Berisha-senatori Razzi: Me doktrinën e krimit Rama mbushi Parlamentin me vrasës e trafikantë

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka pritur në një takim senatorin italian të Forza Italias, Antonio Razzi. Berisha e ka njohur senatorin italian me situatën e nderë politike dhe ekonomike që po kalon vendi ynë nën qeverisjen e Edi Ramës. Kështu një nga problemet më madhore që po kalon vendi ynë, shprehet Berisha, është mbushja e Parlamentit, qeverisë dhe administratës së vendit me vrasës e kriminelë nga Kryeministri Edi Rama, duke bërë që për dy vjet rresht vendi të bllokohet në çështjen e dekriminalizimit.
“Të dashur miq, këto ditë prita në një takim senatorin italian, zotin Antonio Razzi, përfaqësues i forcës politike më të madhe të së djathtës italiane, Forca Italia, i cili ndodhet për një vizitë në vendin tonë me ftesë të deputetit Astrit Veliaj. I përcolla senatorit Razzi përshëndetjet për ish-Kryeministrin italian, mikun Silvio Berlusconi. Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe dy forcave tona politike. Unë e njoha senatorin me situatën e nderë politike dhe ekonomike që po kalon vendi ynë nën qeverisjen e Edi Ramës, një xhahil i vërtetë në ekonomi, me klimën dashakeqëse ndaj biznesit, taksat e larta, gjobat, presionin, klientela e mafia qeveritare kanë rënduar situatën ekonomike dhe kanë bërë që investitorët e huaj të largohen nga vendi ynë.
Shqipëria ka bërë një rrugëtim të gjatë në konsolidimin e ekonomisë së tregut. Në vitin ‘92 ajo renditej në vendet me të ardhura të ulëta, e treta pas Ugandës dhe Angolës, tani ajo falë reformave të ndërmarra, politikës së taksave të ulëta etj., renditet në vendet me të ardhura të mesme të larta. Nga viti 2008 gjer në vitin 2013 vendi thithi çdo vit mbi 1 miliard euro investime të huaja, por fatkeqësisht kjo qeveri me klimën e keqe të krijuar ndaj biznesit, taksat e larta, gjobat, presionin, korrupsionin dhe klientelizmin po bën që investitorët e huaj të largohen nga Shqipëria.
Në tri vite nuk ka asnjë investitor të huaj të ardhur në vendin tonë, edhe ata investitorë që operojnë në Shqipëri, me kontrata të firmosura nga qeveria ime, po detyrohen të largohen një nga një. E njoha senatorin Razzi me problemin më madhor për vendin, me pasionin e Ramës për krimin dhe banditët, i cili duke u bazuar në doktrinën e krimit të dobishëm, ka mbushur Parlamentin, qeverinë dhe administratën e vendit me vrasës e trafikantë, duke bërë që për dy vjet rresht vendi të bllokohet në çështjen e dekriminalizimit. Të gjitha këto e bëjnë situatën shumë të vështirë dhe vendin shumë të pasigurtë. Biseda ishte e hapur dhe miqësore”, shprehet Berisha.

Artikulli paraprakGjykata e Lartë lë Shullazin në burg
Artikulli tjetërKonferenca Gjyqësore: Intimidimii gjyqtarëve, i papranueshëm