Bien zgjedhjet, KQZ shkel sërish ligjin me afatet e ankimimit

Mazhoranca në KQZ bëri dhe një hap tjetër drejt shkatërrimit të zgjedhjeve, duke i hequr mundësinë subjekteve për të ankimuar në Kolegjin Zgjedhor pretendimin që ata kanë në lidhje me renditjen e tyre në fletën e votimit. Dje, KQZ me votim 4 me 3 mori vendim për renditjen e emrave në fletën e votimit. Por një ditë më parë ky institucion ka miratuar listat shumëemërore të partive politike të regjistruara deri më tani. Duhet theksuar se juridikisht këto zgjedhje janë të rrëzuara, pasi afati i regjistrimit të kandidatëve ka skaduar që më datë 28 prill. Por megjithatë ligji sanksionin se për çdo vendim të KQZ duhet pritur afati pesë ditor siç parashikon neni 152 i Kodit Zgjedhor, përpara se të marrë një vendim tjetër. KQZ dje ka hedhur shortin për renditjen në listë, duke e shkelur sërish Kodin Zgjedhor “Ankimi për të gjitha vendimet që KQZ-ja merr në periudhën, e cila fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme ose të përgjithshme deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, bëhet brenda 5 ditëve nga shpallja e tyre. Për vendimet që KQZ-ja merr jashtë kësaj periudhe, afati i ankimit në Kolegjin Zgjedhor është 30 ditë”, thuhet në Kodin Zgjedhor.

Kundërshtimet

Këtë veprim të KQZ e ka kundërshtuar dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Ivi kaso, i cili duke ju drejtuar kryetarit të KQZ, Denar Biba, i kujtoi atij afatet e ankimimit që përcakton Kodi Zgjedhor në lidhje me ankimimet, duke i kërkuar të respektojë ligjin e miratuar nga Komisioni Bipartizan në vitin 2012.  “Vendimet e KQZ ankimohen në Kolegjin Zgjedhor brenda pesë ditëve. Ju thoni, neve nuk e çajmë kokën për afatin pesë ditior që dhamë dje, sepse asnjë subjekt nuk legjitimohet. Por për afatet nuk po merakoseni fare. Përderisa veproni kështu, shpalleni rezultatin e zgjedhjeve që sot jeni që jeni. I kërkuam Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të respektonte ligjin, të respektonte atë çka ka qenë praktika e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që kjo lloj vendimmarrje që propozoni ju, që keni sjellë në tavolinë merret mbasi ka përfunduar afati dhe eventualisht në qoftë se ka pasur ankim, mbasi Kolegji Zgjedhor ka vendosur në mënyrë përfundimtare se cilat do të jenë subjektet që garojnë për një palë zgjedhje. Kjo vendimmarrje është e parakoshme dhe nuk mundet të shqyrtohet sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në dijeninë time ka subjektem të cilat janë duke ushtruar dhe do ta ushtrojnë të drejtën e tyre për ankim ndaj kësaj vendimmarrje të Kolegjit Zgjedhor. Për këtë arsye do t’iu kërkoja që këto vendime të merreshin në kohën e duhur”, tha Kaso. Në të njëjtën linjë duket se ishte dhe anëtari tjetër i KQZ, Hysen Osmanaj i cili i rekomandoi kryetarit të këtij institucioni që mos kthehej në kamikaz dhe t’i hedhë benzinë zjarrit në situatën aktuale “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk duhet të bëhet kamikaz, që të hedhim benzinë në zjarr, por duhet të zbatohen me përpikmëri të gjitha nenet e ligjit zgjedhor dhe t’i shërbejë situatës”, tha Osmanaj.

Afatet për listat e kandidatëve

Të dielën datë 7 maj, KQZ miratoi listat shumëemërore të pative politike që do të garojnë në zgjedhje. Në fakt këtë veprim duhet ta kish mbyllur që më datë 28 prill 2017, por me urdhër të Edi Ramës u shty me gati dhjetë ditë të tjera. Juridikisht është shkelur Kodi Zgjedhor, dhe shkelje e Kodit Zgjedhor do të thotë cenim të zgjedhjeve. Por me sa duket, kjo nuk përbën problem për mazhorancën, e cila duket e vendosur që t’i shkatërrojë me çdo kusht këto zgjedhje. Ditën e djeshme KQZ nuk dënjoi as të respektonte afatet e ankimimit pranë KQZ. Bashkë me listat shumërmërore subjektet satelite të Ramës dorëzuan dhe listat mbështetëse të zgjedhësve. Nga ana e tyre, tre antarë të KQZ, Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni dhe Klement Zguri kërkuan që të verifikohen kandidatët e paraqitur në listat shumëemërore që  nuk u pranua nga ana e katër anëtarëve socialistë të KQZ. Kjo bëri që tre anëtarët e opozitës të braktisin mbledhjen.

PD, kërkesë për listat mbështetëse për 6 parti

Partia  Demokratike do të kontrollojë gjashtë parti të regjistruara si subjekte zgjedhore, pasi ka dyshime se listat mbështetëse që ato kanë siguruar për t’u futur në garë janë manipuluar. Bëhet fjalë për mbledhjen e 5000 mijë firmave që duhet të sigurojë çdo parti që të jetë pjesë e procesit zgjedhor. Në sitën e PD–së do të kalojnë Partia Aleanca Demokratike, Aleanca Demokristiane, Aleanca Arbnore Kombëtare, FRD e Bamir Topit dhe Partia Komuniste. Ka dyshime të forta se, listat mbështetëse të siguruara për këtë proces janë manipuluar, pasi koha ka treguar se këto parti nuk kanë forcën elektorale dhe kapacitete për të plotësuar 5 mijë emrat që kërkon ligji, dhe shërbejnë vetëm si dekor i Edi Ramës.

Farsa e Kavajës që nxjerr zbuluar farsën tjetër të 18 qershorit

Farsa që kërkoi të injektonte në Kavajë, tregoi dhe skenarin që Edi Rama kërkon të implementojë më 18 qershor. Megjithëse ishte paralajmëruar se opozita nuk do të hynte në zgjedhje dhe mazhoranca që kontrollon në KQZ vazhduan t’i shkojnë mbrapa marrëzisë për zhvillimin e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e forcave opozitare. Bashkë me kandidatin e “pavarur” u emëruan dhe 85 komisionerë “të pavarur” nga “Shoqëria Civile”, të cilët u tërhoqën me urdhër të Edi Ramës. Tani lind pyetja nëse vërtet ishin të pavarur përse duhet të tërhiqeshin nga procesi? Por faktet janë krejt ndryshe. Për të plotësuar farsën e tij, Rama emëroi militantë të PS-së, në të gjitha komisionet e qendrave të votimit dhe KZAZ. Ashtu siç pritet të ndodhë dhe me zgjedhjet e përgjithshme, ose siç janë dhënë shenjat e para të plotësimit të 100 KZAZ ku të emëruarit në pjesën dërrmuese të tyre janë ish-komisionierë të PS-së, në zgjedhjet e kaluara që vijnë me vërtetime të shoqatave që kontrollon Rama.

Artikulli paraprakDështon edhe by passi i Vlorës dhe kontrata 42 milionë euro
Artikulli tjetër“New Europe”-Mogerinit: Hiqe Vlahutinin, rrezikon zgjedhjet