Borxhet e qeverisë ndaj bizneseve 23 miliardë lekë

Me gjithë shtrëngimin e procedurave për pagesat buxhetore në favor të kontraktorëve për punime publike, qeveria shqiptare nuk i ka shpëtuar akumulimit të detyrimeve të prapambetura të krijuara rishtazi. Rritja e tyre do të kushtëzojë bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vijim, siç u deklarua dhe në konferencën e fundit për shtyp të Ministrisë së Financave dhe FMN-së.
Shuma e re e detyrimeve të pashlyera të qeverisë ndaj të tretëve ka arritur në 2.3 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen e Ministrisë së Financave.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën 908.8 milionë lekë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe aparati i MTI.
Aparati i MTI ka detyrime të krijuara rishtazi në vlerën 132.6 milionë lekë për rimbursimin e TVSH-së dhe taksës doganore për projektin “Rehabilitimi i kalatës së Portit të Vlorës”, në programin “Transporti detar”. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), detyrime të krijuara rishtaz në vlerën 605.6 milionë lekë për:
– Kontrata, studime, projektime dhe oponencë, në vlerën 38.9 milionë lekë, që kanë ardhur si pasojë e mosplanifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2016 nga ARRSH.
– Kontrata investimi (ndërtime, rikonstruksione) në vlerën 329.7 milionë lekë, janë kontrata shumëvjeçare dhe buxhet i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.
Sipas informacionit të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, konstatohet se detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar–30 prill 2016, lindin si pasojë e tavanit të ulët buxhetor të këtij viti, i cili nuk mund të përballojë kontratat shumëvjeçare të angazhuara më parë.
Ujësjellës-Kanalizime, detyrime të krijuara rishtaz në vlerën 140 milionë lekë, që ka të bëjë me pagesat të rimbursimit të TVSH-së për projektet me financim të huaj për rrjedhojë, detyrimi i akumuluar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës shkon në vlerën 1 682 milionë lekë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën 48.5 milionë lekë, nga të cilat 8.3 milionë lekë janë vendime gjyqësore dhe 40.2 milionë lekë janë detyrime për investime të kryera për Universitetin “Aleksandër Moisiu”.
Ministria e Drejtësisë ka krijuar detyrime në vlerën 112.8 milionë lekë, të ndara sipas institucioneve si më poshtë, ku kryeson Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me 93.7 milionë lekë që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Nga AKKP është ngritur problemi për pamjaftueshmëri fondesh, për të bërë të mundur financimin e këtyre detyrimeve brenda vitit buxhetor 2016.
Ministria e Shëndetësisë ka krijuar detyrimeve në vlerën 30.7 milionë lekë, që janë vendime gjyqësore në disa DSHP dhe spitale në rrethe.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, detyrimet e krijuara janë në vlerën 248.7 milionë lekë të lindura, si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë. Këto detyrime raportohen në vlerën rreth 2.6 milionë lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit dhe në vlerën rreth 246.1 milionë lekë në Aparatin e Ministrisë.
Ministria e Financave deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën 3.9 milionë lekë, kryesisht vendimet gjyqësore për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Buxhetit i mungojnë 9 miliardë lekë

Në muajin shtator, qeveria i pat shkurtuar parashikimet për të ardhurat me rreth 4 miliardë lekë. Sipas kësaj ecurie, buxheti i vitit 2016 do të mbyllet me një mosrealizim gati 9 miliardë lekë në krahasim me parashikimin fillestar. Sipas draftit të Ministrisë së Financave, të ardhurat tatimore në vitin 2016, pritet të realizohen në nivelin 98,7%. Nga 375,8 miliardë lekë të programuara, pritet të arkëtohen 370,7 miliardë lekë. Për vitin 2016, të ardhurat nga “Tatimet dhe Doganat”, priten të realizohen në masën 277.1 miliardë lekë nga 282.2 miliardë lekë të planifikuara ose 1.8% më pak se plani. Të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat (përfshirë kontributet), pritet të realizohen në masën 351.6 miliardë lekë nga 356.6 miliardë lekë të planifikuara, pra 1.4% më pak se plani. Të ardhurat nga Administrata Doganore pritet të realizohen në masën 150 miliardë lekë ose 3.3% më pak se plani, ndërsa të ardhurat nga Administrata Tatimore pritet të realizohen në masën 127 miliardë lekë ose 0.04% më pak se plani. Së bashku me kontributet, administrata tatimore pritet të realizojë në nivelin 100% të ardhurat e programuara. Pjesën kryesore në mosrealizimin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, pritet ta kenë të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, me realizim rreth 133 miliardë lekë, pra rreth 4.8 miliardë lekë ose 3.5% më pak se plani. Të ardhurat nga akciza dhe renta minerare pritet të mos realizohen në masën 3.4 miliardë lekë. Në analizën e kryer, lidhur me pritshmërinë e të ardhurave për vitin 2016, evidentohet se faktorët, të cilët kanë ndikuar në performancën e të ardhurave janë kryesisht faktorë të jashtëm. Ministria e Financave ka arsyetuar se çmimet e mallrave bazë në tregjet botërore kanë vijuar të mbeten të ulëta, ku ndër to, çmimi i naftës, sipas indeksit europian Brent, shënoi një rënie me 26% në terma vjetorë.

Artikulli paraprakLufta për Trepçën, EULEX-i në Kosovë mban anën e serbëve
Artikulli tjetërOKB: 46% e familjeve jetojnë me 500 lekë në ditë