Biznesi i çimentos në mbijetesë, shitjet rënie deri në 50%

Prej të paktën pesë vitesh, tregu i çimentos ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Për operatorët, shitjet kanë rënë deri në 50% ndërsa “fryma” po mbahet nga eksporti. Investimet në infrastrukturë mbeten shpresa kryesore për t’iu rikthyer gjallërimit dhe për të eksportuar drejt tregjeve të mëdha. Koha kur fabrikat e çimentos në vend punonin me kapacitet të plotë duket sikur është e largët. Prodhimi realizohet në varësi të kërkesave dhe nga tregu i brendshëm ajo është e dobët. Shpesh është eksporti ai që i “shpëton” këto kompani në fund të ditës. Referuar të dhënave të tregut botëror për vitin 2015, konsumi për frymë në Shqipëri llogaritet mesatarisht në 600 kg. Kjo shifër ka ardhur në rritje, veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit, duke qenë se pati edhe një bum në sektorin e ndërtimeve, si në atë të banesave, ashtu edhe në vepra (rrugë dhe hidrocentrale). Megjithatë, shifrat që vetë operatorët e tregut japin nuk janë aspak pozitive. Prodhuesit kryesorë ndajnë të njëjtin opinion kur vjen puna te rënia e tregut. Sipas tyre, nga viti 2009, rënia llogaritet në rreth 50%. Këtë gjë e tregojnë edhe bilancet e kompanive, qoftë atyre prodhuese dhe importuese.
Edhe të dhënat e siguruara nga INSTAT për ecurinë në dhjetë vitet e fundit tregojnë luhatje të forta të tregut të çimentos si në vlerë, edhe në sasi. Eksporti ka njohur ritme të larta rritjeje veçanërisht në periudhën nga 2009 deri në vitin 2014, për të ardhur më pas në një trend rënës. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2014, tregu shënoi eksporte në vlerë rreth 8 miliardë lekë, shifra më e lartë e shënuar përgjatë dhjetë viteve të fundit. Ndërsa sa i përket importit, vlera më e lartë është regjistruar në vitin 2009, me rreth 9.4 miliardë lekë. Pas vitit 2014, tregu i çimentos si në import, ashtu edhe në eksport ka njohur vetëm trend rënës. Gjithsesi, këto lëvizje deri diku janë diktuar edhe nga luhatjet që ka pësuar çmimi i çimentos. Sot, në tregun vendas, çmimi llogaritet në rreth 8,200 lekë për ton.

Artikulli paraprakProkuroria: Dy krimet e Prengës që KQZ po i mbulon
Artikulli tjetërZv/shefi i komisariatit nr 4 me parcela droge në malësinë e Tiranës