Boris Johnson në luftë për mbijetesën e tij politike

Kryeministri britanik Boris Johnson po lufton për mbijetesën e tij politike pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Britanisë që të martën shpalli të paligjshëm vendimin për të pezulluar Parlamentin.

Si rezultat, ligjvënësit britanikë sot u rikthyen në Parlament, ndërsa po shtohen thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Boris Johnson. Vetë zoti Johnson u kthye në Londër të mërkuren, pas vizitës në Nju Jork dhe pritet të bëjë një deklaratë mbi zhvillimet e fundit në vend.

Britania pritet të shkëputet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, megjithëse siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell nga Londra, ky proces tani është bërë edhe më i paqartë.

“Një vendim mbi kufijtë e pushtetit qeveritar” ishin fjalët e 11 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ndërsa ata vendosën unanimisht dje kundër kryeministrit Boris Johnson në lidhje me pezullimin e sesionit të Parlamentit.

“Vendimi për të këshilluar madhërinë e saj (mbretëreshën) për të pezulluar punën e Parlamentit ishte i paligjshëm, sepse ai kishte efektin e stresimit ose pemgimit të Parlamentit për të kryer funksionet e tij kushtetuese pa arsyetim të justifikueshëm”, tha Brenda Hale, Kryetare e Gjykatës së Lartë në Britani.

Vendimi i Gjykatës së Lartë se Johnson veproi në mënyrë të paligjshme në këshillimin e mbretëreshës për të pezulluar Parlamentin muajin e kaluar është një tërmet politik që ka tronditur demokracinë britanike.

Në takimin me Presidentit amerikan Donald Trump në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën në Nju Jork, Johnson ishte këmbngulës.
“Ne e respektojmë gjyqësorin në vendin tonë. Ne e respektojmë gjykatën.

Unë nuk jam dakord me ato që ata thanë. Dhe sinqerisht, unë mendoj se duhet të vazhdojmë me Brexit-in.” “Rezultatet do të fillojnë të shihen në nëntor. Por më duket sikur ai po bën përparim të madh”, tha Presidenti Trump.

Ligjvënësit u kthyen në Parlament të mërkuren, ku shumë prej tyre hodhën kritika të ashpra në drejtim të qeverisë për vendimin e saj për të pezulluar paralmentin. “Ka disa sugjerime që Johnson duhet të japë dorëheqjen. Ai e ka gënjyer mbretëreshën dhe a mund të ketë ndonjë shkelje më të madhe të kryeministrit se kjo?

Unë nuk mendoj se ai do të japë dorëheqjen. Kështu që, unë mendoj se do të ketë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë dhe do të befasohesha nëse kjo nuk do të ndodhte në javët e ardhshme”, thotë David Henig nga Qendra Evropiane për Politikat Ekonomike Ndërkombëtare.

Një votim i tillë do çonte në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, një gjë që konservatorët e Kryeministrit Johnson e dëshirojnë, thonë analistët.

“Konservatorët janë në epërsi në sondazhe. Nëse ata bëjnë një fushatë të mirë, nuk ka arsye pse ata nuk mund të forcojnë pozicionin e tyre. Dhe potencialisht shumë prej deputetëve nga ana e tyre që kanë shkaktuar probleme në vitet e fundit nuk do të ishin më në Parlamentin e ri”, thotë David Henig nga Qendra Evropiane për Politikat Ekonomike Ndërkombëtare.

Beteja të mëtejshme gjyqësore mund të fillojnë në ditët e ardhshme. Kryeministri Johnson thotë se ai do të refuzojë thirrjet për t’i kërkuar BE-së shtyerjen e afatit të Brexit-it, pavarësisht se ligji e detyron atë ta bëjë këtë nëse nuk mund të arrihet një marrëveshje për shkëputje nga BE.

Nga çdo lëvizje mbrapa në procesin e Brexit-it konservatorët ka të ngjarë të humbin vota ndaj Partisë së Brexit-it që udhëhiqet nga Nigel Farage. I bllokuar në Parlament, i mposhtur në Gjykatën e Lartë, zoti Johnson përballet me luftën për të ardhmen e tij politike.

Artikulli paraprakIzrael, Presidenti mandaton Netanjahun të formojë qeverinë
Artikulli tjetërArabia Saudite, kundërpërgjigje ushtarake ndaj sulmit të Iranit