Biznesi i vogël 3 kërkesa: Qeveria na ka dhënë lëmoshë, jo ndihmë. Situata është e rëndë

Prononcimi i kryetarit të Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Naste

Gjendja e biznesit të vogël dhe të mesëm që përbën 95 % të biznesit në Shqipëri nuk është aspak e mirë. Po kalon drejt një degradimi total. Qeveria ka miratuar vetëm 2 paketa, një me 260 mijë lekë, tjetra me 400 mijë lekë, por të dyja paketat nuk përfshijnë më shumë se gjysmën e atyre që duhet të kishin mbështetje.

Për ne si shoqatë, këto nuk janë paketa ndihme për biznesin, janë paketa ndihme sociale. Këto nuk janë as paketa lufte, sepse në luftë nuk paguan asnjë taksë, askush. Dhe konfirmojmë se vetëm 44 përqind biznesit i kanë marrë këto paketa. Qeveria nuk ka asnjë plan konkret, asnjë plan ekonomik afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë, të jemi realistë, këto paketa nuk po e ndihmojnë biznesin.

Ne nuk duam lëmoshë, ne duam atë që na takon. Ne duan të zbatohet kushtetuta, ku neni 167 thotë se “në rast fatkeqësie natyrore, shteti duhet të dëmshpërblejë qytetarin”. Bashkitë nuk kanë hequr asnjë taksë apo tarifë lokale. Ne po na faturohet energjia elektrike e 2019-ës, sikur të ishim në punë të plotë. Kjo është e jashtëligjshme. Po shprehim pakënaqësinë tonë, sepse nuk mund të kalohet kriza me 260 mijë lekë të vjetra apo 400 mijë lekë.

Këtu duhen hedhur lekë, duhen krijuar modele europiane apo të vendeve fqinje. Kryeministri duhet të marrë detyrimet mbi supet e veta, të nxjerrë ekonominë dhe biznesin nga kjo krizë. Janë 250-300 mijë të punësuar në biznesin e vogël. Çfarë do të bëjmë ne? Ne sot jemi këtu për t’i paraqitur gjendjen e rënduar kreut të opozitës, kur vetëm 45 përqind e bzinesit e ka marrë ndihmën. Ne kërkojmë:

1. Mbështetje financiare nga qeveria. Të hedhë para në ekonomi për të ndihmuar biznesin, pasi gjendja është shumë e rënduar. Ajo që kemi marrë është e papërfillshme, qesharake, e vonuar, tallëse. Siç e kemi marrë muajin e parë 260 mijë lekëshin, ne kemi paguar taksat dhe tarifat. Jemi me humbje të rënda.

2. Kërkojmë hapjen e plotë të ekonomisë, të paktën për biznesin e vogël me kushtet e duhura të sigurisë për shëndetin. Të jemi të lirë të punojmë. Ne jemi të regjistruar 107 mijë biznese të vogla, që varemi nga konsumi. Nëse qytetarët nuk janë të lirë të lëvizin, nuk ka biznes, nuk ka para. Nëse vazhdon kështu, do të thotë se qëllimi është të na nxjerrë ne nga paketa e ndihmës. Nëse vazhdon kështu, papaunësia do të jetë e paparë.

3. Kryeministri t’u kërkojë anëtarëve të partisë së tij, që drejtojnë pushtetin lokal, të përjashtojnë biznesin e vogël nga taksat dhe tarifat vendore përsa kohë zgjat pandemia.

Artikulli paraprak“Gabimi” fantastik i Bashës
Artikulli tjetërKur Ogerta vazhdon të gënjejë!