Berisha flet për dy takimet me Biden dhe si e vlerëson Trumpin

Ish-kryeministri Sali Berisha foli në emisionin “Kjo Javë”, në News24, për fitoren e Joe Biden si President i SHBA.

Berisha tregoi në një lidhje me skype përballë gazetares Nisida Tufa dy takimet me Biden, ku u shpreh se ai i ka thënë fjalët më të veçanta për Shqipërinë dhe shqiptarët, që nuk ja ka thënë kurrë asnjë burrë shteti, raporton “BalkanWeb”.

Mes të tjerash, ish-kryeministri theksoi se Joe Biden do të bëjë gjëra të mëdha edhe për arritjen e një marrëveshjeje të ndershme mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi se edhe marrëveshja e fundit në Shtëpinë e Bardhë ishte një hap mjaft pozitiv nga Donald Trump.

“Do të thotë një shef ekzekutiv i SHBA me njohuri të thella për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, me qëndrime të përcaktuara njëkohësisht miqësore. Unë e kam takuar dy herë si zv.president Joe Biden dhe ruaj kujtime shumë të veçanta. Bisedat kanë qenë të shkurtra, vetëm për Shqipërinë. Fjalët e tij për Shqipërinë kanë qenë më të veçantat që më ka thënë ndonjëherë ndonjë burrë shteti. Kurse Donald Trump, ndonëse në vitet e para të presidencës pa ndonjë motiv të spikatur për rajonin, në fund tregoi një interes shumë të gjallë dhe të veçantë për marrëveshjen Kosovë-Serbi. I bëri kombit shqiptar një shërbim të madh të pamohueshëm, njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe shtroi një sërë çështjesh për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse Biden është me një histori të thellë e të gjatë, por edhe miqësor, për Shqipërinë e shqiptarët, Donald Trump u angazhua së fundi me rezultate konkrete”, u shpreh ish-kryeministri.

Artikulli paraprakNis prodhimi i vaksinës anticovid, 90% efektive, injektohet në dhjetor
Artikulli tjetërÇmimet skandaloze/ Në Francë 10 flakone Remdisivir kushtojnë 8.2 euro, në Shqipëri 5 mijë euro