betimin si president u shpreh i prekur. “Lajmet për sulmin vrasës në Londër më kanë tronditur thellë. Jam me mendje tek viktimat dhe ata që kanë humbur të afërmit”, tha Steinmeier. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel e cilësoi sulmin në Londër si “sulm kundër zemrës së demokracisë”. Gabriel tha, se “nuk është mesa duket rastësi, që ky sulm u krye në afërsi të Parlamentit britanik”.
Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere u shprehu solidaritetin “miqve britanikë”. De Maiziere theksoi, se autoritetet e sigurisë janë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët britanikë. “Ende nuk është e qartë se cili ishte motivi i këtij akti brutal, por shumë gjëra flasin për një sfond terrorist”, tha ai.

Artikulli paraprakEvakuim masiv pas zjarrit në një depo municioni në Ukrainë
Artikulli tjetërISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Londër