Beqaj tarifë 30 mijë lekë për dy vizita, 40 mijë lekë për një raport mjekësor

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka vendosur që vizita e mjekut okulist apo otorino-laringologut të bëhet me pagesë edhe për të siguruarit. Nëse kjo vizitë bëhet për efekt raporti për leje drejtimi apo veprimtarinë me armët, atëherë duhet të paguani 15 mijë lekë të vjetra për secilën vizitë. Deri tani, për aplikimet paguhej vetëm një raport prej 10 mijë lekësh të vjetra, i cili mbetet gjithashtu në fuqi. Urdhëri i ministrit është shpërndarë në të gjitha poliklinikat e specialiteteve në kryeqytet dhe në rrethe dhe firma e tij mban datën 29 mars 2016. Në këtë mënyrë, raporti mjekësor, pavarësisht nëse aplikanti është i siguruar, do të kushtojë në total 40 mijë lekë të vjetra. Nga ana tjetër, shumë ilaçe që konsumohen më shpesh janë rritur nga 50 deri 100 për qind, duke konfirmuar se pretendimi i herëpashershëm i drejtuesve të institucioneve të larta shëndetësore se çmimet e tyre janë ulur, nuk është fare i vërtetë. Kompanitë farmaceutike ankohen për deformim të tregut në Shqipëri. Madje sipas tyre, barnat në vendin tonë shiten me çmim shumë herë më të lartë se sa në vendet e rajonit. Denoncimi i ndryshueshmërisë së pajustifikueshme të çmimeve të barnave vjen nga kompanitë farmaceutike, sipas të cilave shqiptarët paguajnë barnat e konsumit masiv me çmime shumë herë më të larta se sa ndodh në vendet fqinje. Ky fakt abuziv sipas tyre vjen nga deformimi i tregut. Një situatë e tillë sipas kompanive farmaceutike po shndërrohet në një fenomen që po rëndon gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve. Ata, përveç problemeve në shëndet, duhet të përballen edhe me koston e lartë të sigurimit të barnave për terapitë trajtuese. Ndërkohë institucionet përgjegjëse për monitorimin e politikave të barnave, sipas kompanive farmaceutike, fshihen pas deklaratave boshe dhe nuk ndërhyjnë duke lejuar abuzimet në radhët e shitjes së barnave.

Artikulli paraprak“Panamaja” zbardh marrëveshjet sekrete financiare të 140 politikanëve
Artikulli tjetërSkandali ‘Panama Papers’, islandezët protesta masive, kërkohet dorëheqja e kryeministrit