Atalanta prezanton Berishën

Etrit Berisha prezantohet te Atalanta. Me fanellën me numrin 1 në shpinë, gardiani shqiptar është edhe zyrtarisht pjesë e bergamaskëve, pas transferimit në formë huazimi nga Lazio gjatë merkatos së verës. Portieri u prezantua nga klubi zikaltër në praninë e drejtorit sportiv, Sartori, ndërsa përkrah tij ndodhej edhe Aleksandar Peshiç, sulmuesi serb i afruar nga francezët e Toulouse. Etrit Berisha u transferua te Atalanta në orët e fundit të merkatos, ndërsa ishte i grumbulluar me Kombëtaren për miqësoren me Marokun dhe sfidën kualifikuese të Botërorit 2018 ndaj Maqedonisë. Menjëherë pas angazhimeve ndërkombëtare, portieri iu bashkua skuadrës së drejtuar nga Gasperini, por në ndeshjen e parë me Atalantën në Serinë A, ku skuadra fitoi 2-1 përballë Torinos, ai qëndroi gjatë gjithë lojës në stol. Për momentin, stafi teknik duket se preferon portierin Sportiello si alternativë e parë, ndërsa megjithë konkurrencën, Berisha nuk trembet dhe këtë e tregoi gjatë prezantimit.
Etrit Berisha: E kisha të qartë se do të gjeja konkurrencë, por kjo ndodhte edhe te Lazio me Marchetti-n. Më pëlqen konkurrenca, sepse në këtë mënyrë mund të përmirësohesh. Nuk u mendova gjatë për të pranuar ofertën e Atalantës. Konko dhe Gjimshiti më folën mjaft mirë për klubin. Erdha këtu për të treguar vlerat e mia sa herë që të zbres në fushë. Te Lazio nuk isha i kënaqur nga qëndrimi në stol dhe erdha në Bergamo që të kem më tepër hapësira. Do të luaj shanset e mia dhe në fund do të jetë fusha ajo që vendos.
27-vjeçari kuqezi do të luajë për një vit i huazuar te Atalanta, me bergamaskët që kanë mundësinë të ushtrojnë opsionin e blerjes. Gjithçka do të varet edhe nga fati i Sportiellos, me 24-vjeçarin që gjatë kësaj vere u kërkua nga Interi, Fiorentina dhe Napoli.

Artikulli paraprakKosovë, inflacioni, u rrit me 0.2% në gusht
Artikulli tjetërBorxhi i jashtëm bruto rritet në 7.88 miliardë euro