Blegërin delja

Artan FUGA

Më thonë e më postojnë shkrime me burim një media në letër, ku si duket kanë vendosur të hidhen në fushatë shpifjesh ndaj meje.
Përshkallëzohet censura, përplasja, fushata e shpifjeve, që vazhdon prej kohësh dhe që pasohet me iso edhe në rrjete sociale ku komentues të paguar, anonimë, nuk ekonomizojnë forcat e tyre në zellin e vet idiot kundër meje.
Nuk i drejtohem firmës që vihet në shkrime, nuk merrem me të, është e detyruar, por i drejtohem porositësit.
Mos e humb kohën kot!
Nuk dëgjoj fare nga ai vesh unë.
Fushatat kundër meje nuk kanë asnjë efekt negativ as mbi mua psikologjikisht dhe as me ata qindra mijëra persona në të gjithë Shqipërinë që më ndjekin dhe më besojnë.
Më shumë më faktorizoni.
I vetmi dëm që më bëni është se nuk paguaj dot asnjë kafe, në asnjë vend të Shqipërisë dhe në Kosovë, duke e pirë atë i vetmuar dhe në meditim. Ma paguajnë me ngulm dashamirës dhe miq.
Ma bëni këtë nder. Mos më jepni atë përmasë që as nuk e dua dhe as nuk e kam.
Debati është mes kryeministrisë dhe çadrës të lirive politike përballë.
Mos i ndryshoni drejtim duke e kaluar atë mes jush si aparate propagandistiko-politike me prapavija të njohura hollësisht dhe fije për fije nga unë dhe meje.
Nuk është ky debati në Shqipëri!
Mos e zhvendosni axhendën e debatit dhe krizën diku gjetkë për ta harxhuar atje vëmendjen e opinionit publik.
Jeni gati të tregoni edhe se një elefant ka dalë nga kopshti zoologjik vetëm të tërhiqni gjetiu vëmendjen.
Nuk më tërhiqni dot në këtë kurth sepse këto taktika i shpjegoj për ditë në mësim brenda dhe jashtë Shqipërisë. Sigurisht për ata që janë diplomuar për komunikim masiv dhe gazetari, jo për të tjerët.
Nuk kam kohë dhe as dëshirë të merrem me ju dhe shpifjet tuaja!
Gënjejnë paturpësisht se unë statuset e mia i kam shkruajtur këto javë nga Parisi. Rrena. Si do të gënjeni ata qindra e qindra studentë që kanë bërë mësim me mua?
Po atë këngën: TRING zilja TRING zilja tingëllon, e këndon dot?
Mos doni ta mbyllni në izolim Shqipërinë???
Se unë paskam linçuar me kritika kundërshtarët e z. Lulzim Basha në Partinë Demokratike.
Gjejeni pra cilin, ku, për çfarë?
E vetmja që kam bërë është se nuk kam qenë dakord me disa që moskandidimin e disa deputetëve e quanin hall të madh, a thua se nga të gjitha anët duhet të kemi deputetë për jetë, herë në opozitë dhe herë në pushtet, pra herë me dorë në bakllava dhe herë në revani.
Deputet edhe opozitar edhe pasanik të privilegjuar prej këtij statusi nuk mund të ketë!
Unë i qëndroj asaj që Republika e re nuk duhet të lejojë askënd të ketë më shumë se dy mandate radhazi si deputet.
Bëni një referendum me shqiptarët dhe shikoni rezultatet!
Paskam edhe vilë me hapje panoramike!!! Ah ta kisha pasur!
Si do t’u dilni përpara komshinjve të mi të nderuar që do të qeshin me barkun me dorë nga shpifjet tuaja!
Çfarë gënjeshtre e ndyrë! Qesharake. Kazan gënjeshtrash e mori e Mira e mori! Nuk e fitoni dot bukën ndryshe!
Jetoj në apartament si shqiptar i mesëm.
Po gjetët se diku kam vilë, hajde e më thoni.
Asnjë përfitim nuk kam pasur nga asnjë pushtet. E ritheksoj se shteti më ka miliona lekë për të më kthyer si pasuri familjare. Miliona.
Me to mund të ndërtoj vila e kështjella sa të më dojë qejfi. Por kthejini paratë e grabitura, mos vidhni me tendera e mos u shisni për dy lekë!
Por, edhe po qe se do të kisha pasur vila si disa e disa, unë nuk luftoj për vete, as për ndonjë parti, por për qytetarin.
Vetë kam gjithçka duhet. Me bollëk.
Po qe se qytetari nuk është me dinjitet, por skllav, edhe unë jam keq!
Por, nuk kam ndërmend të zgjatem.
Ju lutem, më keni bërë të njohur, mos më bëni të famshëm, sepse dua të jetoj në modesti dhe në hije ku të bëj punët e mia.
Dhe për t’ju përshëndetur, po postoj këngën e bukur:
Blegërin delja, kënduar nga Vaçe Zela e madhe. Nuk mund ta bëj më mirë!

Artikulli paraprakPërqarja e ambasadorit për lirinë e medias
Artikulli tjetërFaqja e pare