Berisha tek Atalanta, shkëmbim me Paloschin

Prej startit të këtij edicioni, Etrit Berisha është mësuar me idenë që sa herë ndodhet në grumbullim me kombëtaren, të marrë lajme të rëndësishme për karrierën në rang klubesh.
Kjo ndodhi më 31 gusht, pas miqësores me Marokun dhe përpara sfidës me Maqedoninë, kur u zyrtarizua huazimi i tij nga Lazio te Atalanta.
Tashmë, në prag të sfidës me Izraelin, për gardianin kuqezi vijnë të tjera lajme të mira. Klubi nga Bergamo është drejt konkretizimit të marrëveshjes për blerjen e plotë të kartonit të portierit.
E ardhmja e 27-vjeçarit lidhet me objektivat e Lazios në merkato, për të afruar një sulmues, ku një alternativë mjaft e pëlqyer nga klubi është Alberto Paloschi, i rritur në akademinë e Milanit dhe që ka luajtur me Parmën e Chievon.
Sulmuesi nuk po gjen hapësira te Atalanta, ndërsa kryeqytetasit kërkojnë një lojtar për trajnerin Inzaghi, sepse Filip Djordjeviç pritet të largohet në merkaton e janarit, ndërsa Keita Balde do të luajë në Kupën e Afrikës.
Lazio ka propozuar shkëmbimin Berisha-Paloschi, e duke qenë se gardiani shqiptar i ka bindur të gjithë te Atalanta, bergamaskët janë gati ta pranojnë ofertën. Kjo edhe për faktin se nga marrëveshja zikaltërit do të përfitonin edhe 2 milionë euro, që është diferenca e vlerës së kartonëve të dy lojtarëve.

Artikulli paraprakEinbinder: Asnjë alarm!
Artikulli tjetërDyshime për Roshin