Bizneset e huaja vetëm në call center

Ndonëse numri i ndërmarrjeve të huaja rezulton i rritur në 2015-ën, 73% e tyre ishin të vogla me 1-4 punonjës. Vërshojnë sipërmarrësit italianë (70% të ndërmarrjeve të reja të huaja), që hapin kryesisht aktivitet call center.
Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion nga INSTAT, në 2015 janë rritur ndjeshëm bizneset e huaja, duke arritur në 5939 në total.
Krahasuar me vitin 2014, numri i tyre është rritur me 16%. Ndërsa në harkun kohor të 5 viteve, rritja arrin 75%.
Ndërsa ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 3,9% të ndërmarrjeve aktive në 2015, që kryesohet nga nacionaliteti italian.
Sipas aktivitetit ekonomik, 30% e ndërmarrjeve të huaja janë të përqendruara në sektorin e tregtisë dhe 30% të tjera në sektorin e shërbimeve dhe 20% janë në sektorin e industrisë.
Të dhënat tregojnë, se edhe sipërmarrjet e huaja që janë hapur të reja në 2015-ën kanë qenë përgjithësisht të vogla, me 1-4 punonjës. Nga 694 sipërmarrje të reja me pronarë të huaj, që u hapën vitin e kaluar, 507 kishin më pak se 4 punonjës, apo 73%. Vetëm 43 sipërmarrje të reja të huaja që kanë mbi 50 punonjës janë hapur vitin e kaluar.
Sipas INSTAT, ndërmarrjet e reja të huaja kanë qenë kryesisht në fushën e tekstile e këpucëve dhe të call center.
70% e ndërmarrjeve të reja që janë hapur kanë qenë me pronarë italianë, që preferojnë kryesisht aktivitetin e call center, që është zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, teksa fqinjët shfrytëzojnë aftësitë e të rinjve shqiptarë për të folur gjuhën italiane dhe pagat e ulëta me të cilat punojnë ata (300-700 euro/muaj, ndërsa në Itali është minimumi dyfishi). Në total janë 486 ndërmarrje të reja italiane të hapura në Shqipëri në 2015-ën.
Në vend të dytë, sipas shtetit, vijnë ndërmarrjet me pronësi greke, që zënë 11% të totalit. Në Shqipëri rezulton se, numri i ndërmarrjeve me pronarë grek u rrit me 35, duke arritur në total në 675.
Në total, sipas INSTAT, Ndërmarrjet e mëdha me pronarë apo bashkëpronarë të huaj ushtrojnë aktivitetin ekonomik kryesisht në: Call Center, Prodhim Veshje e Këpucë dhe Aktivitetet Bankare.
Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës.
Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë italianë dhe grekë përfaqësojnë 57,7% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta.

Artikulli paraprakProblemet e OSHEE me kabinat shtojnë humbjet
Artikulli tjetërNervoziteti i FMN me qeverinë