Betonizimi i frikshëm i Tiranës, 940 mijë metra katrorë leje ndërtimi në 1 vit

Nëse mashtrimi, malinjiteti dhe propaganda do të kërkonin një emër, ajo personifikohet vetëm në një person… Lali Eri i Bashkisë Tiranë, që mburret me mijëra pemë të mbjella, i ka zënë frymën qytetit me lejet e ndërtimit që ka dhënë, por që çmendurisht po jep për ditët në vijim. Shifrat zyrtare janë të frikshme.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT bëjnë të ditur se në vitin 2018, në vend janë dhënë gjithsej 1194 leje ndërtimi, me një rritje prej 46% në krahasim me një vit më parë. Numrin më të madh e zë Tirana, ku për vitin 2018 u dhanë 388 leje ndërtimi, nga 231 vitin e mëparshëm. Në numër mund të duket shifër e “moderuar”, por nga metrat katrorë që i janë shtuar Tiranës, të zihet fryma.
Për gjithë vitin janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%.
Ky personazh, mëshirim i propagandës, ka gjetur kohën me tollovi politike për ti bërë hatanë e pakthyeshme kryeqytetit. Pjesa më e madhe e lejeve të ndërtimit janë dhënë në tremujorin e fundit të vitit 2018. Kjo përkon me revoltën studentore, ndryshimet në qeveri, protestat e opozitës dhe denoncimet për aferat korruptive.
Duke shfrytëzuar këtë moment, Lali Eri betonizoi Tiranën me mijëra metra katrorë ndërtim. Kudo në çdo shesh publik apo privat, do të gjendet firma e kryebashkiakut që për një grup të vogël oligarkësh ka vendosur të bëjë të pabanueshëm qytetin e mbipopulluar.
Njeriu që mburret me “rekordet” e stisura nga zyra e tij propagandistike, këtë herë ka heshtur për katastrofën që i ka shkaktuar dhe po i shkakton Tiranës çdo ditë. Kulla të shumta, pallate banimi, qëndra biznesi, vila për të pasurit janë paja më e mirë për të si individ dhe një vdekje e ngadaltë për ambientin.
Të gjithë po merren me “ujkun” që është në krye të qeverisë, por “çakalli i vogël” bëri kërdinë në mjergullnajën e tre muajve të fundit të vitit të kaluar. Jo rastësisht ky bum lejesh ndërtimi vijnë në këtë periudhë, pasi përkojnë me nisjen e fushatës elektorale. Nevojiten para, sponsorë, kurim imazhi dhe pagesë reklamash për fushatë.
Me bumin e lejeve të ndërtimit, ky personazh që ka hyrë në histori si krijesë mediatike me mbështetje kryeministrore, e ktheu Tiranën në histeri nudërtimesh! Po na mbijnë kullat kudo. Lali ka lënë lopatën dhe kapur stilolapsin për të hedhur firmën e tij, që në këtë rast përkthehet në miliona metër kub beton.

“Boldnews.al”

Artikulli paraprakI Conservatori europei e i Riformatori: Rama deve lasciare il governo
Artikulli tjetërAgron Duka dhe Nard Ndoka firmosin djegien e mandatit të deputetit