Bëlbëzimet e fundit të “opozitës” që po shuhet

Nga Sidi Hasanaj

Shpjegimi shkencor për bëlbëzimet ju përket foshnjeve dhe komunikimit të tyre me prindërit. Bëlbëzimet nisin te fëmijët 9 muajsh, dhe tregojnë se janë duke mësuar konkretisht fjalët që prindërit e tyre po u përsërisin, dhe përfshihen duke reaguar përmes belbëzimeve.

Të njejtën fazë po kalojnë dhe figurat “udhëheqëse” të atij segmenti opozitar të aksit Rithemelim-LSI, si Gazment Bardhi, si Ilir Metës, por edhe Jorida Tabaku janë në fazën e bëlbëzimeve… politike.

Por me një ndryshim të madh:
nëse bëlbëzimet janë fillimi i artikulimit të fjalëve në jetën e njeriut, në rastin e Tabakut, Bardhit, Salianjit etj deri te Ilir Meta, janë tingujt e fundit të jetës së tyre politike.

Në vetëm 24orët e fundit, Gazment Bardhi ka marrë goditje diskretituese që i japin fund jetës së tij politike… nëse ka pasur ndonjëherë një të tillë:

Tha se Amnistia Penale me pjesë të propozuara prej tij, nuk do të lironte nga qelitë subjekte të SPAK dhe GJKKO, u përbetua për këtë… dje u faktua e kundërta:

Dje sipas raportit të Gjykatës Speciale dhe SPAK, u liruan nga propozimi i Bardhit, 80 zyrtarë të korruptuar subjekte të SPAK. U lirua dikush që kishte vrarë kryetarin e PD në Has, mjekun e njohur Behar Kastratin.
U lirua ish shefi i krimeve Leonard Palushi, i dënuar me akuzë nga SPAK si efektivi që morri pjesë në një vrasje në Lezhë duke ndihmuar autorët me pajisje me armë në një servis makinash… i përmendur nga vrasësi serial Nuredin Dumani për këtë krim… por Gaz Bardhi e liroi me amnistinë e tij!

U liruan zyrtarë që kishin firmisur për tendera korruptivë në policinë e shtetit, si tenderi i uniformave të policisë, u liruan rreth 4 gjykatës që ishin dënuar për korrupsion.

Ashtu si Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra dhe gënjeshtra e Gazment Bardhit doli shpejt, por dje ai bëlbëzonte si një foshnje 9muajshe i turpëruar dhe diskretituar për aktin e tij skandaloz të propozimit të amnistisë fiskale.

Si mundet një opozitar, të nxjerrë nga dënimi këta personazhe (plot 80) si personazhet më sipër??
E pakonceptuashme, këtë vetëm dikush me rekordet e turpit dhe amoralitetit politik si Bardhi mund ta kryente.

E dyta, dje prokurorët e SPAK publikuan për mediat dokumentin e depozituar nga Gazment Bardhi për Olsi Ramën. Një turp i madh tjetër.
Bardhi nuk kishte depozituar asnjë akuzë për Olsi Ramën në lidhje me skandalin e Xibrakës, asnjë akuzë! Nëse në media thoshte se akuzonte Olsi Ramën për ndihmën që ju kishte dhënë trafikantëve të laburatorit të Xibrakës, në të vërtetë kishte depozituar një akuzë ku nuk akuzohej fare Olsi Rama! Një tjetër turp i madh i Bardhit!

Bëlbëzime të një foshnjeje politike, e cila emrin e ka Gazment Bardhi, por genet i ka të Benjamin Button:
Karakteri i librit të Fitzgerald, i cili lindi i moshuar dhe u plak duke u rinuar deri sa vdiq si foshnje… duke bëlbëzuar. Edhe Bardhi po mbyll jetën politike si foshnje, duke bëlbëzuar akuza dhe akte politike të turpshme!

Nga ana tjetër, morri vëmëndje qëndrimi i një tjetër figure të pompuar nga mediat e Oligarkëve, Jorida Tabakut e cila nga tv i Oligarkut të skandalit të Unazës së Re dhe rrugës Milot-Balldren lëshoi një deklaratë- bëlbëzim foshnjarak:

“Ambasadat Perëndimore nuk kanë përse dënojnë protestat me molotov para bashkisë, ne nuk kemi përse i dëgjojmë pasi nuk na votojnë ato, por qytetarët” .

Tabaku harroi që ambasadat nuk shprehen në emër të punonjësve që operojnë në ato godina, por përcjellin zërin e qeverive të tyre, dhe qeveritë Gjermane, Italiane, Amerikane, Franceze etj kur ngrenë zërin kundër Flamur Nokës që godet me molotov policët, kanë në mendje boshtin e vlerave të qytetërimeve të tyre. Rruga është Drejtësia dhe SPAK ndaj hajdutërisë, jo Muli me Belon me molotov në dorë!

Nëse doni të hyni në familjen e Hezbolla, Jorida me Mulin kanë këndvështrim të saktë, por nëse duan ta integrojnë Shqipërinë në BE, atëherë qëndrimi i Tabakut është skandaloz, është në një inteligjencë argumenti sa ai i foshnjes që bëlbëzon.

E në fund, si qershia mbi tortë, qëndron Ilir Meta.
I njoftuar mbrëmë nga B.Fevziu se SPAK ka depozituar masa shtrënguese për të në gjykatë, Vojo Kushi u kthye në lepurin e LSI, dhe përgjigjia ishte prej një lepuri:
“Le të vijnë te konventa e LSI ku unë kam thirrur gjithë mercenarët e LSI, mes tyre le të më arrestojnë”

Në fakt SPAK kërkon masë shtrënguese për Ilir Metën si zyrtar të korruptuar, jo për LSI-në.
Vojo Kushi i LSI duhet të përballet me drejtësinë, jo të fshihet te preri i Erisa Xhixhos apo te fustani i Tedi Blushit.

Këto janë bëlbëzimet e fundit të opozitës që Shqipërisë nuk i duhen, që e kanë mbajtur në pushtet Edi Ramën duke vrarë alternativën… por koha dhe aktet e tyre po i shuajnë tashmë.

Artikulli paraprak“Më rrezikohet jeta! Kam harxhuar 13 mijë euro”- Dëshmitë e pacientëve të Spitalit të Traumës! Si i ‘rrjepin’ qytetarët me protezat ortopedike
Artikulli tjetërKundërshton politikën ndaj Gazës, dorëhiqet zëdhënësja e Departamentit të Shtetit