Borxhi i jashtëm bruto rritet në 7.88 miliardë euro

Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë u rrit në 7,88 miliardë euro në tremujorin e dytë 2016 me një rritje prej 651 milionë eurosh ose 9 për qind në krahasim me një vit më parë. Rritja e borxhit të jashtëm bruto i dedikohet veçanërisht rritjes së huamarrjes nga jashtë nga ana e qeverisë qendrore, ndërkohë që detyrimet e bankës qendrore janë ulur ndërsa detyrimet e krijuara nga sektori privat si bankat dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë pësuar një rritje të vogël.
Të dhënat e përpiluara nga Banka e Shqipërisë dhe të publikuara si seri kohore me titull “Stoku i borxhit të jashtëm bruto” si përkufizim përfshin detyrimet kontraktuale të subjekteve rezidente në Shqipëri kundrejt subjekteve jorezidente. Seria kohore e Bankës së Shqipërisë fillon nga viti 2012 dhe përditësohet çdo tre muaj.
Qeveria udhëheq detyrimet e Shqipërisë gjatë botës, ndërsa borxhi i saj i jashtëm është rritur me shpejtësi përgjatë viteve të fundit bashkë me rritjen e përgjithshme të borxhit publik. Kështu, në fund të vitit 2012, stoku i borxhit të jashtëm të qeverisë qe 2.22 miliardë euro, ndërsa në vitin 2013 borxhi u rrit në 2.29 miliardë euro. Marrëveshjet e kredive të qeverisë aktuale me institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN sollën rritjen e shpejtë të borxhit të jashtëm gjatë tri viteve të fundit. Në fund të vitit 2014 borxhi i jashtëm i qeverisë u rrit në 2.65 miliardë euro, ndërsa në fund të vitit 2015 borxhi u rrit më tej në 3.29 miliardë euro. Vetëm gjatë 12 muajve deri në qershor 2016, stoku i borxhit të jashtëm bruto të qeverisë u rrit me 549 milionë euro ose 20 për qind.
Borxhi i jashtëm bruto ndahet në pesë nënkategori në raportin e Bankës së Shqipërisë: Borxhi i qeverisë së përgjithshme, borxhi i bankës qendrore, borxhi i bankave, borxhi i sektorëve të tjerë dhe borxhi i krijuar nga investimet e huaja të drejtpërdrejta. Ndryshimet në stokun e borxhit te kategoritë e tjera qenë relativisht të vogla në krahasim me rritjen e shpejtë të borxhit të qeverisë qendrore. Kështu, detyrimet e korporatave depozituese nuk pësuan ndryshime gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa detyrimet e lidhura me investimet e huaja të drejtpërdrejta u rritën me 134 milionë euro në tremujorin e dytë të këtij viti në krahasim me një vit më parë.
Statistikat e borxhit të jashtëm bruto mbahen me synimin për të mbajtur nën kontroll rrezikun që vendi të përballet me tërheqje të papritur të këtyre detyrimeve dhe rrjedhimisht, me krizë të bilancit të pagesave, si dhe për të pasur mundësi që të matet produktiviteti i përdorimit të financimeve të huaja për të realizuar rritje ekonomike në Shqipëri.

“BIRN”

Artikulli paraprakAtalanta prezanton Berishën
Artikulli tjetërGjimshiti, lideri i ri i mbrojtjes së Avellinos