Berluskoni, shpresa më e mirë e Italisë

Roberto D’Alimonte

Nëse liderët e partive më të mëdha italianë mund të besohen, mund të themi se kërkojnë të njëjtën gjë: zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur. Problemi është që vendi nuk ka një sistem zgjedhor funksional me të cilën të zhvillojë zgjedhje. Gjatë orëve që pasuan dështimin e referendumit kushtetues të kryeministrit në ikje, Matteo Renzi më 4 dhjetor, kundërshtarët e tij politikë u nxituan të kërkonin menjëherë rikthimin e italianëve tek kutitë e votimit. Anëtarët e Partisë Demokratike të Renzit – përfshirë edhe vetë Renzin – iu bashkuan menjëherë korit.
Megjithatë, do të duhet të kalojë pak kohë përpara se italianët të kenë mundësi të votojnë sërish. Italia është i vetmi vend i Bashkimit Europian që ka dy dhoma të barabarta të Parlamentit: Dhoma (Dhoma e Deputetëve) dhe Senati (Senati i Republikës). Çdo legjislacion, përfshirë edhe formimin e qeverisë, duhet të miratohet në të dyja dhomat.
Në vitin 2015, qeveria italiane rishqyrtoi ligjin që drejton Dhomën, duke prezantuar masa që iu propozuan Renzit: zgjedhje me dy raunde, me garantimin e 54 për qind të vendeve në Parlament për partinë që do të fitonte më shumë vota. Nëse referendumi i Renzit do të ishte votuar, do të kishte eliminuar Senatin, duke e kthyer atë në një trup këshillues me politikanë të emëruar nga këshillat rajonalë.
Këto masa – të ashtuquajtura Italicum – pretendonin ta lehtësonin qeverisjen e vendit, por me dështimin e referendumit do të kenë efektin e kundërt. Senati jo vetëm që ka mbijetuar, por të dy dhomat kanë sisteme zgjedhore radikalisht të ndryshme. Ndryshe nga Dhoma e Deputetëve pas Italicum, sistemi zgjedhor i Senatit është proporcional, pa asnjë bonus për partinë fituese. Për ta shtuar akoma më shumë problemin, të dy dhomat zgjidhen nga dy trupa të ndryshme zgjedhore. 18-vjeçarët mund të votojnë për Dhomën e Deputetëve, por duhet të jesh të paktën 25 vjeç për të votuar për Senatin. Çdo zgjedhje që zhvillohet me ligjin aktual rrezikon të prodhojë rezultate të ndryshme në dy dhomat, duke e bërë Italinë më pak të qeverisshme se zakonisht. Kjo është arsyeja përse presidenti Sergio Mattarella ka thënë se dy sistemet zgjedhore do të duhet të harmonizohen përpara se italianët të votojnë sërish.
Ky ndryshim nuk e zhduk mundësinë e rezultateve të ndryshme në dy dhomat qeverisëse, por do ta reduktonte rrezikun. Mund të bëhet nga Gjykata Kushtetuese ose nga Parlamenti – të shpresojmë se do të vendosë gjykata. Më 24 janar, Gjykata Kushtetuese do të vendosë mbi kushtetueshmërinë e Italicum. Teksa gjyqtarët do të vlerësojnë aspekte të ndryshme të ligjit, vendimi më kritik qëndron tek balotazhi dhe bonusi i mëpasshëm zgjedhor.
Argumenti ligjor kundër bonusit është se mund të krijojë shtrembërime të shumta në raportin e votave dhe vendeve në Parlament në rast se partia që ka fituar raundin e dytë të ketë marrë një përqindje relativisht të vogël votash në raundin e parë. Është një argument i dyshimtë, por tepër i rëndësishëm në një vend që ka një kulturë të vjetër proporcionaliste. Në rast se gjykata arrin të miratojë masat, zgjedhjet e parakohshme do të mund të zhvillohen në gjysmën e parë të vitit 2017. Ky duket se është edhe opsioni i preferuar i Renzit.
Në rast se nuk miratohen, do të jetë Parlamenti ai që do të vendosë sistemin e ri zgjedhor. Ky do të jetë prioriteti i kryeministrit të ri, Paolo Gentiloni dhe qeverisë së tij, por nuk do të jetë një mision i lehtë. Edhe pse disa mendojnë se Parlamenti do të veprojë me shpejtësi, të tjerë kanë dyshime të mëdha. Me shumë gjasa do të duhen muaj të tërë për të krijuar një mazhorancë që të miratojë ligjin elektoral. Sipas këtij skenari, zgjedhjet mund të mbahen në pranverën e vitit 2018.
Rezultati pritet të jetë i parashikueshëm. Ka shumë pak mundësi të rishfaqet një sistem mazhorance sepse diçka e tillë do t’i jepte një shans të madh partisë së Lëvizjes Pesë Yje për të fituar. Kështu, ka shumë gjasa që Italia të rikthehet në sistemin proporcional që prodhoi dekada të tëra destabilizimi dhe impotence legjislative. Sistemi i ri mund të përmbajë edhe tipare joproporcionale, por me shuma gjasa nuk do të ketë inçentiva të mjaftueshme për të favorizuar formimin e koalicioneve parazgjedhore dhe nuk do të përmbajë masa për të favorizuar mazhorancën e pastër qeverisëse.
E ardhmja politike e Italisë do të varet në mënyrën se si do të performojnë partitë antisistemit. Sondazhet e fundit tregonin se Lëvizja me Pesë Yje do të ishte në vendin e parë, por nuk është e gatshme të hyjë në aleanca. Po kështu, partitë e djathta si Liga e Veriu dhe Vëllezërit Italianë – të cilët kanë pasur rezultate të dobëta – nuk do të jenë të gatshme të bëjnë aleancë me Partinë Demokratike.
Nëse Lëvizja me Pesë Yje, Liga e Veriut dhe Vëllezërit Italianë marrin 50 për qind të votave së bashku, rezultati do të jetë një ngërç politik dhe pamundësia për të formuar qeverinë. Nën një sistemin tepër proporcional, Partia Demokratike e Renzit do ta ketë po ashtu të vështirë të formojë qeverinë më vete. Rezultati është që stabiliteti i vendit do të varet vetëm nga rikthimi i një fytyre të njohur të skenës politike.
Ironia e politikës italiane të ditëve të sotme është se kurdo që të mbahen zgjedhjet e ardhshme, shumica e italianëve – dhe europianëve – mund ta gjejnë veten duke u lutur që ish-kryeministri Silvio Berlusconi dhe Forca Italia të arrijë një rezultat aq të mirë të zgjedhje sa për të vjedhur votat e së djathtës ekstreme dhe të bashkohet me Partinë Demokratike.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërFaqja e pare