Bllokohet në Gjermani gjysëm ton drogë e futur nga Shqipëria

Policia gjermane njoftoi sekuestrimin e një sasie rekord droge që vinte nga Shqipëria. Bëhet fjalë për 550 kg marjuanë, që arrin një vlerë tregu prej 5 milionë eurosh. Sasia e konsiderueshme e drogës është kapur gjatë një operacioni të zhvilluar në qytetin gjerman të Erfurtit. Shefi i zyrës së anti-krimit Norbert Drude tha se, droga ishte fshehur në një kamion.
Mediat gjermane raportojnë se, kjo është sasia e dytë më e madhe e sekuestruar në vitet e fundit. Sipas mediave, nëse sasia e drogës do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 5 milionë eurove, ndërkohë droga ishte e një cilësie shumë të mirë. Mynihu ka qenë vetëm një qytet tranzit, pasi sipas doganierëve dhe policisë droga e madhe do të dërgohej në Hamburg.
Në pranga është vendosur shoferi 61-vjeçar i kamionit, ndërsa ende nuk ka të dhëna për persona të tjerë. Ndaj 61-vjeçarit serb rëndon akuza e importit të drogës në sasira të mëdha, akuza e cila e rrezikon atë deri në 2 vite burg. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, për të zbuluar të gjithë rrjetin të përfshirë në këtë trafik droge.
Gjermania është një vend tranzit, por edhe destinacion i lëndëve narkotike. Zyrtarë të policisë gjermane thanw se, në dy vitet e fundit, 2015 dhe 2016 sasia e drogës sw konfiksuar është rreth 6 ton. Ndërsa pritet të ketë një rritje në 2017.
Një tjetër operacion antidrogë është zhvilluar ditën e djeshme në Zvicër. Mediat lokale informojnë se policia zvicerane e kantonit të Glaronas ka ekzekutuar një mega operacion që ka çuar në shkatërrimin e një bande shqiptare në trafikun e drogës. Banda përbëhej nga 10 shqiptarë të moshës prej 19 deri në 51 vjeç e një 55-vjeçar zviceran. 7 prej tyre janë arrestuar e 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ky mega operacion, hetimet e të cilit kanë nisur në vitin 2016 ka çuar në sekuestrimin e 7 kg heroinë e 11 kg kokainë me vlerë tregu rreth 1 milion franga zvicerane. Gjatë operacionit janë sekuestruar dhe 19 mijë franga e rreth 1.7 kg substanca të përdorura për përgatitjen e drogës. Shqiptarët gjendeshin në Zvicër si turistë e si tregtarë automjetesh. Ndaj 3 prej tyre është lëshuar urdhëri i riatdhesimit drejt Shqipërisë, ndërsa 4 të tjerë ende të pa arrestuar janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Trafiku i drogës nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian është rritur gjatë viteve të fundit. Katër ditë më parë policia italiane sekuestroi 1.5 ton drogë të futur nga Shqipëria. Mediat e shtetit fqinj shkruanin se, Policia italiane në bashkëpunim me rojen bregdetare të Termolit në provincën e Kampobasos në rajonin e Molises kanë ekzekutuar gjatë mbrëmjes të së dielës operacionin detar antidrogë, i cili ka çuar në sekuestrimin e një gomone me rreth 1.5 tonë drogë të tipit marijuanë, e arrestimin e dy skafistëve shqiptarë në moshë mjaft të re. Roja bregdetare italiane nën drejtimin e komandantit të repartit të Termolit, kolonel Roberto Di Vito kanë identifikuar gomonen nën ujërat e komunës së Petacciatas, ndërsa po lundronte me shpejtësi të madhe. Menjëherë dy skafe të rojës bregdetare italiane janë vënë në ndjekje të gomones, duke bërë të mundur ndalimin e saj dhe arrestimin e dy skafistëve shqiptarë. Në bordin e gomones janë gjetur rreth 1 tonë e gjysmë marijuanë.

R.POLISI

Artikulli paraprakRaporti, tonelata droge nga Shqipëria në Itali me gomone e avionë
Artikulli tjetërNipat e Gramoz Ruçit bëjnë kontrabandë me celularët