Benzema shigjeton trajnerin Deschamps

“Kisha zhvilluar një sezon madhështor, por gjithsesi nuk u grumbullova për Kampionatin Europian të vitit 2016, dhe as m’u dha më i vogli sqarim. Unë nuk kam patur kurrë probleme me Deschamps, por e di që për sa kohë do të jetë ai trajneri i kombëtares, unë nuk do të grumbullohem asnjëherë”, deklaroi sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema, në lidhje me të ardhmen e tij në përfaqësuesen e Francës.
Benzema nuk e vesh më fanellën e kombëtares franceze që nga tetori i vitit 2015, kur shpërtheu skandali për çështjen e videove me drita të kuqe të asaj që u cilësua asaj kohe si një zhvatje e mbetur në tentativë, në dëm të ish-shokut të tij të kombëtares, Mathieu Valbuena. “Të shpresoj për Botërorin? Futbolli të obligon të besosh gjithmonë, por nuk jam në kombëtare prej dy vitesh e gjysmë dhe nuk jam budalla që të gënjej veten”, shtoi Benzema në deklaratën e tij për “Canal Football club”.
Benzema mendon se Cristiano Ronaldo është më egoist se ai, por shton se punojnë të dy për të mirën e Real Madridit dhe nuk ka asnjë problem me shokun e tij portugez. Ish-francezi ndërkombëtar kanë luajtur me Ronaldon për gati një dekadë, pjesë e gjigantëve të La Liga-s. Benzema ka pasur shumë sukses gjatë kohës së tij në Spanjë, edhe pse beson se arritjet e tij janë lënë në hije nga Ronaldo. Megjithatë, ai nuk ka asnjë problem me këtë, ndaj thotë se ai dhe portugezi kanë një marrëdhënie të mirë. “Te Real Madridi unë shënoj, por kur djaloshi që është pranë teje shënon 50 gola në sezon, ti nuk mund të bësh asgjë, i tha Benzema “Canal +”. Është ndryshe nga mënyra se si luaja te Lyon. Më pëlqejnë titujt e fituar me skuadrën. Po argëtohem. Ronaldo dhe unë vazhdojmë mirë.
Më pëlqen të luaj me të. Ai pëlqen të luajë me një prekje të topit. Është më egoist se unë, por kjo është normale. Kjo nuk më shqetëson. Së fundi, është mirë për Real Madridin. Nuk e imagjinoja se do të qëndroja në ‘Bernabeu’ për nëntë vite. Kur isha te Lyon imagjinoja vetëm të shkoja te Reali për të fituar tituj. Gjëja më e vështirë në Madrid është presioni. Debati rreth meje? Është për të shitur gazetat. Unë përqendrohem te futbolli. Me moshën, kam mësuar të qëndroj i qetë”.
Benzema, gjithashtu, diskutoi kohën e tij nën drejtimin e trajnerit aktual të Manchester United, Jose Mourinho, i cili e trajnoi Real Madridin nga viti 2010 deri më 2013. “Mourinho më ndihmoi shumë. Është karakteri i tij. Ju inspiron çdo herë që ju hedh në fushë. Është një trajner i mirë”, përfundoi Benzema.

Artikulli paraprak“Lista e zezë” e PSG
Artikulli tjetërMacron dhe Strategjia e Madhe për Fuqinë Europë