Berisha apo Sportiello, vendos Gasperini

Etrit Berisha apo Marco Sportiello, kush do të jetë portieri titullar i Atalantës të dielën ndaj Torinos sfidë e vlefshme për javën e tretë të Serisë A, por dhe në ndeshjet e tjera të këtij sezoni. Është kjo pyetja që ngrejnë mediat që qëndrojnë pranë klubit bergamask. Gjithçka është në dorë të Gian Piero Gasperinit, do të jetë trajneri ai që do të vendosë, duke filluar që nga kjo fundjavë, se cili do të jetë gardiani titullar mes Berishës dhe Sportiellos. Portieri shqiptar u transferua në formë huazimi nga Lazio te Atalanta me idenë për të luajtur si titullar në këtë sezon të Serisë A, por me një Marco Sportiello, që këto vitet e fundit ka shfaqur një formë shumë të mirë mes shtyllave Berisha nuk e ka vendin të sigurtë në formacionin e Atalantës.
Giovanni Sartori drejtori sportiv i klubit nga Bergamo pak ditë më parë dha një sinjal mëse të qartë në lidhje me 27-vjeçarin nga Prishtina, duke theksuar se ekziston një arsye se përse Atalanta ka firmosur me Berishën dhe arsyeja është që të jetë shqiptari portieri titullar i zikaltërve. Megjithatë në ditët e fundit mediat italiane kanë ngritur shumë pikëpyetje dhe ende nuk dihet se cili do të jetë realisht numri 1 i Atalantës në këtë sezon. Berishës mund t’i vijë në favor fakti se, trajneri Gasperini nuk ka një raport shumë të mirë me Marco Sportiellon dhe në ditët e fundit të merkatos i kërkoi drejtorit sportiv Sartori të afronte në ekip një tjetër portier.
Sportiello në fakt deri në momentet e fundit të merkatos ishte në bisedime me Fiorentinën dhe Napolin, por transferimi i tij te një nga këto dy klube nuk u krye dhe tashmë Gasperini ka në dispozicion dy portierë titullarë të aftë për të shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushë në çdo moment. Për trajnerin e Atalantës zgjedhja se cili duhet të luajë mes Berishës dhe Sportiellos do të jetë shumë e vështirë.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërRey Manaj: Duam fitoren ndaj Interit