Bizneset kanë humbur besimin tek ekonomia

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi nivelin 111.4 në tremujorin e dytë të vitit 2017, duke rënë me 9.7 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Niveli më i ulët i TNE-së pasqyroi rënien e treguesve të besimit në shërbime dhe në tregti, ndërkohë që besimi i bizneseve të ndërtimit, të industrisë, si dhe besimi i konsumatorëve rezultoi i përmirësuar. Me gjithë këtë zhvillim, niveli aktual i TNE-së në tremujorin në analizë vazhdon të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij dhe më lart nivelit të shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) vijoi të rritet me 4.5 pikë përqindje për të dytin tremujor radhazi. Rritja e TBI-së pasqyroi kryesisht dinamikën pozitive të balancës së kontratave porositëse (+10.1 pikë përqindje) dhe një masë më të vogël rritjen e dy komponentëve të tjerë formues të treguesit – balanca e prodhimit (+1.2 pikë përqindje) dhe e gjendjes së inventarëve (-2.1 pikë përqindje). Midis balancave të tjera të vrojtimit, gjendja financiare e bizneseve të sektorit rezultoi e përmirësuar. Një nivel më të lartë shënoi edhe balanca e pritjeve për ecurinë e prodhimit në tremujorin e ardhshëm, ndërkohë që pritjet për punësimin shënuan rënie të lehtë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.5 pikë përqindje kundrejt vlerës së tremujorit të mëparshëm, por niveli i saj, rreth 74.4%, mbetet 2.2 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj. Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) vazhdoi tendencën rritëse edhe në tremujorin e dytë (+1.7 pikë përqindje), duke e zhvendosur atë lehtësisht mbi mesataren historike të tij (+1.2 pikë përqindje). Të dyja balancat përbërëse të TBN-së, kontratat porositëse dhe aktiviteti ndërtues, rezultuan më të larta kundrejt tremujorit të mëparshëm, përkatësisht me 2.6 dhe 0.7 pikë përqindje. Vlerësimet e bizneseve në sektorin e ndërtimit për gjendjen financiare u përmirësuan në tremujorin në analizë. Rritje shënuan edhe balancat e punësimit dhe pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm. Gjithashtu, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim rezultoi 63.6%, rreth 1.9 pikë përqindje më lart se një tremujor më parë, por ende nën mesataren historike të saj (me -0.5 pikë përqindje). Pas rritjes për tre tremujorë radhazi, treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) rezultoi me rënie (- 18.0 pikë përqindje) në tremujorin e dytë të këtij viti. Megjithatë, niveli i TBSH-së qëndron mbi vlerën e shënuar një vit më parë (+17.1 pikë përqindje) dhe mbi mesataren historike (+9.5 pikë përqindje. Dinamika e TBSH-së i atribuohet rënies së balancave të tij formuese, kërkesës (-19.0 pikë përqindje) dhe ecurisë së biznesit (-17.4 pikë përqindje). Ndërkohë, edhe balancat e tjera që nuk përfshihen në ndërtimin e treguesit agregat, si ato të gjendjes financiare të bizneseve dhe të punësimit rezultuan më të ulëta në tremujorin në analizë. Pritjet e bizneseve për kërkesën në tremujorin e ardhshëm qëndruan në të njëjtin nivel me periudhën e mëparshme, ndërsa pritjet për punësimin shfaqën një përmirësim të lehtë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi rënie me 8.1 pikë përqindje në tremujorin e dytë, duke qëndruar rreth nivelit 71.7%. Kjo normë rezulton 4.8 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj. Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) ra me 3.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë. Megjithë dinamikën rënëse të treguesit, TBT-ja mbetet mbi mesataren historike (+1.0 pikë përqindje). Rënia e TBT-së pasqyroi nivelet më të ulëta të balancave që formojnë treguesin, ecuria e biznesit (-5.5 pikë përqindje) dhe pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm (-2.3 pikë përqindje). Edhe balanca e gjendjes financiare të bizneseve të sektorit shënoi rënie.

Artikulli paraprakBie ndjeshëm kredia për ekonominë më 2017-n
Artikulli tjetërKina i thotë jo mbetjeve të Europës, do vijnë në Shqipëri