Beogradi kërkon ndarjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç në një artikull për gazetën më të madhe në Beograd, “Blic”, shkruan, se Kosova është tashmë prej mëse nëntë vitesh shtet i pavarur i njohur prej 110 shteteve. DPA citon nga artikulli i Blic: Në Kosovë ndodhen shumë manastire mesjetare serbe dhe fushëbeteja, kështu që Beogradi deri tani donte ta kishte sërish këtë rajon. Në Veri të Kosovës jeton një minoritet kompakt serb. Sipas ideve të mëparshme për ndarjen Veriu i Kosovës mund t’i bashkohet Serbisë. Por në një rast të tillë pala shqiptare shtron çështjen e rreth 100.000 shqiptarëve në Jug të Serbisë, që mund të bashkohen me Kosovën. Manastireve historike serbe në Kosovë, që ndodhen  në listën e UNESCO-s si trashëgimi e kulturës botërore, në rast të ndarjes mund t’u jepet një status i veçantë autonomie, ka propozuar Daçiç sërish.
Një javë më parë në një tekst autorial për gazetën “Blic”, Vuçiç ai ka shkruar se në Serbi duhet të fillojë një dialog i brendshëm për Kosovën dhe se Serbia duhet të jetë realiste karshi zhvillimeve në Kosovë dhe jo ta fusë kokën në rënë si struci. Vuçiç mendon se “Kosova është në thelb problemi ynë më i rëndë, ndaj është e nevojshme, si kurrë më parë, që të gjithë së bashku të gjejmë një përgjigje. Një përgjigje që do të jetë e qëndrueshme, që përjashton konfliktin si opsion, një përgjigje e cila të gjithëve në rajon do t’u sillte leverdi”.

Analistët mbi apelin e Vuçiçit

Dushan Janjiç, koordinator i Forumit për Raporte Etnike thotë për DË se, nuk është optimist se ky dialog do të rezultojë me sukses: “Vuçiçi nuk ka në fakt një ide të qartë se për çfarë do të bisedohet. Por paraprakisht i ka quajtur si të dështuar të gjithë ata që janë kundër këtij dialogu. Një tekst dhe një ton i tillë, si dhe arroganca e tij, nuk janë një nisje e mirë dhe krijojnë rezistencë ndaj këtij dialogu”. Janjiç mendon se këto tekste paraqesin një lloj manipulimi me dialogun, sipas motos “unë ju kam pyetur, ju po heshtni dhe nuk po përgjigjeni. Ndaj kam vendosur vet, ndërsa përgjegjësitë do t’i ndajmë të gjithë”.
Situata në Ballkan po ndryshon me shpejtësi, thotë për DW Dushan Prorokoviç nga Qendra për Alternativa Strategjike. Mali i Zi është futur në NATO, ndërsa Maqedonia ka intensifikuar sërish përpjekjet për anëtarësim. “Në këtë kontekst e shoh edhe iniciativën e fundit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Tani dëshirohet përshpejtimi i procesit dhe një përfundim sa më i shpejtë i procesit, si dhe futja e Kosovës në Kombet e Bashkuara – ndoshta vitin e ardhshëm”, mendon ai. Prorokoviç pohon se ky dialog i brendshëm ka për qëllim legjitimimin e gjithë procesit.
“Ne do të zhvillojmë një gjoja dialog, i cili në fund do të rezultojë me njohjen e realitetit, që do të thotë se Kosova do të bëhet anëtare e OKB pa njohjen formale nga Serbia. Ky është modeli i dy gjermanive, për të cilin flitet që nga viti 2008 dhe që nënkupton marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, që duhet të kenë raporte si dikur Berlini Lindor dhe Boni”.
Dushan Prorokoviç thotë se në opinion kjo do të paraqitet si një zgjidhje e mesme: “Ne nuk e kemi njohur Prishtinën, nuk do të vendosim raporte diplomatike, por Kosova do të legjitimojë statusin e anëtares në OKB, sepse ky është realiteti”. “Mendoj se gjërat po shkojnë në këtë drejtim”, thotë bashkëbiseduesi i DW, por kjo sipas tij, “nuk do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës, sepse Serbia do të përballet me probleme shumë serioze”.
“Anëtarësimi i Kosovës në OKB do të dëmtonte pozitën e Serbisë në shtigje afagjata. Pas kësaj do të mund të pritej edhe anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO, që do të thotë se do të ndryshonte edhe pozita e Serbisë, e cila do të detyrohej ndoshta edhe vet të bëhet anëtare e NATO-s”, pohon Prorokoviç. “Mendoj se më pas mund të priten shumë shpejtë edhe aktakuza e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid dhe probleme të mëdha rreth përcaktimit të vijës kufitare, që Serbinë do ta fuste në probleme shumë të mëdha dhe të mundimshme. Ndaj mendoj se dogma se njohja e Kosovës do t’i zgjidhë problemet është shumë e rrezikshme dhe e gabuar”, pohon ai.

Korrupsioni, problemi kryesor i vendeve të Ballkanit

Të gjitha shifrat dhe sondazhet tregojnë se, korrupsioni është shqetësimi numër një në shtetet e Ballkanit. Kjo u bë e qartë edhe në raportin e fundit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. E korrupsioni mbetet njëra nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës, por edhe Shqipërisë. Mbi 60 për qind e qytetarëve, të cilët janë pyetur në sondazhin e RCC-së në Kosovë, thonë se korrupsioni është shqetësimi i tyre kryesor. Krahas “Ne kemi barometrin ballkanik, ku i pyesim njerëzit çfarë mendojnë për çështje të ndryshme. Kur i kemi pyetur se cili është problemi i tyre numër një, nuk ka kurrfarë dallimi në Ballkan. Njerëzit thonë se është papunësia. Papunësia është frikë e përbashkët në rajon. E dyta, që kemi gjetur në secilin shtet është pakënaqësia me situatën e përgjithshme ekonomike. E treta është korrupsioni. Perceptimi i korrupsionit është rritur me 15 për qind nga viti i kaluar në këtë vit. Në veçanti për Kosovën është 62 për qind, njerëzit thonë se korrupsioni është problemi i tyre numër një”, ka thënë Svilanoviç. Kosova nuk qëndron mirë sa i përket edhe përmbushjes së strategjisë për vitin 2020 në punësimin e personave nga 20 deri në 64 vjeç. “Kur është në pyetje punësimi i grupmoshave 20-64 vjeç, ekonomia ka përmbushur vetëm 42 për qind targetin e përcaktuar për vitin 2020”, ka treguar Svilanoviç. Sipas tij, në Shqipëri situata është më e mirë, ku me 68 për qind është përmbushur qëllimi për punësimin e grupmoshave 20-64 vjeç. “Shteti shqiptar është lider në rajon në shkëmbimin e produkteve, me 111 për qind të targetit 2020, duke e kaluar përqindjen e dëshiruar. Sipas raportit të RCC-së, shteti shqiptar ka bërë përparim të madh edhe në shtimin e njerëzve me shkollim profesional në tregun e punës. Targeti i përcaktuar më 2020-ën është përmbushur sipas të njëjtit raport, me 88 për qind”, ka thënë ai. Ndërkohë, sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës, Svilanoviç ka treguar se Serbia mbetet lidere në këtë drejtim. Nga 400 mijë vende të reja të punës që janë krijuar në katër vjetët e fundit, ai ka thënë se Serbia ka hapur 300 mijë prej tyre. Mbizotërimi i një klime jostabile politike në vend ka bërë që Kosova t’i humbë 369 milionë euro investime të huaja nga viti 2010 deri më sot.

A po dërgon Uashingtoni një sinjal rikonfirmimi të angazhimit në Ballkan?

Ndërsa nënpresidenti amerikan Mike Pence është në prag të vizitës në Mal të Zi ku do të mbajë bisedime me udhëheqësit e Ballkanit, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee thotë se, angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Ballkan vazhdon të jetë i fortë. Ky mesazh është lajm i mirë për udhëheqësit e vendeve të rajonit, mes shqetësimeve se shkurtimet e thella të parashikuara në projekt-buxhetin e Departamentit të Shtetit mund të dobësojnë rolin e Uashingtonit në këto demokraci të brishta të ekspozuara ndaj ndërhyrjes ruse. Kolegia Keida Kostreci njofton.
Zoti Yee thotë se, Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të bashkëpunojnë me Rusinë në fushat me interes të ndërsjellë si anti-terrorizmi, por kur kanë pikëpamje të kundërta…
“Shtetet e Bashkuara, do të mbrojnë interesat dhe vlerat e veta dhe të aleatëve të tyre me shumë vendosmëri. Dhe ne këtë po bëjmë”, thotë ai. Përsa i takon Ballkanit Perëndimor, zoti Yee thotë se Uashingtoni nuk do që ta ekzagjerojë seriozitetin e ndërhyrjes së Rusisë, por mendon se është e rëndësishme të ruhet vigjilenca.
“Po marrim masa aty ku mundemi që të forcojmë vendet e Ballkanit Perëndimor, përballë ndikimeve me synime keqdashëse, qoftë nga Rusia apo, burime, vende dhe faktorë të tjerë”, thotë zoti Yee.
Zyrtari i lartë veçon rastin e Malit të Zi, ku ai thotë se siç tregojnë të gjitha të dhënat, Rusia ndërhyri për të përmbysur një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike. “Vendet e tjera të Ballkanit duhet të jenë shumë të kujdesshme, duhet të ndjekin me vëmendje se ç’bën Rusia dhe ne po bëjmë të njëjtën gjë”, thotë ai.
Zoti Yee i referohej asaj që prokurorët në Podgoricë kanë thënë se ishte një përpjekje për grusht shteti, e mbështetur financiarisht nga Rusia, në zgjedhjet e tetorit të kaluar, që sipas akuzave synonte vrasjen e Kryeministrit Milo Gjukanoviç, për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, që u realizua në qershor. Moska është përpjekur të frenojë afrimin e vendeve të Ballkanit me institucionet Euro-Atlantike, përfshirë ndërhyrje në politikën e Maqedonisë dhe marrëdhëniet e ngushta me aleatin tradicional, Serbinë që po kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian.
Zoti Yee thotë se, takimi i Presidentit serb Aleksandër Vuçiç me nënpresidentin Mike Pence në Uashington dhe vizita e zotit Pence në Mal të Zi, rikonfimojnë angazhimin e administratës së re në Ballkan. Ai thotë se, integrimi i rajonit në BE dhe NATO, është padyshim në interesin e Shteteve të Bashkuara.
“Për këtë arsye, politika amerikane ka qenë e qëndrueshme gjatë disa administratave, si demokratike ashtu edhe republikane dhe besoj se do të vazhdojë”, thotë zoti Yee. Por, analisti Daniel Serwer dyshon se Ballkanit do t’i kushtohet vëmendje më e madhe nga administrata e Presidentit Trump.
“Ashtu si administrata e kaluar ata ia kanë lënë nënpresidentit të merret me Ballkanin, gjë që nuk është absolutisht negative, por as plotësisht pozitive. Më duket se nuk ka shumë gjasa që të rritet vëmendja, por nuk e dimë ende me siguri”, thotë zoti Serwer.
Zoti Yee thotë se sa më të përkushtuara të jenë vendet për të vënë në jetë reformat dhe të luftojnë korrupsionin, aq më pak të ekspozuara do të jenë ndaj ndërhyrjeve nga jashtë. Dhe një sinjal angazhimi nga Shtetet e Bashkuara, do të ketë ndikim të ndjeshëm në një rajon ku sfidat e brendshme dhe të jashtme, nuk janë zgjidhur ende.

Artikulli paraprakDështon marrëveshja me FMN-në, Kosova humb 16 milionë euro
Artikulli tjetërKush i vendos linjat Ramës?